Nis vlerësimi i Letërsisë, notat zbardhen më 12 qershor

Matura Shtetërore 

Vejsiu: Sivjet korrigjim i 4-fishtë. Maturanti të kërkojë vetëm fotokopjen e tezës 

Shpresa Mezini

matura 1Nis vlerësimi i tezave të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, provimit të parë të Maturës Shtetërore. Mbi 200 vlerësues, kanë nisur korrigjimin e provimeve që prej datës 3 qershor në 6 qendrat e vlerësimit, të pozicionuara në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë. Specialistët e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se afati për përfundimin e procesit të korrigjimit të tezave është 10 qershori, ndërsa zbardhja e notave ka gjasa të bëhet në datat 11-12 qershor.

“Jemi të kënaqur me zhvillimin e provimit të parë të maturës, Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe.

Procesi u zhvillua krejt normalisht, ndërsa nuk u shënua asnjë incident që do të mund ta pengonte atë. Duke iu referuar të dhënave të raportuara nga administratorët e maturës nuk rezulton asnjë maturant që ka mbajtur celularin në xhep apo nxënës që pengonin procesin. Përkundrazi gjithçka ka shkuar normalisht. Tentativa për kopje mund të ketë pasur, por nuk kemi dijeni. Mbetet që kjo të vërtetohet vetëm pas vlerësimit të tezave. Nëse korrigjuesit vërejnë që në pyetjet me zhvillim ka përgjigje identike mes 2 apo më shumë tezave, do të ketë penalizime në përputhje me rregulloren e maturës”, shpjegoi drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu.

Korrigjimi

Sipas tij, në Tiranë, duke qenë se numri i maturantëve është më i lartë krahasuar me atë të qyteteve të tjera, tezat korrigjohen në 2 qendra vlerësimi, ku regjistrohen mbi 100 korrigjues, ndërsa në Korçë, Fier, Elbasan dhe Shkodër vetëm nga 1 qendër.

“Ne synojmë arritjen e një procesi cilësor e transparent, që vlerëson të mirin dhe anasjelltas ndëshkon të dobëtin. Duke qenë se procesi i korrigjimit të provimeve është manual, jo elektronik, kërkon kohë, por edhe më shumë kujdes nga ana e vlerësuesve. Kështu që për ta arritur sa më mirë këtë kemi vënë në dispozicion 4 vlerësues, ndryshe nga viti i kaluar që ishin vetëm 3. Logjika është e njëjtë me atë të përvojave të mëparshme. Nëse korrigjimi i parë nuk korrespondon me të parin, ndërhyn vlerësuesi i tretë, ndërsa kur nuk korrespondon vlerësimi i 3 mësuesve, ndërhyn i katërti, që është shefi i tyre, i përzgjedhur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, AKP. Kjo mënyrë vlerësimi nuk lë mundësi për dyshime mbi vendosjen e notës, për këtë arsye maturanti nuk ka të drejtë të kërkojë rikorrigjim, përveçse fotokopje të tezës”, theksoi Vejsiu.

Pikët

Nxënësi do të marrë pikë edhe kur në përgjigjen e dhënë jep një shpjegim që nuk e përmban modeli i përgjigjes, por që komisioni i vlerësimit e gjykon atë si të saktë. Kjo është një nga pikat më të rëndësishme të procesit të maturës 2013, e pasuar nga ajo e vitit të kaluar, e cila rezultoi e suksesshme.

Nëpërmjet praktikës së re të vlerësimit synohet që nxënësit të mos i ulen pikë për përgjigjet që mund të mos jenë tekstualisht të ngjashme me përgjigjet që publikoi MASH, por që në thelb prezantojnë të njëjtën ide, ndonëse të formuluar ndryshe.

“Përgjigjet do të vlerësohen në bazë të argumentimeve individuale, jo sipas modelit “klasik”. Do të merren në konsideratë ato përgjigje që janë logjike dhe që i afrohen më tepër përgjigjes së saktë, jo tekstualisht alternativës që parashikohet te çelësi i përgjigjeve të MASH-it”, thonë specialistët e këtij institucioni. Sipas tyre, “ndryshimi” i skemës së vlerësimit erdhi si pasojë e analizës që i bëhet Maturës Shtetërore vit pas viti dhe dëshirës që ky proces të jetë i një standardi të lartë.

 

 

Afati

Mbi 200 vlerësues kanë nisur korrigjimin e tezave të letërsisë që prej 3 qershorit, proces që përfundon në 10 qershor

 

Qendrat

Provimet po vlerësohen në 6 qendra vlerësimi, të pozicionuara në Tiranë, Elbasan, Korçë, Fier dhe Shkodër

 

Formula

Te pyetjet me zhvillim do të vlerësohen përgjigjet që u përafrohen alternativave të MASH-it, jo vetëm identiket 

Autor te 6 Qershor 2013. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Cr7

    Kur do dalin kto notat se skemi asnji lajm deri tashi

  • taku

    Ku mund ti shikojme notat?

  • kot

    ku mund te shoh rezultatin e provimit

    • kot

      por sot jemi me 12 qershor. e di se kane dalur por nuk di te gjej noten