INSTAT dhe Shoqata e Bankave: Më pak investime dhe kredi se 2012-a. Vëmendja te zgjedhjet
Ashtu sikurse ka ndodhur edhe herë të tjera, në kohë fushatash, sidomos kur pritshmëritë janë për ndërrim pushtetesh, krijohet një vakum tek institucionet publike, duke prekur kështu edhe biznesin. Këta të fundit prej kohësh kanë stopuar planet e tyre të biznesit dhe tashmë konfirmohet se pjesa e vitit paraqitet tejet negative. E parë në dy aspekte, si në pjesën e investimeve në makineri dhe pajisje, ashtu edhe në atë të kredisë për investime, rezulton se sipërmarrja private po qëndron pezull në pritje të “ndryshimeve”.
Në fakt, të dhënat e certifikuara, të paktën për 4-mujorin e parë, tregojnë se ka një rënie të kreditimit dhe importit të makinerive dhe pajisjeve, periudhë kjo që përkon me vendimet e qeverisë për rishikimin e disa taksave, si heqjen e TVSH-së.
Kur pritej një reflektim optimist, biznesi po bën të kundërtën. Kështu, në periudhën janar-prill 2013, sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) shënohet një rënie e importit të makinerive dhe pajisjeve me rreth 8 për qind, në raport me vitin 2012, për të njëjtën kohë (janar-prill 2012).
Po për të njëjtën kohë, nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), regjistrohet një nivel kredie tepër e ulët, në rënie me afro 0.8 për qind në raport me 2012-n për të njëjtën periudhë. Kredia në rënie është për zërin makineri dhe pajisje, pra sipërmarrja private ka marrë më pak financime, për shkak të kushteve, nevojës etj., duke dëshmuar se klima e investimeve mbetet e paqartë.
Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë vëren me shqetësim se ekonomia po rritet nën potencial, pra ekzistojnë mundësitë për një zhvillim të Produktit të Brendshëm Bruto, por nuk po shfrytëzohen.
Pasiguria për të ardhmen, konsumi i ulët i individëve, si dhe të tjerë faktorë që lidhen me krizën e likuiditeteve, po krijojnë një rreth vicioz në ekonomi.
Në kohën kur partitë politike po kulmojnë me premtime për ulje taksash, çuditërisht biznesit nuk ndihet dhe aq optimist për të ardhmen dhe kjo vërehet në sondazhet e kryera nga Banka e Shqipërisë.
Duke analizuar taksat nga ku “prodhohen” të ardhurat për buxhetin e shtetit, kemi humbje të konsiderueshme në të gjitha drejtimet. Doganat i falen rentës minerare, pasi te taksat e tjera ka rënie, kurse tatimet te taksat e makinave (dhe karburantit bashkë me to), si dhe gjobave, me rritje 1000 për qind.
Në këto kushte, ekonomistët shikojnë me shqetësim se ku do të jetë ekonomia pas zgjedhjeve të 23 qershorit, në rast se do të zhvillohen në këtë datë. E keqja është se kriza politike mund të zgjasë edhe pas zgjedhjeve, madje ekspertët i shqetëson fakti i rrezikut të kaosit me kontestimin e rezultatit.
Në ambientet e sipërmarrësve të huaj dhe vendas qarkullojnë zëra për “ngrirje” të planit të investimeve, në pritje të rezultatit të zgjedhjeve. Sakaq, premtimet për uljen e taksave kanë hyrë në muajin e tretë, kurse efektet minus në buxhet llogariten në të paktën 25 miliardë lekë.
Të dhënat e përpunuara nga Ministria e Financave, për vitin 2012, së bashku me komentet përkatëse japin tjetër realitet nga fjalimet elektorale të Kryeministrit. Natyrisht, raporti i ministrisë është hartuar nga ekspertët që, edhe pse kanë pasur ndikimin (presionin) politik, e kanë pasur të vështirë të fshehin faktet negative të ekonomisë.
Administrata doganore ka mbledhur 128.4 miliardë lekë, 1.8 për qind më pak se parashikimi për 2012-n dhe vetëm 328 milionë lekë më shumë se një vit, me rritje pothuajse zero, thotë ministria. Sipas zërave të të ardhurave që mbledhin doganat, i vetmi zë me rritje është renta minerare në eksport, që është rritur mbi baza vjetore me rreth 60.2 për qind. Sipas Financave, rritja e të ardhurave nga renta ka ardhur “kryesisht si pasojë e rritjes së eksporteve të burimeve natyrore”, por në fakt, ministria nuk thotë se rreth dy vite më parë shkalla tatimore e rentës pësoi rritje, sikurse sistemi i taksimit ndryshoi. Sa i takon “reformës” tjetër, asaj të akcizës, që kaloi nga tatimet për te dogana, me synim “menaxhimin më efektiv të të ardhurave”, vërehet krejt e kundërta. Të ardhurat nga akciza në doganë rezultojnë me rënie 0.3 për qind kundrejt planit të rishikuar, kurse të ardhurat nga TVSH-ja në import janë 1.2 për qind ose 1.2 miliardë lekë më të ulëta se një vit më parë dhe 2.5 për qind më pak se parashikimi për periudhën 12-mujore.
Sa u takon Tatimeve, edhe pse drejtori i saj përpiqet të ndjekë këshillat e FMN-së, sërish vijojnë të performojnë negativisht, madje më keq se çdo parashikim. Kjo administratë ka mbledhur (përfshirë kontributet) 157.1 miliardë lekë, që do të thotë 1.1 për qind më pak të ardhura se 12-mujori i 2011-s ose 1,7 miliardë lekë më pak. Totali i të ardhurave tatimore (pa përfshirë kontributet) ishte për periudhën rreth 104.2 miliardë lekë, duke pasur një rënie prej 2.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë.
A.K.
Totali i të ardhurave tatimore ishte rreth 104.2 miliardë lekë, duke pasur një rënie prej 2.9%
Investimet
Sipas të dhënave për 4-mujorin e parë, importi i makinerive dhe pajisjeve kishte rënë me 8% në raport me 2012-n, për të njëjtën periudhë
Financimi
Biznesi po merr apo kërkon më pak kredi, pasi ky zë për të për pajisjet e nevojshme për investimi është 0.8% më pak se viti i kaluar