Amfiteatri i Durrësit, në krye të 7 monumenteve të rrezikuara në Europë

Organizata e njohur europiane në fushën e trashëgimisë kulturore “Europa Nostra”, thotë se “Amfiteatri i Durrësit, perla e trashëgimisë, është e kërcënuar edhe nga mungesa e burimeve financiare, shkaqet natyrore dhe neglizhenca”

Amfiteatri i DurrësitAmfiteatri i Durrësit është renditur në krye të shtatë monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Europë. “Europa Nostra”, rrjeti europian për ruajtjen e trashëgimisë, është mbledhur dje në Athinë, ku ka diskutuar mbi gjendjen e siteve kulturore në terrenin europian. Amfiteatri romak i qytetit të Durrësit është renditur i pari mes shtatë qendrave të tjera europiane të rrezikuara për të humbur vlerat historike që mbartin. Pas Amfiteatrit të Durrësit, renditen zona historike në Nikosi në Qipron turke, fortifikimet e shekullit të 17 në Briançon, Francë, Manastiri i Rilindjes në San Benedeto, Itali, Manastiri i shekullit të 15 në Setubal, Portugali, peizazhi historik i minierave në Rosia Montana në Rumani dhe kisha armene “St. George” në Mardin, Turqi. Njoftimi u bë publik dje gjatë konferencës që “Europa Nostra” pati në Athinë në prag të 50-vjetorit të kongresit të krijimit të kësaj organizate. “Këto site të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Europës janë në rrezik, disa për shkak të mungesës së fondeve apo ekspertizës, të tjerët për shkak të mosplanifikimit, neglizhencës dhe fatkeqësive natyrore apo konflikteve politike. Ndërhyrja për shpëtimin e tyre është urgjente”, thuhet në deklaratën e “Europa Nostra”. Mbledhja e djeshme e komitetit të kësaj organizate është drejtuar nga tenori i famshëm Placido Domingo, i cili është dhe president i “Europa Nostra”. “Këto monumente dhe site kulturore janë përzgjedhur jo vetëm pse ato tregojnë një histori interesante në lidhje me të shkuarën tonë dhe rrisin ndjenjat lidhur me përkatësinë në familjen europiane, por dhe pse janë tepër të vlefshme për komunitetet dhe vendet që i përkasin. Ndërhyrja për shpëtimin e tyre do të shërbejë si katalizator për zhvillimin ekonomik të qyteteve apo zonave të tëra”, është shprehur Placido, duke kërkuar nga autoritetet prej të cilave varen këto site më shumë angazhim për rikuperimin e tyre. Duke u ndalur tek Amfiteatri i Durrësit në deklaratën e “Europa Nostra”-s thuhet: “Ky amfiteatër romak i shekullit II, mbeti i panjohur për botën deri në vitin 1960. I vendosur në qendër të qytetit, që njihej në lashtësi me emrin Dyrrah, dhe me një kapacitet prej 15 000 deri në 20 000 spektatorë, ky amfiteatër është një prej trashëgimive më të shquara kulturore jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Për shkak të zbulimit të vonuar të tij, monumenti ka vuajtur për arsye të planifikimit kaotik urban, që ka ndikuar në strukturën e tij, e cila ka vazhduar me përkeqësimin e vazhdueshëm. Sfida më e madhe është që të sigurohet integrimi i suksesshëm i amfiteatrit në strukturën urbane të Durrësit. Kjo perlë e trashëgimisë është e kërcënuar edhe nga mungesa e burimeve financiare, shkaqet natyrore dhe neglizhenca. Inkurajimi i projekteve kërkimore dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik për vlerat e jashtëzakonshme të këtij amfiteatri janë ndër hapat që duhen ndërmarrë urgjentisht. Restaurimi i plotë i tij do e vendoste qytetin e lashtë të Durrësit sërish në hartën e vendeve historike në Europë dhe do të ringjallte ekonominë dhe jetën sociale të qytetit të dytë më të madh në Europë”. Vendosja e Amfiteatrit të Durrësit në krye të listës së monumenteve në rrezik nga kjo organizatë, vjen pas apelit që po kjo organizatë bëri një muaj më parë, ku e vendosi këtë pjesë të trashëgimisë shqiptare mes 14 monumenteve më të rrezikuara në Europë. Ndërtimet urbane dhe komuniteti i Durrësit mund ta zaptojnë amfiteatrin romak. “Europa Nostra” planifikon të dërgojë “ekipe shpëtimi” për të studiuar çdo vendbanim dhe të hartojë plane rehabilitimi, të cilat do t’ia paraqesë Konferencës Europiane të Politikave për trashëgiminë në Bruksel këtë dhjetor. “Me këtë program të ri mbrojtës ‘Europa Nostra’ synon jo vetëm të identifikojë monumentet dhe vendbanimet më të rrezikuara në Europë, por edhe të shpallë një apel të vërtetë për veprim. Duke dërguar ekipe shumë disiplinorë ekspertësh për të vizituar vendbanimet e zgjedhura, së bashku me partnerët tanë, do të kërkojmë të kontribuojmë në gjetjen e zgjedhjeve të qëndrueshme për të ardhmen. Në këtë mënyrë, shpresojmë të frymëzojmë dhe inkurajojmë aksione nga organizata të ndryshme publike e private edhe në vende të tjera në Europë e më gjerë”, u shpreh një muaj më parë presidenti ekzekutiv i “Europa Nostra”, Denis de Kergolay. Amfiteatri antik i Durrësit që daton fundin e shekullit I të erës sonë, përbën një nga vlerat arkeologjike dhe historike të vendit. I konsideruar si monumenti më i madh antik në Shqipëri dhe më i bukuri i botës antike në Durrës, amfiteatri është një dëshmi e lashtësisë së ekzistencës së këtij qyteti.

 

Auron Tare: Autoritetet shqiptare, të paafta për të mbrojtur trashëgiminë

Vendimi i Komitetit “Europa Nostra” për të shpallur Amfiteatrin e Durrësit si pasuri europiane në rrezik nuk ka përse të surprizojë askënd. Sot në Athinë, komiteti i kësaj organizate, i drejtuar nga tenori i famshëm Placido Domingo, ritheksoi tashmë edhe në nivelet e larta europiane se autoritetet shqiptare janë të paafta për të ruajtur trashëgiminë kulturor kombëtare. “Europa Nostra” publikoi 7 qendrat e trashëgimisë europiane më të rrezikuara, duke vendosur Amfiteatrin e Durrësit në krye të listës. Ky vendim pason denoncimet e shumta të ekspertëve të trashëgimisë për dëmtime të siteve arkeologjike dhe monumentale në Shqipëri. Për ditë me radhë, media shqiptare raporton për masakrën e madhe që po i ndodh kësaj trashëgimie. Rastet e vjedhjes dhe të shkatërrimit të pakthyeshëm të pasurive tona janë përditë në lajme. Institucione ndërkombëtare si UNESCO dhe Icomos kanë dhënë alarmin për dëmtime masive në Gjirokastër dhe Berat. Qendrat arkeologjike janë në mëshirën e fatit dhe dëmtimet e kishave vazhdojnë me ritme të larta.

Por ajo që është më e dhimbshme në të gjithë këtë situatë, është korrupsioni dhe heshtja e Ministrisë së Kulturës ndaj kësaj situate. Edhe pse drejtues të lartë të kulturës gjithmonë i kanë faturuar denoncimet publike si luftë politike, në fakt publiku shqiptar e ka të qartë se çfarë po ndodh në realitet. Mjafton të shikosh sot situatën në qytetin e Krujës, ku ndërtimet po zhdukin tashmë simbolin europian të shqiptarëve me lejen e Ministrisë së Kulturës. Mjafton të vizitosh Albanopolin antik, vendin që i dha emrin Shqipërisë sot, i rrethuar nga fabrikat e çimentove.

Prandaj, vendimi i “Europa Nostra”-s në vendosjen në krye të listës së Amfiteatrit të Durrësit si pasuri europiane në rrezik, tregon me gisht autoritetet shqiptare si totalisht të paafta.

 

Autor te 13 Qershor 2013. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry