Spotet – Mjafton të analizosh faturat e shpenzuara për spotet publicitare, për të kuptuar se fondet e deklaruara për fushatë nuk janë reale
Konsulentët – Pas TV-ve, dy partitë kryesore shpenzojnë tepër për konsulentët e huaj, duke u mbetur diferenca alogjike ekonomike për fushatën
Mitingjet – Vetëm për mitingje dhe reklamat në billborde, PS dhe PD, nga monitorimet e kryera, raportuan 54 dhe 67 për qind më pak
Fatura – Partitë deklarojnë se shpenzuan nga 1.3 milionë USD, në dy zgjedhjet e fundit, ato të 2013-s mund të jenë dy herë më të larta
Analiza
Sfidojnë audituesit, raportojnë vlera qesharake, kur në TV afro 2 milionë USD
Janë të shumta legjendat urbane, nëse mund t’i cilësojmë kështu, mbi shpenzimet e kandidatëve për deputetë apo për kryetar të njësisë vendore. Të tipit “1 milion dollarë shpenzime vetëm për emigrantët duke u blerë biletat” (50 euro/personi), vlerë kjo e përfolur për zgjedhjet e vitit 2009 vetëm për një forcë politike, apo “150-200 mijë dollarë për të qenë në listën garant për deputetë”, sikurse kemi “X-in që ka hedhur 400 mijë dollarë për zonën e tij elektorale në Veri”, si dhe shuma e mjaft përfolur “se në fushatën për Bashkinë e Tiranës u hodhën mbi 20 milionë dollarë”, etj., etj.
Të paktën në dy fushatat e fundit, atë parlamentare të 2009-s dhe në lokalet e 2011-s, dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë shpenzuar secila (respektivisht) nga 1.4 dhe 1.2 milionë dollarë. Këto janë shumat e deklaruara nga vetë subjektet politike dhe të audituara nga ekspertë të licencuar dhe të pranuar nga KQZ.
Sa reale janë këto shpenzime të deklaruara “vullnetarisht” nga dy partitë? Një monitorim, pjesor, i realizuar për zgjedhjet parlamentare të 2009-s, nga “Forumi i Mendimit të Lirë”, nxori dukshëm në pah se deklarimet nuk ishin reale. Të paktën, për pjesën e shpenzimeve për realizimin e mitingjeve dhe vendosjen e reklamave (posterat) në billbordet, në 6 qytetet kryesore, PS kishte raportuar 54 për qind më pak, kurse PD rreth 67 për qind, nga sa realisht kishin hedhur fonde për fushatë. Për të arritur në këto diferenca “tronditëse”, analistët dhe agjentët e terrenit kryen matjet, bazuar mbi çmimet referencë të tregut.
Pyetja që shtrohet sot është: sa po shpenzojnë aktualisht partitë politike për këto zgjedhje, të cilat kanë nisur më herët se sa afati i lejuar ligjor?
Kemi hyrë në muajin e katërt të fushatës, dhe logjika të çon në shifra marramendëse. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ndau dje fondet për partitë, të nevojshme për zhvillimin e fushatës. PS dhe PD morën secila rreth 25 milionë lekë. A mjaftojnë? Jo! Vetëm për transmetimin e spoteve publicitare në televizione partitë kanë hedhur të paktën nga 2 milionë dollarë secila, kur mesatarisht në dy zgjedhjet e fundit, kanë patur një buxhet prej 1.3 milionë dollarë për të gjitha aktivitetet dhe nevojat e fushatës.
Vetëm për tre mitingjet e organizuara në Tiranë (hapja dhe mbyllja), brenda një muaji, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, PD shpenzoi mbi 110 mijë dollarë, në një kohë kur kishte deklaruar se për të gjithë fushatën shpenzoi 1 milion dollarë. Jo pak me shpenzimet nuk ishte as PS-ja (për hapjen dhe mbylljen në Tiranë, afro 70 mijë dollarë). Duhet të sqarojmë se këto janë shpenzime për mitingje dhe jo për fushatë, takime në zona të thella, dietat, karburanti, telefoni, etj.
Të mos harrojmë, se partitë kryesore shpenzojnë jo pak për konsulenca. Në dy zgjedhjet e fundit, PS shpenzoi 90 mijë dollarë, kurse PD-ja (partia në pushtet) rreth 500 mijë dollarë (450 mijë në zgjedhjet e 2011-s).
Tjetër detaj që duhet marrë në konsideratë është fati se këto shpenzime janë raportuar të kryera vetëm një muaj, kohëzgjatja ligjore për zhvillimin e fushatës. Për hir të së vërtetës, në zgjedhjet e kaluara, afatet janë respektuar në limite të kohës, por në fushatën aktuale, mitingjet dhe takimet elektorale kanë nisur që në muajin mars, rreth tre muaj para kohe. Nëse do të llogarisim se për një muaj shpenzohen 1.3 milionë dollarë, të paktën për tre muajt e tjerë, mjafton t’u shtojmë të paktën 30 për qind të shumës, dhe buxheti i dy partive për këto zgjedhje arrin në të paktën mbi 2 milionë dollarë secila. Këto janë gjithnjë nga deklarimet, pasi deri më sot, me rrugët informale të pagesave është vështirë të dalësh në rezultat konkret. Partitë deklarojnë se afro 70 për qind e buxhetit vjen nga fondet e veta, pra “gjoja” kuotat e paguara nga anëtarët. Natyrisht, kjo hapësirë shërben për të mbuluar donatorët e vërtetë, që nuk dalin kurrë në dritë.
Për të dyja partitë, shqiptarët duhet të mësojnë/shikojnë të paktën anët e medaljes: Për partinë në pushtet, paratë që hedh për qëllime elektorale, duke përdorur fondet e taksapaguesve dhe mjetet logjistike të administratës; Për opozitën, fondet që merr “lart” dhe “poshtë”, duke hyrë në detyrime ndaj donatorëve dhe ku ende pa mbërritur në pushtet i “futen të dyja këmbët në një këpucë” për shkak të ndereve për financim.
Qeveria përdor paratë e taksapaguesve për të realizuar shpenzimet e fushatës
Vetëm për reklama në një TV kombëtar, partitë do të shpenzojnë deri në 80 milionë lekë