“Jepen shumë premtime, por çfarë na ‘leverdis’ të realizohet nga qeveria e re!”
ARD KOLA
Kushdo qoftë forca politike që do të jetë në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit, do të gjejë mbi tryezë një draft-marrëveshje të hartuar nga disa shoqata biznesi. Partitë politike janë duke premtuar shumë kohët e fundit, duke tejkaluar çdo imagjinatë të logjikës ekonomike, edhe pse kanë realizuar disa herë takime të përbashkëta me grupet e interesit.
Që të mos japin premtime pa vlerë (efekt), vetë shoqatat e biznesit, të drejtuara nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, hartuan 25 propozime, të ndara në dy drejtime: rishikimin e politikave fiskale (taksat); dhe promovimin e vlerave (konkurrueshmëria).
Me hartimin e paketës, shoqatat kanë hedhur hapin e dytë, duke përgatitur edhe marrëveshje bashkëpunimi me forcën politike që do të drejtojë vendin pas zgjedhjeve. Ashtu si propozimet i kanë shkuar secilës forcë politike, po ashtu edhe marrëveshja i është vënë në dijeni, me komunikim zyrtar, me qëllimin që të “nesërmen” X kryetar qeverie të dijë se çfarë kërkon dhe si duhen realizuar kërkesat dhe bashkëpunimi me biznesin.
Taksat
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe kryesia e saj në bashkëpunim me aktorë të tjerë të sipërmarrjes private, e ndiejnë si një detyrim respektimin e rolit që ka sipërmarrja private në zhvillimin e ekonomisë shqiptare”, shprehet Nikolin Jaka. Duke e trajtuar në këtë kontekst, biznesi kërkon përfshirjen në programin e formacioneve politike që aspirojnë mandatin e ardhshëm qeverisës, disa kërkesa që lidhen me rishikimin e taksave dhe marrjen e masave sa i takon likuiditetit.
Në top-listën e kërkesave qëndron shlyerja e detyrimeve të qeverisë ndaj sipërmarrjes private në të gjitha fushat e ekonomisë, ku ekziston kjo marrëdhënie. Në vend të dytë është rimbursimi i TVSH-së, akcizave, si dhe të gjithë taksave të tjera që buxheti i shtetit mund t’i ketë sipërmarrjes private gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj brenda afatit tremujor.
“Hapja e bankës ekonomike për zhvillim me fokus kreditimin e sipërmarrjes private me tarifa të reduktuara”, është një tjetër kërkesë interesante, që kërkon ndoshta vëmendjen e duhur. Prej vitesh diskutohet hapja e një banke për sektorin privat, e menaxhuar nga shteti, por vetëm për bujqësinë, kurse biznesi po e shikon si mundësi që të përfitojnë edhe të tjerë.
Promovimi
Biznesi u ka paraqitur formacioneve politike disa kërkesa që lidhen edhe me promovimin. Kështu, në vend të parë nga propozimet është hartimi dhe përgatitja e menaxhimit territorial duke përcaktuar qartë sektorët prioritarë të ekonomisë së vendit për investim dhe zhvillim. “Përjashtimi nga tatim-fitimi dhe dividenti për tre vitet e para për sipërmarrjet e reja”, është një tjetër kërkesë që në fakt nuk është trajtuar nga politika në premtimet e kësaj fushate.
Biznesi kërkon që çdo akt normativ apo urdhër që cenon aktivitetin e sipërmarrjes private të konsultohet paraprakisht jo më pak se gjashtë muaj me grupet e interesit.
Sa i takon punësimit, propozimet konkrete janë dy: rimbursimi i çdo punësimi të ri në sipërmarrjen private për tre muaj nga ana e qeverisë, dhe heqja e ngarkesës fiskale mbi pagat për çdo punësim të ri për një periudhë trevjeçare, me kusht që afati i kontratës të jetë jo më pak se gjashtë vjet, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga Kodi i Punës për zgjidhjen e kontratës.
“Qeveria e re”
I cilësuar si pakti i dakordësisë për kërkesat dhe sugjerimet e biznesit, ai ka për objekt zyrtarizimin dhe formalizimin e një bashkëpunimi të gjatë dhe të qëndrueshëm, mes subjekteve politike pretendente për mandatin e ardhshëm qeverisës dhe shoqatave të biznesit, përfaqësuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
Në nenin 2 të paktit thuhet se, “Partia politike ose koalicioni qeverisës, i cili do të rezultojë fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe që ka pranuar kushtet e paktit të dakordësisë, merr përsipër detyrimin të zbatojë kërkesat dhe sugjerimet e paraqitura në projektpropozimin e hartuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe shoqatat e biznesit, si dhe çdo sugjerim, propozim që i shërben dialogut publik-privat”.
Kurse në nenin 6 nënvizohet se: “Subjekti politik, i cili rezulton fitues nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013, merr përsipër evidentimin dhe zbardhjen e të gjitha detyrimeve që buxheti i shtetit i ka sipërmarrjes private dhe i shlyen këto detyrime brenda një afati 6-mujor, duke filluar nga dita e parë e mandatit qeverisës”.
Kryesore
Kërkesat për programet elektorale dhe zbatimi nga qeveria e ardhshme
1. Shlyerja e detyrimeve të qeverisë ndaj sipërmarrjes private në të gjitha fushat e ekonomisë ku ekziston kjo marrëdhënie.
2. Rimbursimi i TVSH-së, akcizave, si dhe të gjitha taksave të tjera që buxheti i shtetit mund t’i ketë sipërmarrjes private gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj brenda afatit 3-mujor. Kjo të realizohet duke bërë ndërhyrjet e nevojshme ligjore.
3. Heqja e barrierave dhe taksave të fshehura që pengojnë promovimin e produkteve “Made in Albania” për eksport.
4. Heqja e sistemit të referencave ndaj sipërmarrjes private për import-eksport me të gjitha vendet e BE-së.
5. Heqja e sistemit të referencave ndaj sipërmarrjes private në sistemin fiskal.
6. TVSH-ja jo më e lartë se 10 për qind për produktet bujqësore, blegtorale vendase, si dhe shërbimet turistike.
7. Hapja e bankës ekonomike për zhvillim me fokus kreditimin e sipërmarrjes private me tarifa të reduktuara.
8. Heqja e TVSH-së për të gjitha makineritë dhe pajisjet që i nënshtrohen skemës së rimbursimit të TVSH-së dhe që i shërbejnë aktivitetit të sipërmarrjes private.
9. Aplikimi i TVSH-së në të gjithë qarkullimin tregtar, duke hequr kufirin e ndarjes së bizneseve.
10. Platformë e qartë lidhur me trajtimin e kredive të këqija deri në ngrirjen e tyre për një afat dyvjeçar.
11. Lidhur me transportin rrugor kërkohet:
a. Heqja e TVSH-së për abonentë dhe biletat.
b. Heqja e akcizës për karburantin.
c. Rimbursimi në kohë i transportit të të gjitha kategorive të qytetarëve që përfitojnë me ligj fiskal këtë shërbim.
d. Rishikimi i çmimit të biletës urbane duke përdorur metodën e krahasimit me vendet e rajonit (Maqedoni, Mali i Zi, Kosovë).
12. Heqja e TVSH-së për të gjithë artikujt që shërbejnë si lëndë e parë për prodhimin e plastmasit dhe produkteve të tjera që janë në shërbim të sektorit bujqësor.
Financa
Ulja e normës bazë nga guvernatori është reflektuar vetëm tek ankandet e bonove
Interesat e kredive, politikat e BSH-së “favorizojnë” qeverinë
Ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, gjashtë herë nga muaji shtator 2011, duke e çuar në 3.75 pritej me optimizëm nga biznesi, shpresohej se do të reflektonte në kostot e kredive. Realiteti tregon të kundërtën, të paktën duke vështruar dhe krahasuar interesat e borxhit që merr qeveria te bankat e nivelit të dytë me ato të sipërmarrjes private për nevoja të ndryshme.
Kështu, yield-i (interesi) i bonove të thesarit shënoi një ulje të mëtejshme në ankandin zhvilluar këtë të martë (dje), ku u shitën 13.3 miliardë lekë bono thesari. Sipas rezultateve të publikuara nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar për bonot me afat maturimi 12-mujor ishte 5.59 për qind, nga 5.73 për qind në ankandin e mëparshëm.
Për bonot 6-mujore, yield-i zbriti në 5.51 për qind, nga 5.79 për qind që ishte në ankandin e mëparshëm. Kërkesa e lartë për të blerë bono thesari (shuma e kërkuar ishte gati 19 miliardë lekë, nga rreth 13 miliardë lekë, që ishin bono në shitje) është një nga arsyet kryesore që po ndikon në uljen e kostos së financimit të qeverisë.
Pavarësisht agresivitetit të politikës monetare të bankës qendrore, me kah lehtësues, kosto e kredisë në lekë nuk është ulur me të njëjtat ritme. Në mars 2013, normat e kredisë në lekë ishin pothuajse sa në gusht 2011. Edhe në prill 2013, kredia në lekë është vetëm 0.24 pikë përqindje më e lirë se në shtator 2011.
Ndërkohë, muajt e fundit bankat po i investojnë paratë e tyre të lira në blerjen e bonove të thesarit, duke lënë mënjanë financimin e ekonomisë. Vendosjet në letrat me vlerë të qeverisë nga bankat u rritën me 4 për qind në fund të marsit 2013 (apo 14 miliardë lekë), në raport me dhjetorin 2012, ndryshe nga kredia për ekonominë, që u rrit me 0.1 për qind (apo rreth 365 milionë lekë) për të njëjtën periudhë.
Në mars 2013, normat e kredisë në lekë ishin pothuajse sa në gusht 2011, konfirmojnë të dhënat