Llalla “dorëhiqet” nga drejtor i Hetimit

Në gjashtëmujorin e parë të punës, u fokusua në ndryshimin e stafit, jo në dosjet konkrete

Lëvizjet 

Adriatik Llalla - Ka lënë Drejtorinë e Hetimit dhe është fokusuar totalisht te detyra e Prokurorit të Përgjithshëm

Adnan Xholi - Emërohet në postin e drejtorit të Hetimit, më parë ka qenë në sektorin “antimafie” te Krimet e Rënda

Rovena Gashi - Emërohet në postin e Drejtores së Marrëdhënieve me Jashtë. Më parë ka qenë në Prokurorinë e Tiranës

Madrit Kullolli - Në sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, strukturë që varet drejtpërdrejt nga Llalla

Binaj e Shahu - Janë emëruar si prokurorë gjyqësorë, do përfaqësojnë Prokurorinë e Përgjithshme në Gjykatën e Lartë

Arqile Koça - Do të drejtojë Drejtorinë Gjyqësore dhe të Mbikëqyrjes së Vendimeve Penale dhe Vuajtjes së Dënimit

Adriatik LlallaKryeprokurori Adriatik Llalla ka dhënë “dorëheqjen” nga një prej dy posteve në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Para gjashtë muajve, ai u emërua nga Kuvendi si kryeprokuror i vendit, duke marrë votat e mazhorancës dhe abstenimet e opozitës, ndërsa veprimet e para të tij, ashtu siç ndodh në të gjitha institucionet shqiptare, ka qenë ndryshimi i stafit. Menjëherë sapo mori detyrën, u kërkoi dorëheqjen një sërë drejtuesve në akuzën qendrore, madje edhe drejtorit të Hetimit, Sokol Stojanit. Ky i fundit hezitoi për një moment, por duke parë këmbënguljen e Llallës, u detyrua të “dorëhiqej”. Më pas, në disa dalje publike, por edhe me shkresa për prokuroritë e rretheve dhe apeleve, bëri me dije se do të mbante edhe postin e drejtorit të Hetimit. Për nga rëndësia ose edhe nga hierarkia, drejtuesi i këtij posti, është “de jure” edhe numri dy i organit qendror të akuzës. Rrjedhimit, Llalla, gjatë këtyre muajve, ka qenë numri një dhe dy i prokurorisë. Dje, pas “ngarkesës së madhe”, ka dhënë dorëheqjen nga drejtori i Hetimit, duke ia pasuar këtë detyrë prokurorit Adnan Xholi, që vjen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Sipas një vëzhgimi, në këta muaj, kryeprokurori është marrë kryesisht me ndryshimin e stafit, ndërsa ka “harruar” të merret me hetimin e çështjeve penale ose analizimin e tyre. Pa dashur ta paragjykojmë, kujtojmë këtu se drejtori i Hetimit merret personalisht me çështje madhore ose me ato që kanë interes publik. Analizon provat dhe vendos për fillimin e hetimeve ose edhe përfundimin e tyre. Në këta muaj, ku Llalla ka qenë “drejtor” i Hetimit, kanë filluar vetëm disa procedime penale madhore, të cilat mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Janë filluar hetimet për “pallatin e Linda Bashës” ose kanë filluar hetimet për privatizimin e “Albpretrol”. Ndërkohë që prokuroria ka përfunduar hetimet për presidentin e skuadrës së futbollit të Besës së Kavajës, që akuzohet për paracaktimin e rezultateve sportive. Ndërkohë, që ka shumë pikëpyetje për disa nga procedimet penale në fushën e vrasjeve, ku, gjatë muajve të fundit, kanë ndodhur dhjetëra raste. Në Tiranë janë të pazbuluara disa akte kriminale, ku evidentohet se nuk ka një bashkëpunim të mirëfilltë midis policisë dhe prokurorisë. Policia evidenton se shumë nga ngjarjet kriminale kanë lidhje me njëra-tjetrën, madje bëhen edhe për hakmarrje. Ekzistojnë disa grupe, që dyshohet se kanë konflikte me njëra-tjetrën, dhe sërish nuk ka një hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që mund t’i “mbledhë” të gjitha këto procedime penale në një dosje të vetme. Këtë “seleksionim” mund ta bënte drejtori i Hetimit, siç mund të bënte të njëjtën gjë për vrasjet në seri në Elbasan. Atentatet mafioze kanë “lulëzuar” edhe në rrethe, ku vetëm në Shkodër, që nga marrja e postit nga Llalla, numërohen rreth 5 ngjarje kriminale, ku autorët nuk janë zbuluar ose të jenë arrestuar. Të gjitha këto ngjarje, bazuar në informacionet e policisë, kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ato mund të hetoheshin si bandat e “Aldo Bares”, apo bandat e Durrësit, të cilat u hetuan dhe gjykuan te Krimet e Rënda. Madje morën edhe dënimin maksimal, me burg përjetë, në një kohë që individë të veçantë në rrethe, që akuzohen për vrasje, dënohen në mënyrë “qesharake” në gjykatat e rretheve më pak se 10 vite burg.

Krahas vrasjeve në seri, në Tiranë kanë ndodhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale, si ekzekutimi i kryekomisar Dritan Lamajt dhe krimet e monstrës Ardian Prenjasi. Për këtë të fundit, akuza ka faktuar vetëm abuzimin me të miturin, ndërsa ende nuk ka prova për zhdukjen e Julian Çelës, djalit 10-vjeçar të nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH. Për vrasjen e Lamajt, sërish ka shumë dyshime në provat e mbledhura, ku i dyshuari kryesor i kësaj ngjarjeje, Arben Frroku, mbahet në burg deri më tani vetëm për disa telefonata që ka bërë. Akuza pretendon se ka prova të reja, por në Greqi ka nisur vetëm indicie.

Tashmë, të shohim sesi do të funksionojë Drejtoria e Hetimit, kur në krye ka prokurorin Adnan Xholi, që në fakt ka drejtuar një sërë hetimesh te Krimet e Rënda. Ai ka qenë edhe në sektorin “Antimafia” dhe rezultatet kanë qenë të kënaqshme.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se dje janë prezantuar drejtorët e rinj në akuzën qendrore. Krahas Xholit, janë prezantuar Rovena Gashi, Madrid Kullolli, Altin Binaj, Alma Muça dhe Kudusi Shahu. Mësohet se Kullolli do të drejtojë Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit. Kjo strukturë do të ketë varësi të drejtpërdrejtë nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili e ka prezantuar si prioritet të mandatit të tij luftën kundër korrupsionit. Prokurorja Rovena Gashi do të drejtojë Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë. Gjithashtu, prokuror Arqile Koça, i cili ka ushtruar funksionet në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale tashmë do të drejtojë Drejtorinë Gjyqësore dhe të Mbikëqyrjes së Vendimeve Penale dhe Vuajtjes së Dënimit. Red.Akt

Autor te 11 Qershor 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry