MUSTAFA NANO


Mustafa NanoKryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, është kthyer nga një vizitë në Afrikë, dhe ka gjetur në vendin e vet po atë situatë që kish lënë me shpresën se, kur të kthehej, gjakrat do ishin ftohur dhe se njerëzit që kishin pushtuar sheshet duke protestuar kundër tij do ishin lodhur e shkurajuar. Madje, protestuesit i ka gjetur më të motivuar e më të shumtë. Ka me mijëra të rinj që janë bërë pjesë e manifestimeve. Janë të rinj që po protestojnë për herë të parë në jetën e tyre, dhe këtë herë të parë e kanë kundër atij që, deri para pak muajsh, po shihej nga shumëkush, ndoshta dhe nga vetë ai, si Atatarku i ri i kohëve moderne. Nëpër rrugë, në një solidaritet të çuditshëm janë shfaqur dhe tifozët e skuadrave rivale të futbollit. Janë ngrënë nëpër stadiume e do vijojnë të hahen, por kanë vendosur të jenë tok në këtë protestë, që nisi kundër vendimit të qeverisë për të ngritur një qendër gjigande tregtare në një park të Stambollit, dhe që po transformohet në një lëvizje kundër prirjeve të qarta autoritariste dhe kundër prerjes ca si shumë islamike të qeverisë së Erdoganit.


Ajo që po ndodh në Turqi këto ditë ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Ca e ca, duke kërkuar referenca të guximshme e dramatike historike, po flasin për një pranverë turke, e ca e ca të tjerë po flasin për një lëvizje që mund të marrë formën e protestave të ‘68 në Francë, apo të një lëvizjeje emancipuese, apo të një revolucioni kulturor, apo …. Dhe ndoshta krahasimet, edhe pse çalojnë, nuk janë pa gjë. Nëpër rrugët e qyteteve të Turqisë kanë dalë njerëz që këndojnë, që kërcejnë tango, që puthen e përqafohen, dhe kjo duket se është një ngjarje e paprecedentë në Turqinë moderne. Kanë dalë të rinj, dhe më në fund kanë dalë vajza e gra, besimtare e ateiste, me shami e pa shami në kokë, e të gjithë janë bërë tok nga bezdia prej një autoriteti (kryesisht qeveria e Erdoganit) që po e shtrin ndikimin prej vitesh në mënyrë kapilare e të frikshme në shoqërinë e në institucionet shtetërore e publike të Turqisë moderne.


Reagimi i qeverisë, posaçërisht Erdoganit, është një provë e qartë se Turqia nuk është një demokraci liberale. “Qeveria mund ta humbasë durimin”, është shprehur Erdogani me të mbërritur në aeroport në përfundim të vizitave në Afrikën Veriore. Kjo është shprehje, që nuk mund ta thotë asnjë kryeministër i një vendi serioz demokratik në botën e sotme. Si mund ta humbka durimin një kryeministër apo një qeveri? Çfarë do të bëjë me ta humbur durimin? Do t’i ndëshkojë demonstruesit në sheshe? Po kush e vendos këtë? Është kryeministri që e vendos masën e momentin e ndërhyrjes? Është kryeministri ai që mund t’i urdhërojë forcat e sigurisë dhe policët të veprojnë dhunshëm e egër, pasi “atij i ka humbur durimi”?


Kjo shprehje pra tregon se atje nuk është ligji dhe institucionet në mbrojtje të ligjit që vendosin, por është qeveria. Fraza “qeveria mund ta humbasë durimin” mua m’u soll në mendje në një version më rrugaç e më provincial. M’u kujtuan ditët pas 21 janarit 2011, kur kryeministri ynë, në Parlament, përballë deputetëve të vet, teksa ish duke denoncuar grushtin fantomatik të shtetit, “e humbi durimin”, iu drejtua kundërshtarit të tij politik nëpërmjet kamerave televizive, si të ish duke folur tête-à-tête me të në mes të një sherri mëhalle, dhe i tha: “Provoje dhe një herë të protestosh përpara Kryeministrisë, dhe kam për të të ndëshkuar mú siç ndëshkohet një horr”. Erdogani nuk e tha një gjë të tillë, dhe është afërmendsh që nuk mund ta thotë (Turqia nuk është Shqipëria dhe Erdogani nuk është në derexhé të Berishës), por fraza e tij medemek më elegante buron prej së njëjtës mendësi, sipas së cilës “është ai, kryeministri, njeriu i zgjedhur nga shumica, që vlen më shumë se të gjitha institucionet dhe ligjet e shtetit, dhe që e di mirë se deri ku mund të shkojnë të tjerët, që i njeh mirë interesat vitale të Turqisë, që nuk mund të lërë askënd të tallet apo të lozë me këto interesa, që nuk mund ta tolerojë karshillëkun e disa mijëra vetëve, që nuk mund ta durojë pa fund protestën e frymëzuar nga qarqe të huaja e të organizuar nga ekstremistë të brendshëm, etj.”.


Dhe në këtë mes, ai bëri dhe një gjest më të rëndë e të rrezikshëm. Bëri një gjest në stil despoti. Problemin që ekziston mes tij e protestuesve, ai po kërkon ta shesë si një problem që ekziston midis protestuesve terroristë dhe “shumicës së heshtur” të Turqisë. Shkurt, ai po kërkon t’i ikë përgjegjësisë duke u futur në një rrugë qorre, duke ndezur fitilin e luftës civile. Çdo kryeministër normal do të kërkonte një zgjidhje nëpërmjet negociatash, do kërkonte pjesëmarrjen e institucioneve të tjera në këtë duel (Presidenti Abdullah Gul është bërë i gjallë duke e kërkuar një rol zbutës e neutral në këtë histori), ndërsa Erdogani e ka gjetur zgjidhjen duke ftuar turqit e tjerë që t’u tregojnë vendin “vandalëve” që djegin e plaçkitin. Për fundjavën tjetër ka planifikuar dy manifestime të mëdha në Stamboll e në Ankara, ku me siguri pjesëmarrja ka për të qenë spektakolare. Regjimet dinë të bëjnë manifestime të tilla, që janë provë e forcës së tyre putative.


Çfarë ju kujton kjo? Menjëherë pas 21 janarit, kur e pa veten ngushtë, Berisha nxori atout-në e vet nga mënga (është atout-ja e çdo despoti të papërgjegjshëm, që s’e ka për gjë të fusë farën e konfliktit mes popullit të vet për të shpëtuar veten). “Do të organizojmë mitingun e madh të paqes”, tha ai. Caktoi datën dhe u bëri thirrje të vetëve që të mobilizoheshin vetë e të mobilizonin të tjerët për të treguar se “ky vend kishte zot shumicën e heshtur”. Thirrja për atë miting, që më pas nuk u bë (për “kënaqësinë” e ambasadorit amerikan që në atë rrethanë zbuloi “burrin e madh të shtetit” pikërisht tek njeriu që donte ta fuste vendin në luftë civile) ishte një thirrje e frikshme. Organizimi i atij mitingu ishte një përpjekje për ta transferuar konfliktin, nga një konflikt midis qeverisë e popullit në një konflikt midis popullit e popullit.


Këtë po bën dhe Erdogani. Duket se, me “të drejtën që i jep fakti se është i zgjedhur dhe i mbështetur nga shumica”, është i vendosur t’i shkojë deri në fund të vetës, e nëse qëllon që dhe protestuesit të jenë po aq të vendosur, atëherë Turqisë do t’i kanoset spektri i luftës civile.


Për Turqinë nuk po fryjnë erëra të mira.