Finalja e ‘Top Fest 10’

top fest 10Ka mbërritur në finale Top Fest, festivali që mbledh zërat shqiptarë kudo që janë. Të shtunën mbrëma garimi përfundimtar dhe një spektakël me shumë surpriza, prezantuar nga Ledjon Liço dhe Marina e Luana Vjollca.

Ledjon Liço, prezantues: Fakti i të qenët në edicionin e dhjetë të Top Fest, edhe mua po të ma thoshe 10 vite më parë nuk do ta kisha besuar kurrë, aq më tepër si prezantues. Unë edicionin e parë e kam ndjekur edhe si publik, por edhe si pjesë. Pole Position ishte i lidhur në atë kohë me Top Fest dhe kam qenë i lidhur në një farë mënyre brenda, pastaj në edicionin e dytë në prapaskenë dhe bashkë me to çdo vit e çdo vit. Natyrisht që në këto 10 vite ka pasur këngë që kanë ndryshuar botën e brendshme të njerëzve dhe kjo të bën të ndjehesh mirë, ndaj edhe në spotin e këtij edicioni ne kemi dashur që t’i rikujtojmë edhe njëherë këto këngë në një mënyrë që çdokush e ka bërë, duke i kënduar në një moment të jetës së tij. Urojmë shumë që edhe pas 10 viteve, Top Fest të ketë të njëjtin impakt dhe besoj kjo do të shihet në natën e ndarjes së çmimeve ku unë do të jem përkrah dy bukurosheve motrave Vjollca.

Marina Vjollca, prezantuese: Do të ketë shumë më shumë për të dhënë, Top Festi dhe ne prezantuesit. Është i treti edicion që ne na besohet, ndjejmë shumë më shumë përgjegjësi dhe shpresojmë ta kurorëzojmë ashtu siç e meriton.

Luana Vjollca prezantuese: Do të vijmë edhe ndryshe këtë vit, do të ketë risi, do të vijmë siç nuk na keni parë ndonjëherë në fakt. Është viti i dhjetë dhe duhet të ketë gjëra që nuk janë parë ndonjëherë.

Një sërë tendencash muzikore edhe në këtë edicion të dhjetë.

Dorian Gjoni, udhëheqës muzikor: Tendencat janë sërish të afërta me vitet e shkuara, përgjithësisht që dominojnë, por edhe pop dhe rock që qëndrojnë. Ka edhe këngë radiofonike me ritmet verore me cilësi të mirë.

Një rrugëtim i gjatë dhe garim mes shumë artistësh.

Ergys Lubonja, autor: Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe jo i lehtë përreth 4 muaj. Kanë qenë rreth 160 këngëtarë në fazat e tjera ku nuk është kënduar live, por këngët janë masterizuar nga studiot përkatëse. Më pas faza gjysmëfinale ku për herë të parë rreth 39 këngëtarë kënduan live dhe për të ardhur në natën finale, me 13 këngëtarë, 9 çmime dhe çmimi i madh që do të jepet në një bashkërendim mes jurisë dhe publikut.

Sigurisht jo vetëm garim në mbrëmjen finale.

Ergys Lubonja, autor: Do të ketë shumë surpriza dhe të ftuar specialë. Surpriza jo të pakta. Besoj edhe dekori është krejt i veçantë këtë vit, shumë teknologjik dhe shpresojmë që t’i ofrojmë spektatorit një spektakël sa më të mirë.
8 qershor 2013 (gazeta-Shqip.com)/TCH

 

Autor te 8 Qershor 2013. ShowBiz. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry