Xhorxh Uashingtoni, revolucionari i mirë

Bota pati shumë udhëheqës që rrëzuan regjime të fuqishme, por njëri prej tyre, drejtuesi i revolucionit amerikan, ishte njeriu pragmatik që bota vijon t’ia ndiejë mungesën. Ai qe revolucionari që hoqi dorë nga pushteti pasi mposhti tiraninë

Leksington

The Economist

Në pronën e George Washington në Virxhinia, sot muze, gjendet një galeri me portretet e udhëheqësve revolucionarë që në fund u bënë keqbërës. Jul Cezari, Oliver Kromuell dhe Napoleon Bonaparti, janë tre heronj që rrëzuan tiranitë vetëm për të rrëmbyer pushtet absolut për vete menjëherë pas fitores. Xhorxh Uashingtoni (George Washington) ishte ai që bëri diferencën dhe kjo është e mirënjohur. Në tregimet zanore dhe filmike të përgatitura për fëmijët, muzeu në Malin Vernon jep mesazhin se kryekomandanti i revolucionit amerikan dhe Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara pati një gjenialitet që mbijetoi edhe shumë kohë pasi ai u largua nga kjo botë. Ekspozita tregon se si ai dorëzoi postin e komandantit ushtarak, pasi i mposhti britanikët. Aty gjendet edhe karrigia në të cilën ai vendosi të tërhiqet si president, dhe kjo konsiderohet si një pasuri kombëtare. Ekspozita tregon më tutje se virtyti më i lartë i Uashingtonit, më i madh sesa vetë suksesi i tij në fushëbetejë, ishte pikërisht fakti se e dinte se kur duhej të tërhiqej, gjë që i garantoi vendit të tij një të ardhme të sigurt si republikë civile.

Ka diçka të rëndësishme këtu: gjatë karrierës së tij, vetësakrifikimi ishte tipari i tij. Ai qe i gjatë, i shëndoshë dhe i rëndë më shumë sesa udhëheqësit e tjerë. Ai vazhdimisht deklaronte se nuk dëshironte gjë tjetër veçse të tërhiqej poshtë pemëve të kopshtit të vet në pronën në Virxhinia.

Por fakti është se Uashingtoni ishte edhe një politikan. Megjithëse ata e kanë vënë fytyrën e tij te dollari dhe bustin mbi piedestale të pafundme, amerikanët duket se e kanë harruar këtë fakt. Mitologjia për Presidentin e parë errëson leksionet që ai mund të ketë për banorët e sotëm të qytetit që mban emrin e tij.

Dhe kjo është e turpshme. Në politikën e sotme, viti 1776 ndihet sikur të ishte pesë minuta më parë. Nuk është thjesht nga mitingjet e konservatorëve që mbajnë kapelat e kohës. Fjalimet e republikanëve mbartin sot plot paralajmërime nga Madison mbi nevojën për të reaguar përballë fuqive të qeverisë, për sa kohë njerëzit nuk janë të sunduar nga engjëjt. Xhefersoni, (Jefferson), si një radikal i qeverisë së vogël, është një hero i së djathtës liberale. Ortaku në garë i Mitt Romney në fushatën e vitit 2012, Paul Ryan, e ndërtoi fushatën e vet mbi leksionet e Xhefersonit duke theksuar se të drejtat e amerikanëve vijnë nga Zoti dhe natyra, jo nga qeveria.

Nga e majta, liritë civile huazojnë gjithashtu shumë nga Xhefersoni, duke cituar urrejtjen e tij për censurën, si dhe armiqësinë për religjionin e financuar nga shteti. Vetë Uashingtoni citohet rrallë.

Megjithatë, ai ka mendime të vlefshme edhe për sot dhe vendosi precedentë që vijojnë të ndihen. Si edhe udhëheqësit e tjerë ushtarakë që hyjnë në politikë, ai ishte shumë i kujdesshëm në lidhje me sigurinë kombëtare dhe i frikësuar nga lufta. Ai favorizonte neutralitetin në vend të aleancave të përhershme dhe fushatave ushtarake jashtë vendit. Ai ishte konservator nga pikëpamja fiskale, duke e nxitur vendin e tij të shpenzojë dhe të marrë hua me kujdes dhe jo të ngarkojë me borxhe gjeneratat e ardhshme. Por ndryshe nga liberalët e ditëve tona, ai nuk e urrente taksimin; ai e quante atë të pakëndshëm, por të domosdoshëm. Si President ai dërgoi 13 mijë njerëz të milicive për të shtypur një kryengritje kundër taksave nga fermerët e uiskit.

Ai kishte edhe vanitetin dhe hipokrizitë e veta. Një vizitor i parregullt në kishë, ai nxiti religjionin për të tjerët si një mënyrë për të rritur moralin. Në lidhje me skllavërinë, të keqen e madhe të kohës së tij, ai luajti “liro dhe shtrëngo”. Si një fermer zotëri, ai u kujdes që skllevërit e tij të lirohen, por vetëm pas vdekjes së tij dhe të bashkëshortes së tij. Si politikan i shqetësuar për unitetin kombëtar, ai ishte i gatshëm të shtynte për më vonë abolicionin e skllavërisë.

Shumë përpara thirrjes së Barack Obama-s për amerikanët për të shmangur ndarjen në shtete blu dhe të kuqe (demokratë dhe republikanë), Uashingtoni pa me tmerr politikën me parti. Por pak a shumë si Obama, neutraliteti i Presidentit të parë qe disi mashtrues. Ai qeverisi një Amerikë të ndarë mes mbështetësve të lirive individuale dhe të drejtave të shteteve dhe atyre që mbështesnin një përqasje më kolektive.

Uashingtoni anoi nga autoriteti federal, duke i nxitur qytetarët ta shohin qeverinë si “ne” dhe jo si një fuqi e largët e tiranike “ata”.

Mbajtësit e flakës në Malin Vernon kanë një plan për të rikthyer Uashingtonin si politikan në vëmendjen e amerikanëve sot. Pranë shtëpisë së tij të madhe me kolonada po ndërtohet ajo që ata e quajnë “biblioteka presidenciale”, në stilin e 13 bibliotekave presidenciale që shërbejnë si arkiva, institute mendimi dhe kulte të ish-shefave të Amerikës, një traditë e filluar nga Frenklin Rusvelti (Franklin Roosevelt). Kjo bibliotekë do të hapet në shtator dhe do të jetë teknikisht një “Bibliotekë Kombëtare”, duke reflektuar statusin e Malit Vernon si një muze privat i pafinancuar nga qeveria.

Por krijuesit po mendojnë për ta promovuar heroin e tyre në mënyrë “agresive”. Studiuesve po u ofrohet akses i paprecedentë në dokumentet e Uashingtonit, ndërsa shkrimtarëve po u ofrohen shërbime në tokat përreth muzeut. Interesi publik është rritur me një kopje me shënimet e Uashingtonit, të Kushtetutës dhe të akteve të para të Kongresit, të cilat janë në ekspozim. Udhërrëfimi në muze është dizajnuar në mënyrë të tillë që të krijojë një lidhje mes Uashingtonit dhe bibliotekës së tij.

Shpëtimi i Uashingtonit nga piedestali

Vetëm 20 kilometra më tutje lumit Potomak nga Kapitoli, prona është një vend i këndshëm për reflektim bipartizan, thotë Presidenti i Malit Vernon Curt Viebranz. Në një eksperiment fillestar, një grup prej tetë senatorësh, katër republikanë dhe katër demokratë, shkuan në Malin Vernon në tetor 2012 për të medituar mbi planin e reduktimit të deficitit që duhej të ishte i pranueshëm për të dyja palët, por bisedimet nuk sollën rezultat. Takime të tjera të tilla politike janë planifikuar.

Uashingtoni parashikoi se partizanët do të përpiqen t’i vendosin amerikanët përballë njëri-tjetrit, duke lejuar një “minoritet sipërmarrësish” të rrëmbejnë vullnetin e deleguar të kombit. Megjithatë, në lamtumirën si President ai tha se amerikanët kanë sjellje të përbashkëta themelore, vese dhe parime politike.

Pati një duhmë paternalizmi në mendimet e ushtarit të moshuar. Por në pikëpamje më të gjerë, ai kishte të drejtë. Amerikanët shpesh janë më të bashkuar sesa pretendojnë politikanët. Një dozë nga fryma e Presidentit të parë do t’i bëjë mirë Uashington DC-së.

 

 

Autor te 10 Qershor 2013. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry