Reagojnë suedezët: PD reklamon investimet që bëmë në Gjirokastër
Herion Mesi
Fushata elektorale e Partisë Demokratike shënon precedentin e radhës sa i përket përdorimit të investimeve të huaja në vendin tonë, duke i reklamuar ato si arritje të qeverisë shqiptare. Pasi përvetësoi si të sajat investimet rrugore të bëra nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin, tashmë pre e abuzimit elektoral nga pushteti, është bërë dhe restaurimi i shtëpisë monument të Babametove në Gjirokastër. Denoncimi është bërë nga vetë fondacioni suedez “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, i cili mundësoi këtë restaurim prej 160 mijë eurosh. Në një deklaratë për mediat, kompania suedeze në reagimin e saj shpreh indinjatën për këtë përdorim elektoral të Partisë Demokratike, të cilën e akuzon për përvetësim të punës së kësaj kompanie.
Deklarata
Duke shpjeguar rrugën e ndjekur për sigurimin e fondeve të nevojshme për të bërë të mundur restaurimin e shtëpisë-monument të Babametove në Gjirokastër, fondacioni “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, në deklaratën e tij, thekson se Partia Demokratike nuk mund të përvetësojë arritjet e këtij projekti! “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe të gjitha organet shtetërore që ishin partnerë në këtë projekt, duhet të krenohen me rezultatet e tij dhe rritjen e kapaciteteve që u gjenerua. Por Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe të gjitha strukturat e saj nuk mund të njësohen me Partinë Demokratike. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe të gjitha strukturat e saj i shërbejnë vendit duke përfaqësuar interesin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, besimit, moshës, orientimit seksual, gjinisë apo kombësisë”, thuhet në deklaratën e djeshme të kompanisë. Duke vijuar më tej, specialistët suedezë theksojnë se trashëgimia kulturore nuk ka ngjyrime partiake, por ajo është një pasuri e përbashkët e mbarë njerëzimit. “Trashëgimia kulturore është një pasuri e përbashkët dhe si e tillë na përket të gjithëve, pavarësisht bindjeve demokratike, socialiste, republikane, apo të ndonjë partie tjetër në Shqipëri, ashtu siç duhet të jetë përbashkët përgjegjësia për mbrojtjen e saj”, thuhet në deklaratë.
Restaurimi
Përpjekjet restauruese për shtëpinë monument të Babametove në Gjirokastër u ndërmorën nga fondacioni “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” dhe partnerët e saj në Shqipëri si: Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Zyra për Administrimin e Qendrës Historike të Gjirokastrës dhe Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Qytetit të Gjirokastrës (GCDO). Procesi i matjes dhe dokumentimit, si dhe zhvillimi i gjithë projektit restaurues, shërbeu si trajnim për arkitektë e restaurues. “Investimi final kap shifrën e 160 000 eurove, pjesa më e madhe e të cilit u mundësua nga Bashkëpunimi për Zhvillim me Suedinë, si dhe falë një kontributi më të vogël nga Packard Humanities Institute, nëpërmjet GCDO-së. Falë Bashkëpunimit për Zhvillim me Suedinë u siguruan dhe 12 000 euro shtesë, të cilat shërbyen për kthimin e monumentit të porsarestauruar në një hostel, i cili përfshin, gjithashtu, dhe hapësira gjysmëpublike, të gatshme për t’u dhënë me qira për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore”, sqaron fondacioni suedez “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, në reagimin e djeshëm ndaj përdorimit elektoral nga Partia Demokratike të punës së kësaj kompanie.
Detaj me foto
Shtëpia e Babametove
Përpjekjet restauruese për shtëpinë monument të Babametove në Gjirokastër u ndërmorën nga fondacioni “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” dhe partnerët e saj në Shqipëri. Investimi final kap shifrën e 160 000 eurove, pjesa më e madhe e të cilit u mundësua nga Bashkëpunimi për Zhvillim me Suedinë, si dhe falë një kontributi më të vogël nga Packard Humanities Institute, nëpërmjet GCDO-së