TURIZMI NË SHQIPËRI, “VIZITORË” APO “TURISTË”?!

ELVIS KOTHERJA

Shqipëria, për nga pozita gjeografike i takon të thuhet se pozicionohet në zemër të Mesdheut (deti Adriatik dhe ai Jon), por fatkeqësisht ende nuk ka krijuar një identitet të sajin në turizmin rajonal ballkanik pa folur për një identitet në tregun ndërkombëtar. Vendi ynë është një vend që për nga burimet natyrore, ujore, vlerat historike, kulturore, arkeologjike, mikpritjes së çiltër të të huajve e shumë aspekte të tjera, ka më shumë vlera nga disa vende të rajonit. Kjo nuk mjafton, për vetë realitetin ku ndodhet sot turizmi në Shqipëri, parë kjo nën okelion e atyre që e kanë profesion dhe kanë vendosur të punojnë gjatë në këtë industri. Në ditët e sotme, sfidat më të mëdha mbeten ende të paprekshme. “Turizmi prioritet” nga sfidat e shumta elektorale, ku dhe ai bën pjesë, është kthyer në një shprehje vulgare për slogane elektorale. Në bindjen time, ata që punojnë në këtë industri, e ndiejnë më shumë keqpërdorimin e termit “turizëm”. Për profesionistët shqiptarë që vegjetojnë dhe mundohen të shmangin pengesat e shumta, do të ishte më mirë që termi “prioritet turizmit” të zëvendësohej nga puna konkrete, komunikimi i frytshëm me biznesin, legjislacioni i kompletuar, për ta çuar përpara këtë komponent të rëndësishëm të ekonomisë sonë.

Ka shumë spekulime sa i përket numrit të turistëve që hyjnë në Shqipëri, konceptet profesionale keqpërdoren. Mjafton të ndajmë dy konceptet bazë, të cilat jo vetëm dezinformojnë opinionin publik, por na kanë lënë ende në gjumin e thellë se në Shqipëri ka turizëm. Termi “turizëm” për çdo shqiptar sot është një utopi. Në të gjitha vendet e botës, ku kjo industri funksionon më së miri, bëhet e prekshme nga qytetarët, duke u përkthyer në punësim dhe në mirëqenie. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit (UNTWO), turizmi sot është një industri e pakrahasueshme me të tjerat për nga impakti që reflekton në uljen e papunësisë në planet. Një (1) në nëntë (9) punonjës në planet punon në këtë industri, në punësim direkt dhe akoma më shumë në punësim indirekt. Punësimi indirekt është diçka që mund të kuptohet nga çdo kush, mjafton të dijë zinxhirin e kërkesave për shërbime, të mira dhe produkte mbështetëse që kërkon kjo industri.

Standardi statistikor ndërkombëtar për matjen e numrit të turistëve mbetet numri i “Overnights” ose numri i fjetjeve në një destinacion, për ta thjeshtëzuar e shqipëruar po e quajmë “bujtës”. Ky është argument i standardizuar, i cili është evident në çdo bord turizmi i cilitdo shteti europian a më gjerë.

Është e patolerueshme që nga politika, apo institucionet publike të ngatërrohet termi “vizitor” me termin “turist”. Për shkak se kjo industri është ende e paprekshme nga shumica e shqiptarëve, qoftë dhe ata që jetojnë në bregdet, spekulimi bëhet akoma më i rëndë. E mira është të sqarojmë termat e keqpërdorura jo për të ndëshkuar dikë, por për t’i bërë të mendojnë se duhet ndaluar spekulimi dhe të nisë një mënyrë tjetër profesionale e përdorimit të termave. Termi “vizitor” është shumë i saktë, bëhet fjalë për ata persona, qofshin shqiptarë apo të huaj, të cilët e vizitojnë Shqipërinë pa fjetur në njësi akomoduese qoftë dhe për një natë. Arsyet e kalimit të tyre në Shqipëri janë të shumta, një mundësi është se ata kalojnë tranzit brenda ditës nga një kufi në tjetrin, “kryesisht shtetasit kosovarë e shqiptarët e Maqedonisë”, tjetër mundësi është turistët e huaj, të cilët vizitojnë Shqipërinë më shumë nga periudha maj-tetor brenda ditës, kryesisht në skajin jugperëndimor Saranda (vizitorë nga Greqia që fjetjen e kanë në Greqi) dhe në skajin veriperëndimor (vizitorë nga Mali i Zi që fjetjen e kanë në Malin e Zi), apo kosovarët që shkëputen nga Kosova brenda ditës paguajnë 5 euro biletë vajtje-ardhje (kryesisht nga zona e Gjakovës dhe Prizrenit). Turistët e mirëfilltë janë ata të cilët së paku kalojnë një natë në një hotel në Shqipëri. A kemi ne një statistikë të saktë sesa të huaj apo dhe shqiptarë akomodohen qoftë dhe për një natë në njësitë akomoduese shqiptare? Nëse do t’i quajmë “bujtës”, sa bujtës numëron Shqipëria në një vit kalendarik??? Nuk ka të dhëna statistikore që e pasqyrojnë, për faktin se “MTKRS-ja, institucioni përgjegjës për turizmin, nuk bën transparencë për disa arsye. Arsyeja e parë është se ata ende nuk e kanë kuptuar terminologjinë “turist” dhe “vizitor” nëse e kanë nga padituria, apo e kanë nga mosdëshira për ta treguar të vërtetën, përgjegjësia e tyre në të dyja rastet. Arsyeja e dytë dhe më e forta, e cila është reale, është lënia e kësaj industrie për një kohë shumë të gjatë në informalitet me koshiencë të rikonfirmuar zyrtarisht dhe nga krerët më të lartë të institucioneve publike. Rrjedhimisht nuk kanë arritur të krijojnë bazat e informacionit në lidhje me njësitë akomoduese që realisht ka Shqipëria, ku përfshihen, hotelet, resortet, apartamentet, vilat, dhomat me qira etj., pa folur aspak për kategorizimin e tyre që duhet të ishte bërë me kohë. Megjithatë sot gjykojmë realitetin sikurse është, mbase kjo “liri ekonomike në industrinë e turizmit” mund të kishte dhënë rezultate të mira, fakti është se nuk ka funksionuar dhe na u kthye në një informalitet të dëmshëm. Në këto kushte, politika duhet të ndryshojë kurs, forma më e mirë do të ishte inventarizimi i saktë zë për zë dhe formalizimi i saj në mënyrë urgjente. Pa të dhëna statistikore të sakta kjo industri është vështirë të zhvillohet, duke pasur parasysh se statistika është themeli mbi të cilat përcaktohen planet zhvilluese për një industri turizmi të qëndrueshme.

Me argumentet e mësipërme del qartazi që numrat që ne dëgjojmë (pa dashur të paragjykojmë vërtetësinë e tyre), vijnë si rezultat i pozitës gjeografike në një rajon të zhvilluar turizmi qoftë nga fqinjët veriorë, por dhe ata jugorë, gjithashtu pozicioni gjeografik i Shqipërisë që ndodhet në kryqëzim të rrugëve lidhëse. Dikush mund të na përmendë infrastrukturën e përmirësuar, padyshim ka përmirësime, por ky përmirësim nuk mjafton të përkthehet në mirëqenie dhe punësim dhe do të donim të shtonim se po të kishim një turizëm të zhvilluar më së miri sot, infrastruktura do të ishte së paku 3-4 herë më e mirë nga ajo që kemi sot. Turizmi rrit investimet publike, përmirëson infrastrukturën, rrit punësimin, turizmi është mirëqenie, kjo tashmë është e padiskutueshme. A mundet politika të na mirëkuptojë dhe të mos trembet kur kërkon të bindë shqiptarët dhe u premton për uljen e papunësisë në katër vitet e ardhshme?! Do t’i referohesha vetëm raportit të “UNWTO” 1 me 9 dhe, duke pranuar faktin se turizmi në Shqipëri ende nuk ka krijuar themelet e shëndosha të zhvillimit. Kjo industri mund tw punësojw “direkt” në 4 vite më shumë se 120 000 shqiptarë. Nëse pyesni për punësimin “indirekt”?! Shumë e lehtë, çdo turist konsumon produkte ushqimore, nëse do t’i prodhojmë në vend, atëherë fermerët nuk duhet të prodhojnë për të ushqyer vetëm shqiptarët, por tashmë edhe bujtësit që sjellin valutë.

Autor te 4 Qershor 2013. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Iris

    Asgje se ndal Berishen te thote qe turizmi ka pesuar rritje. nuk di kryeministri ne ikje te

    beja dallime te nevojshme konceptesh.Ai del dhe genjen e populli i shkret her e ha here revoltohet.Por kete 23 QErshor, kemi shume arsye per te mos e besuar rrenen e rradhes dhe per ti dhene duart kryemnistrit mashtrues.

  • klaus

    Turizmi ne shqiperi per te qene te sinqerte ka bere hapa mbrapsht .Nuk mund te vijne turistet ne nje plazh pa uje dhe drita,ne plazhe ku nuk mund te vendoset nje cader sipas qejfit,Turizmi ka deshtuar

  • dea

    Ne nuk kemi nje turizem te mirefillt edhe pse kemi bukuri natyrore te rralla, ne nuk kemi politika per turizmin, e mbi te gjitha ne nuk kemi kushtet per te pritur turistet e huaj.

  • klara

    Esi mund te flasesh per turizem ne shqiperi, ku ne bregdetin shqiptare ne zionen e pikur te sezonit verore, nuk ka uje, nuk ka drita…a mund ta imagjinoi nje turist i huaj qe vjen per te pushuar qe do te beje pushime ne nje vend ku nuk ka energji dhe uje te pishem…a quen pushime keto?

  • klaus

    Po te besosh shifrat e zedhenesit genjeshtar te qeverise INSTAT rezulton se shqiperia le pas saj ne turizem vende te tilla si Kroacia dhe Majorka,por shoqerite turistike dhe operatoret turistike privat u rezulton krejte ndryshe

  • ANA

    Shqiperina eshte e bekuar nga Zoti per poziten gjeografike qe ka po eshte e mallkuar me diktatorin Berisha qe nuk diti kurre gjate regjimit te tij 8 vjecar(vazhdim i regjimit komunist) te vleresonte Shqiperine dhe shqiptaret per ate qe vertete meritojne!!
    Eshte koha per rotacion!
    Eshte koha per RILINDJE!

  • Interisti Lindi

    Shqiperia eshte nje vend fantastik i bekuar nga zoti, por kur ska qeverisje normale qe keshtu do perfundoje, ne renie te lire per nga numri i vizitoreve turiste cdo vit! Sali Berisha nuk ka bere asgje per vendin tone ne ter keto vite, e ka rrenuar turizimin dhe prandaj nuk e meriton te vazhdoje te jete akoma kryeminister !

  • tomas

    Shqiperia eshte vend shume fantastik.por kur fillon dhe vetem shet dhe rrjep vendin normalisht qe do zbehet si vend.kshu qe duhet ndeshkuar me vote ky lloj monstre qe na qeveris.

  • O.R

    Nese quajm ata pak veta qe vijn ne shqiperi si sukses te turizmit, gje e madhe. Po mendoj se nuk ka turizem, turizmi tek ne ka degraduar dhe nevojitet nje plan konkret. Dhe mesa kam lexuar plan te detajuar nga programi i PS. Nuk quhen emigrantet turist, po kjo eshte metoda e qeverise, qe i llogarit emigrantet si turista.