Strategjia
Drejtori Gazmir Spahija: 22% e të ardhurave u “siguruan” nga shërbimet e inteligjencës
Konvertuar në vlerë, rezulton se rikontrollet kanë sjellë për tatimet mbi 200 milionë euro të ardhura
5.6% – Vetëm për vitin 2012, numri i kontrolleve tatimore ndaj bizneseve u rrit me 5.6 për qind dhe është bazuar mbi analizën e riskut
ARD KOLA
Biznesi ankohet shpesh për rikontrolle të vazhdueshme nga inspektorët tatimorë, duke shkaktuar stres dhe kosto. Ligji i procedurave tatimore, neni 85 thotë se tatimet kanë të drejtë të kontrollojnë bilancet e 5 viteve të fundit aktivitet. Kjo pjesë nuk e shqetëson biznesin, por janë “vizitat” e shpeshta dhe të pajustifikuara të inspektorëve (që zgjasin më shumë sa duhet), ku në jo pak raste kanë shkaktuar vendosjen e gjobave pas rivlerësimeve pa fund të bilanceve, ndërsa çështjet në gjyqe zgjasin pa fund.
“Lista e arsyeve për kontroll tatimor është shteruese, pra bëhet vetëm për një nga kërkesat e parashikuara në ligj, por çfarë ndodh në të vërtetë, a e zbaton këtë administrata tatimore? Jo në të gjitha rastet ka qenë e specifikuar kërkesa mbi bazën e të cilës është bërë rikontrolli”, thotë Adriana Shehu, kryetare e Komitetit të Taksave dhe Ligjeve, në Dhomën Amerikane të Tregtisë.
Administrata tatimore, prej më shumë se një viti është duke ndjekur një strategji të re kontrolli, bazuar mbi analizën e riskut mbi sektorin, jo individin, sipas rekomandimeve të FMN-së. Kjo strategji nuk i ka mjaftuar Drejtorisë së Përgjithshme për të mbuluar planin e të ardhurave, duke thirrur për ndihmë njësinë e inteligjencës, pjesë e strukturës së Hetimit Tatimor.
Këtë fakt e pranon dhe vetë drejtori Gazmir Spahija, duke ua bërë të ditur bizneseve se pavarësisht se çfarë thotë ligji, rikontrolle do të ketë për aq kohë sa informacionet nga terreni raportojnë për aktivitetet të dyshimtë ndaj X biznesi.
Përfaqësuesit e biznesit, në takimin me shefin e Tatimeve kanë këmbëngulur në idenë e tyre se janë dakord me platformën dhe me analizën e riskut, por sipas tyre është e nevojshme që tatimpaguesit të dinë arsyen ligjore, jo burimin e informacionit.
“Mbështetur në raportet që ne marrim nga shërbimet e inteligjencës, ne mendojmë se ka bazë të fortë për dyshime të shkeljes së procedurës tatimore dhe inspektorët shkojnë për rikontroll”, deklaron Spahija.
Vetëm për vitin 2012, numri i kontrolleve tatimore ndaj bizneseve u rrit me 5.6 për qind dhe është bazuar mbi analizën e riskut. “Nga këto rikontrolle kanë ardhur 22 për qind të të ardhurave dhe kjo na ka treguar se burimet e treta të informacionit që na kanë informuar për shkelje kanë qenë të drejta”, shprehet Spahija.
Konvertuar në vlerë, rezulton se rikontrollet kanë sjellë për tatimet mbi 200 milionë euro të ardhura.
Por debati me ekspertët e AmCham, vijon më tej. “Kohët e fundit janë nxjerrë nga ju udhëzime teknike me karakter orientues që janë përdorur nga administrata tatimore për rikontrolle për një sektor të tërë. Rezulton se edhe atje ku në kontrollin e parë të tatimeve çdo gjë ishte në rregull, pas rikontrollit kanë gjetur shkelje, duke vendosur gjoba të rënda”, i drejtohet Shehu kreut të Tatimeve. Një pjesë e këtij diskutimi është zbardhur në buletinin “Advantage” (17 maj), publikim mujor i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.
Në jo pak herë Drejtoria e Tatimeve i ka shkaktuar probleme qeverisë, Kryeministrit dhe ministrit të Financave në veçanti, sa i takon klimës në tërësi me biznesin.
Hapat
Çfarë përmban vendimi i qeverisë për strukturën e shërbimit të fshehtë
Hetimi Tatimor, Berisha: Të paguhen bashkëpunëtorët
Më 22 shkurt të vitit 2009, Kryeministri Sali Berisha vendos të krijojë një strukturë të posaçme në varësi të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, të quajtur Hetimi Tatimor. Në krye të kësaj drejtorie u vendos Agim Shehu.
VKM-ja me nr.400 përmban udhëzimin me detyrat e posaçme për bashkëpunëtorët e kësaj drejtorie të hetimit, ndryshe të cilësuar si “shërbimet e inteligjencës”. Detyrat e kësaj drejtorie ishin të shumta, si: të mbledhë, përpunojë, ruajë, analizojë, shfrytëzojë dhe shpërndajë informacionin për shkeljet e dyshuara, të mundshme ose faktike, në fushën e tatimeve dhe të taksave nga subjektet tatimpaguese. Mbledhja, dokumentimi, ruajtja e shfrytëzimi i informacionit bëhen në përputhje me rregullat e miratuara nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, duke zbatuar rregullat e ruajtjes së sekretit. Gjithashtu, kjo drejtori duhet të marrë të dhëna nga burime legale ose nga bashkëpunimi i fshehtë me individë. “Bashkëpunimi i fshehtë me individë, shtetas shqiptarë apo të huaj, bëhet kurdoherë me marrëveshje, në bazë të vullnetit të lirë, pa shpërblim ose me shpërblim, duke ruajtur, kurdoherë, sekretin e marrëveshjes dhe të informacionit”, thuhet në një njërin nga paragrafët e pikës 2 të VKM-së.
Punonjës të autorizuar të Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë të drejtë të thërrasin për të pyetur përfaqësues të subjektit tatimpagues, dëshmitarë ose shtetas të tjerë, që kanë dijeni për vepra penale në fushën e tatimeve dhe të taksave. Këta punonjës mund të këqyrin objektet ku ndodhen dokumentet dhe mallrat, që shërbejnë si burim prove për hetim, sipas të gjitha rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale dhe duke hartuar dokumentet e duhura, që parashikon ky kod.
Sipas pikës 4 të vendimit, punonjësit e njësive të hetimit tatimor për gjurmimin dhe hetimin e veprave penale, fiksimin
dhe dokumentimin e provave, përdorin mjete teknike dhe elektronike, të posaçme. Llojet e mjeteve dhe rregullat e përdorimit të tyre përcaktohen nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
Drejtuesit e strukturave të tjera, brenda sektorit tatimor, bashkëveprojnë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, duke dërguar atje materiale dhe informacione për subjekte të veçanta tatimpaguese, për të cilat dyshohet se mund të kryejnë ose kanë kryer evazion fiskal ose mashtrim tatimor.
A.Kola
Punonjësit e njësive të hetimit tatimor përdorin mjete teknike dhe elektronike, të posaçme