Beteja për Qarkun e Beratit

Lista e PS-së

  • Fidel Ylli
  • Ermonela Felaj
  • Eduard Shalsi
  • Eduard Bejko
  • Artan Lame
  • Stavri Ceca
  • Erjon Keri
  • Anila Agalliu
  • Alma Kule

Lista e PD-së

  • Genc Pollo
  • Astrit Veliaj
  • Lefter Maliqi
  • Mehmet Xheka
  • Çaush Qato
  • Fatbardha Bullari
  • Afize Skëndo
  • Nevila Haznedari

Beteja per qarkun e Beratit

Intervista

Flet kreu i listës së PS-së: E majta do të marrë 6 deputetë

Ylli: Skuadra e PD-së, e lodhur nga korrupsioni dhe keqqeverisja

Për LSI-në - “Votimi do të tregojë rritjen apo uljen e përqindjes se sa do marrin partitë aleate apo partia aleate më e madhe brenda koalicionit tonë, pasi ka qenë dhe në qeverisje për katër vite me Partinë Demokratike”

Fatjona Mejdini

Fidel YlliKryesuesi i listës së deputetëve për Partinë Socialiste në Berat, Fidel Ylli, shprehet optimist për një fitore të thellë të kësaj partie në këtë qark, i cili konsiderohet një bastion i majtë. Në një intervistë për “Shqip”, ai thekson se pritshmëritë janë që PS të fitojë në këto zgjedhje pesë deputetë, një partia aleate LSI dhe vetëm dy Partia Demokratike. Sipas Yllit, bashkëpunimi me LSI-në në këtë qark është korrekt në kuadër të nevojës për ruajtjen e votës, por ai shton se në fund të fundit, çdo parti do të votohet veçmas mbi bazën e performancës së saj. Ylli thekson se partia e Metës do të vihet dhe përballë faktit se ka qenë për katër vjet pjesë e qeverisë së PD, qeveri që sipas deputetit socialist e ka neglizhuar plotësisht këtë zonë. Kandidati i parë i PS-së në Berat thekson se skuadra e PD-së përballë asaj të socialistëve është e lodhur nga korrupsioni, nga mungesa e figurave të reja dhe nga biznesmenë të cilët kujtohen vetëm tani të hedhin çakëll në disa rrugë krejtësisht të shkatërruara. Ai i konsideroi këto lëvizje të momentit të fundit një turp, me të cilat banorët e këtij qarku nuk mund të gënjeheshin pas braktisjes së plotë nga PD për tetë vite.

Z.Ylli, cilat janë sot problematikat kryesore me të cilat po përballet Qarku i Beratit dhe cilat janë zgjidhjet që ofron PS-ja për to?

Problematika kryesore në Qarkun e Beratit është që nuk di nga ta kapësh. Papunësia është 42 për qind e popullsisë aktive për punë. Infrastruktura në harresë të plotë dhe në gjendje mjerane. Investimet n 4 vitet e fundit janë 0 për Bashkinë e Beratit, dhe ato pak investime nëpër komuna janë bërë nga donatorë të ndryshëm. Zgjidhja që jep PS për këtë situatë skandaloze në Qarkun e Beratit është programi ynë për një rilindje shqiptare, ku do të rilindim dhe këtë qark, që në katër vitet e para të mandatit. Skuadra për Rilindjen e qarkut të Beratit do të bëjë atë që nuk është bërë për 22 vjet.

Cili është rezultati elektoral që pret PS-ja në këtë zonë të konsideruar bastion të majtë?

Rezultati që Partia Socialiste pret në Qarkun e Beratit për zgjedhjet e 23 qershorit është pesë deputetë PS, një deputet Lëvizja Socialiste për Integrim dhe dy deputetë Partia Demokratike. Por ky është vetëm një parashikim në bazë të rezultateve të 2009-s, ndaj le të shikojmë zgjedhësit si do votojnë, pasi votimi do të përcaktojë rezultatin final.

Si është bashkëpunimi mes LSI-së dhe PS-në në këtë qark, në një kohë kur kjo parti është e përfaqësuar me deputetë dhe pretendon rritjen e influencës?

Ne si shtab i PS-së po vazhdojmë punën në aktivitete të ndryshme, takime me elektoratin në qytet dhe në fshat, shtëpi më shtëpi, derë më derë dhe lagje më lagje duke bashkëbiseduar me qytetarët dhe bashkëfshatarët për programin e rilindjes. Të njËjtën gjë po bëjnë dhe aleatët tanë dhe gjendja është e qetë në kuadër të raporteve që kemi. Kemi pasur kontakte për ruajtjen e votës për komisionerët dhe mbarëvajtjen sa më të qetë të procesit zgjedhor pasi kemi dhe kolegë nga PS që janë deputetë dhe që janë dhe kandidatë për zgjedhjet e 23 qershorit. Çdo parti aleate pretendon të rrisë përqindjen dhe numrin e votave për të marrë sa më shumë deputetë. Por votimi do tregojë rritjen apo uljen e përqindjes se sa do marrin partitë aleate apo partia aleate më e madhe brenda koalicionit tonë, pasi ka qenë dhe në qeverisje për katër vite me Partinë Demokratike.

Si e shikoni skuadrën e së djathtës përballë jush, nisur dhe nga fakti se në të ka prurje të reja dhe nga fusha e biznesit?

Skuadra e djathtë është një skuadër e lodhur për mendimin tim. E ka lodhur korrupsioni dhe keqqeverisja. Po kështu në të nuk ka asnjë prurje të re. Ajo është e përbërë me biznesmenë që kanë qenë kandidatë dhe në zgjedhjet e kaluara, që bëjnë ndërtime pa leje në qendër të Beratit, ku pas një qeverisje skandaloze tetëvjeçare të kësaj qeverie në Qarkun e Beratit tani u kujtua ky biznesmen të gënjejë qytetarët dhe bashkëfshatarët e komunave përreth për t’i hedhur disa makina me çakëll dhe për t’i mashtruar njerëzit. Ky është një turp dhe një ofendim që u bëhet njerëzve të Qarkut tonë. Qeverinë e kishin dhe po të mendonin për njerëzit, i kishin bërë për katër vjet dhe jo dy javë para zgjedhjeve.

 

Intervista

Flet ministri i Inovacionit: Bashkia po favorizon PS dhe LSI

Pollo: Humbja e PD-së? Askush të mos shohë ëndrra me sy hapur

Pritshmëria - “Në Berat ndihet fryma e ndryshimit. Kjo u pa në zgjedhjet e 2009-s, kur Partia Demokratike fitoi tre deputetë nga vetëm një të fituar në vitin 2005, një rikthim historik ky në rezultatin e viteve ‘91-‘92”

Bashkia Socialiste e Beratit po shkel ligjin, po favorizon PS-në e LSI-në për vendosje flamujsh

Herion Mesi

Genc PolloBashkia e Beratit, e cila drejtohet nga socialistët, po favorizon PS-në dhe LSI-në, në shkelje të procedurave të parashikuara në Kodin Zgjedhor, për vendosjen e flamujve dhe posterave të këtyre partive në rrugët e këtij e qyteti. Denoncimi vjen nga kreu i listës së kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike në Qarkun e Beratit, Genc Pollo.

Zoti Pollo, si po shkon fushata elektorale për Partinë Demokratike në Qarkun e Beratit? Cilat janë problematikat që keni hasur në këtë fushatë?

Deri tani, fushata elektorale e PD-së në Qarkun e Beratit po shkon shumë mirë. Nuk janë regjistruar incidente mes simpatizantëve, apo të tjera si këto. Informacioni është që listat e zgjedhësve janë të sakta dhe u punua gjithë këtë kohë që të mos ketë dublikime me listat e zgjedhësve. Megjithëse bashkia socialiste e Beratit i ka dhënë gjithë qytetin PS-së e LSI-së për të vendosur flamujt, posterat e billboard-et e tyre, në shkelje të Kodit Zgjedhor.

Me çfarë problematikash, sipas jush, po përballet Berati sot? Dhe çfarë propozoni ju për zgjidhjen e tyre në katër vitet e ardhme?

Qarku i Beratit është një qark me njerëz të përkushtuar e punëtorë, të cilët kanë nevojë për akoma edhe më shumë investime. Dhe besoj se shumë investime të tilla janë bërë dhe 4 vitet e kaluara. Këto ndryshime ndihen në jetën e njerëzve në këtë qark, banorët e qytetit e Rrethit të Beratit, të Rrethit të Skraparit e rrethinat.

Tashmë jeni në krye të listave të PD-së për Beratin, si ju duket përballja me rivalët tuaj të majtë, ku tashmë LSI-ja ka kaluar në kampin e majtë?

Po të ballafaqosh, arritjet e 8 viteve të qeverisjes së PD-së me alternativën tjetër, Partinë Socialiste, kam përshtypjen se të gjithë kemi parë se përveç negativitetit, PS-ja dhe Edi Rama nuk ofrojnë gjë tjetër. Këtu përmend edhe votimet kundër të Partisë Socialiste me urdhër të Edi Ramës të projekteve infrastrukturore më të mëdha të vendit, si Rruga e Kombit, ajo Tiranë-Elbasan, duke u ndalur më tej te Boshti i Jugut. Ne votuam financimin e Boshtit të Jugut, ndërsa Partia Socialiste dhe Edi Rama votoi kundër dhe kurrë ndonjëherë nuk e përmend në Berat me emër këtë projekt. Ne jemi për taksën e sheshtë, që do të rritet sipërmarrja, do të rritet punësimi; Edi Rama është për taksë progresive dhe taksa të larta, që t’i marrë frymën sipërmarrjes, t’i marrë frymën biznesit dhe do ulë punësimin. Ne jemi për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, sepse ka shumë e shumë të mira, përfshi edhe 200 miliardë euro investime në bujqësi, në rrugë, në shkolla, në subvencione. Ne kemi votuar për këtë vazhdimisht, Edi Rama statusin e vendit kandidat e mbajti peng për 230 ditë, nuk e votoi, vetëm e vetëm që ta bënte të dështonte se kishte frikë se fitonte qeveria, Sali Berisha dhe Partia Demokratike.

Cilat janë objektivat elektorale të PD-së në këtë qark?

Në Berat ndihet fryma e ndryshimit. Kjo u pa në zgjedhjet e 2009-s, kur Partia Demokratike fitoi tre deputetë nga vetëm një të fituar në vitin 2005, një rikthim historik ky në rezultatin e viteve ‘91-‘92. Edhe në zgjedhjet lokale 2011, u trefishuan komunat e fituara nga koalicioni. Më 23 qershor 2013 do të rifitojmë tre deputetë e do të synojmë të katërtin.

Pse elektorati duhet të votojë për koalicionin e djathtë më 23 qershor?

Rezultatet që përmenda në zgjedhjet e kaluara lidhen ngushtë edhe me vëmendjen e qeverisë ndaj këtij qarku: investimet publike, nxitjen e turizmit; rrugët moderne, që të çojnë në komuna fushore e kodrinore, deri te kanionet e famshme të Osumit dhe, më në fund tani, rregullimi i rrugës Berat-Lushnjë. Kryesorja është që qyteti i Beratit dhe i gjithë qarku të mos mbeten xhep dhe këtë e realizon Boshti i Jugut. Projekti kryesor, që do ta shndërrojë Qarkun e Beratit në një krahinë dinamike, është qartazi Boshti i Jugut, i cili, siç thashë më lart, tashmë ka filluar në segmentin Tiranë-Elbasan dhe do të vazhdojë drejt Beratit. Ishte një arritje që Beratin e vumë në listën e UNESCO-s, por ishte një tjetër arritje që përmes shumë e shumë mënyrash sot të kemi një industri hoteliere në Berat, si rezultat i investimeve që janë bërë nga qeveria dhe puna e palodhur e qytetarëve dhe sipërmarrësve të këtij qarku.

Si e shikoni fushatën e PD-së në rang kombëtar? A pritet të ndodhë rënia e bastioneve të PD-së, siç ndodhi në zgjedhjet vendore të 2011-s me Bashkinë e Kavajës?

Kush e dëshiron këtë, të mos shohë ëndrra me sy hapur. Partia Demokratike do të ketë mazhorancë në Kuvend në katër vitet e ardhshme.

 

 

Problemet

Berati, “xhepi” i mënjanuar i Boshtit të Jugut

Berati është qarku me probleme të mëdha social-ekonomike, ku si faktor kryesor është lënia jashtë akseve të rëndësishme, duke e lënë si një xhep i mënjanuar i      Boshtit të Jugut. Qyteti i Beratit nuk e ka më industrinë e lehtë, ndërkohë që nuk ka arritur të përfitojë të ardhurat nga turizmi kulturor, duke qenë se është një nga resurset më të rëndësishme të vendit si sit i mbrojtur nga UNESCO. Në Kuçovë, industria e naftës që mbante popullsinë prej vitesh është në lëngim, ndërsa Skrapari i profilizuar për industrinë ushtarake po vuan papunësinë masive. Komunat e rëndësishme të qarkut si Kutallia, Otllaku apo Poshnja, të njohura për resurset bujqësore dhe blegtorale dhe traditën e mirë të prodhimit, nuk kanë të njëjtin nivel. Kutallia është pjesë e një projekti amerikan që prodhon për eksport me treg të gjetur, ndërsa komunat e tjera kanë ngërçin e shitjes së prodhimit. Ulliri, një produkt i famshëm i Beratit, vetëm këtë vit, si pasojë e sasisë së madhe, mbeti stok duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike. Qarku i Beratit përmbledh 25 njësi vendore, nga të cilat 5 bashki dhe 20 komuna. Bashkia e Beratit ka 49 mijë zgjedhës, Kuçova 23 mijë, Ura Vajgurore 8.6 mijë, Poliçani 6.6 dhe Çorovoda 5 mijë zgjedhës. Ky qark zgjodhi më 2009, 8 deputetë, 5 të majtë dhe 3 të djathtë. Në zgjedhjet e vitit 2013 ruan të njëjtin nivel përfaqësimi, 8 mandate.

 

Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2009

65.97% - Në vitin 2009, koalicioni i drejtuar nga PS prej 5 partish mori në Berat 44,564 vota, përkatësisht 54.62%. Ndërsa koalicioni i LSI-së arriti të marrë 9,259 vota ose 11.35%. Gjithsej e majta arriti kuotën e 53,823 votave ose 65.97%

 

Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2009 

33.84% - Në vitin 2009, koalicioni i drejtuar nga PD prej 16 partish mori në Berat 27,058 vota ose 33.16%. Koalicioni i LZHK-së mori 552 vota ose 0.68%. Gjithsej e djathta arrin në nivelin e 27,610 votave ose 33.84%

Autor te 14 Qershor 2013. Kryesoret, Politikë, Shqipëria voton 2013. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry