“Për ty zemra na këndon”…

Vargjet e thurura për Partinë/ Një udhëtim në kohë, përmes fletëve të një antologjie poetike për Partinë botuar më 1981-shin

“Ti je ajo lidhja e pazgjidhshme e muskujve me kockat/që trupin ma mban vertikal në ecje/ ti je degëzimi i nervave nëpër brazdat e trurit/ që nga çasti i lindjes sime deri te vdekja…”. Ndoc Gjetja, poeti i vargjeve të ndjera për dashurinë dhe vdekjen, sapo i kishte kaluar të 30, kur më 1975-n hodhi në letër këto vargje për partinë. Pavarësisht skematizmit dhe mesazhit që duhet të mbartte poezia, sipas kërkesave të kohës, në të ndihet talenti i poetit të ri. Në vjershën “Toka ime”, nervi i tij krijues shpërthen. “Pati sharlatanë që u kërrusën mbi tokën time në formë shuplake/ u kërrusën mbi mishin e saj me rrudha malesh/ e butësi fushash të gjelbërta/dhe profetizuan se do të shkrumbohej nga gjuhët e flakëve/se do të vdiste jeta mbi të e do të lulëzonte vdekja”. Më 1974-n, një tjetër poete, e cila më vonë do të bëhej një nga studiueset më të mira të letërsisë arbëreshe dhe italiane, Klara Kodra, vjen me një poezi tepër të ndier për partinë. Vargjet e saj të gjata, përshkruhen nga një lirizëm, ku metaforat dhe krahasimet e bëjnë poezinë e saj të lexueshme edhe pas më shumë se 30 vitesh… Më 1963, Drago Siliqi shkrimtari dhe studiuesi që do të kishte një fund të hidhur i frymëzuar nga epoka komuniste që sapo kishte hyrë në vend, krijon poezinë “Revolucioni”, një poezi që pavarësisht motiveve që çuan në ngjizjen e saj, ka anën e saj filozofike e mund të lexohet e t’i qëndrojë kohës. Siliqi ka qenë i kujdesshëm të mos përdorë fjalën parti, por mesazhin për ta thotë përmes fjalëve të tjera krahasuese, të cilat e bëjnë poezinë t’i shkëputet lehtë sot, kolanës së letërsisë së soc-realizmit dhe të lexohet në mënyra të ndryshme. “Rreze e fuqishme djeg e përvëlon/ tumorët në ndërgjegje të tulitur/ ndërgjegjen bën të çelë lule shumë si toka e vaditur”, janë vargjet e fundit të poezisë që autori e shkroi, pikërisht atë vit kur do të humbte jetën në një aksident ajror në Kinë. Letërsia e lënë pas nga Siliqi mund të lexohet dhe jashtë kontekstit të kohës kur është shkruar. Po në vitin 1974, poeti Rudolf Marku shkruante vargje nën titullin “Populli im”. “Populli im/ Unë jam me ty dhe kjo do të thotë/ se fletët nuk ngelin kurrë të pashkruara/ se buzët kanë nevojë të buzëqeshin/ se unë kam miliona në duar”. Një poezi e shkruar bukur, nga një poet i mirë i kohës, i flet pikërisht shpirtit të filozofisë së një kohe, popullit. Më 1951, Andra Varfi një nga shkrimtarët më të njohur të viteve ‘30, shkruan “Një ditë nëntori këndon vegjëlia/Partisë, Atdheut për jetë iu dhamë/ Në zemër i kemi në zemër na kanë/ O shokë, rilindëm kur lindi Partia…”. Ajo çfarë i bën interesante vendet ish-komuniste janë pikërisht arkivat që mbartin. Arti dhe letërsia janë dy elementë që gjithnjë janë shfrytëzuar nga sistemet diktatoriale për të ngritur kultet e tyre. Kështu ka ndodhur në Rusi, ku dhe poetë të njohur si Ana Ahmatova, apo Gorki nuk kanë mundur t’i shpëtojnë kurthit të kohës. Por si e ngriti kultin komunizmi në Shqipëri, përmes shkrimtarëve dhe artistëve? Ky udhëtim gjysmëshekullor mund të shihet në librat e botuar të kohës, ku dhe emra të njohur të letërsisë sonë, nuk kanë mundur të shpëtojnë nga vargjet “për partinë”. Studimi i kësaj letërsie të bërë në këtë periudhë, do të jetë një punë e gjatë dhe interesante për studiuesit, të cilët do të shohin sesi mund të përdoreshin talentet dhe si mund të shkatërrohej një pjesë e tyre. Kulti i Partisë dhe ish-udhëheqësit Enver Hoxha, ka qenë tema kryesore që duhet të frymëzonte shkrimtarët dhe poetët. është e trishtë të lexosh sot vargje kaq të ndjera e të shkruara bukur nga njerëz me talent që jetuan në “epokën e gabuar”. Nuk ishin vetëm shkrimtarët dhe poetët ata që duhet të frymëzoheshin nga veprat e partisë, por dhe njerëzit e thjeshtë, punëtorët. Dhjetëra poezi anonime të qyteteve të ndryshme të vendit janë shkruar për partinë. Më vitin 1981, shtëpia botuese “Naim Frashëri” boton një antologji poetike për partinë “Për ty zemra na këndon”, përgatitur nga emra të njohur si Llazar Siliqi, Vehbi Bala, Adriatik Kallulli, Agron Fico dhe Ramazan Vozga. “Poemat tona më të mira , ato që i kanë qëndruar kohës dhe kanë hyrë në fondin e artë të poezisë, i këndojnë partisë, që udhëhoqi popullin në revolucion për të përmbysur botën e vjetër dhe për të ndërtuar shoqërinë e re socialiste. Në këto poema, ku është gatuar një material i begatë poetik me ide të madha, ka edhe një figuracion të pasur dhe origjinal me një shprehje të fortë metaforike. E themi këtë, pasi vetë tema shoqërore e politike ka kërkuar dhe ka imponuar një sistem figurativ të gjallë dhe dinamik, përndryshe materiali poetik do të humbiste ngjyrën dhe emocionin”, shkruan në parathënien e këtij vëllimi, poeti i njohur Dritëro Agolli. Kjo antologji është botuar si një dhuratë e poetëve në 40-vjetorin e themelimit të Partisë dhe është vetëm një nga ato mijëra poezi, tregime, sonete, apo romane të shkruara gjatë 50 viteve të izolimit komunist në Shqipëri. Rikthimi te to nuk është një mënyrë për të gjykuar autorët e tyre, por një mënyrë për të kuptuar filozofinë e një kohe.

 

 

 

Germa dashurie

 

Ylberet pas shiut i kam dashuruar, por s’i kam prekur dot,

Detin e kaltër e kam çarë me pash, nuk arrita t’i gjej fundin

Diellin e kam ndjekur me sy që kur lind gjer perëndon

S’munda asnjëherë ta mbaj mbi supe;

Erën e kam ndier veshur e zhveshur në gryka e hapësira,

Si mund ta mbash erën në pëllëmbë?

Frutave të tokës ua njoh shijen, jam i ngopur me to;

Të gjitha m’i solle Ti,

Pesë germa dashurie: Parti!

1974.

 

Flet Partia, ndizet shpirti

Flet Partia ndizet shpirti

Gaz dhe hare

Na vlon gjaku i komunistit

Parti, o lule

Fjala jote nga çdo anë

Ngrihet gjer në re,

Shpërndan drit’ e na ndez xhanë

Për jetën e re.

 

Ti, Parti, fuqi kreshnike

Që linde me ne

Je për ne nënë besnike

Je zemër e re

 Përmet.

 

Flet Partia

Nonda Bulka

Kur sulmonte pik’ e djalit

Dhe kur pisha e vandalit

Digjte foshnjat në djep,

Dil’ një zë nga palc e tokës shqiptare

Dhe përplasesh mbi armikun

Si batare:

“Bjeri më të lumtë dora, bëja fora!”

Jam me ty si mish e thua

Mos u tremb se më ke mua

Kush flit kështu ndërsa fryn e shfryn stuhia?

Flit Partia!

Dhe ku hasmi i xhalavitur

Shkumëzonte i lebetitur,

Dhe me thik e me litar

Çdo pëllëmbë dhe një varr

Kush buçit përmes tërmetit

Mu si dallgë e fort e detit:

“Popull mos iu tremb stuhisë,

Po agon dit e lirisë?!

Ishte zëri i Partisë

Mbi gërmadhat ndriti dielli,

Mijëra yj xixëllon qielli

Ç’u përmbys kjo bot’ e vjetër,

Duhet ngritur bota tjetër,

Bota jonë, pa padronë!

Cep më cep buçet jehona

Oshëtin dhe mal dhe det

Përsëri Partia flet !

1957.

 

Të më rritesh për parti

Nani, nani kush të tund,

Bukurushja në katund

Nani, nani, çup e nënës

Të rritesh si drit e hënës

Punëtore porsi bletë,

Gojëmjaltë, krahëlehtë

Nani, nani shpirt-o, fli,

Të më rritesh për Parti!

 

Korçë

 

Rrofsh sa malet moj Parti

Rrofsh sa malet, moj Parti,

Ç’ditë të bukura solle ti.

Sot tek ne, si në Shqipëri

Bëhet plaku djalë i ri.

Tiranë.

 

Gjashtë shkurt gjashtëdhjetë e shtatë

Gjashtë shkurt gjashtëdhjet’ e shtatë

U hap lajmi si rrufe,

Fjala e shokut Enver

Një gëzim i madh për ne;

Ngriti popullin në këmbë,

Të ndërtojmë jetën e re

Dhe rinia me aksione

Do tu’ qepet maleve.

Do të punojmë natë e ditë,

Të të zbukurojmë, atdhe

Armiqtë le të pëlcasin

Ata që s’na duan ne

Do ndërtojmë socializmin

Mu në majë të maleve,

Fjala e shokut Enver

Një gëzim i madh për ne.

Skrapar

 

Partisë

 

Klara Kodra

 

Ty nuk të gjeta

Rrugicash të errëta

Qelish të lagëta,

Duke u përleshur me vdekjen fytafyt,-

Në prehrin tënd u zgjova

Kur hapa sytë. Fëmijë isha ende

Kur së pari të dëgjova emrin

Dhe pesë shkëndija ishin

Ato pesë tinguj

Nuk do mund të ma ngrohin më fort zemrën.

 

Frymën tënde thitha

Me ajrin e me diellin.

Më the: “Ngre kryet lart!”,-

Kur motrave të mia

Në shekuj u patën thënë “Je grua, duhet ta ulësh kokën!”

Dhe s’isha veçse fëmijë

E etur për dritë e hapësirë

Dhe në tru më hodhën rrënjë

Fjalët e tua të urta

 

Linda katër vjet pas teje…

Kaq hapësirë kohe

Ndan motrën nga motra

Po në aq kohë

Ti me gjoks ndaje dy epoka

Të dyja u endëm në ëndrra

Para se të lindnim

Unë në ëndrrat e nënës

Ti në ëndrrat e një populli.

….

Dhe tani po shijojmë

Frytin e rrallë të qëndresës

Në Vepra për ty

Kthejmë djersë e mendime

E bukur

E qetë

E fortë

Ti, Partia ime

Ngrihesh në horizontin e popujve

Atëherë e ndjeva më thellë se isha jot bijë

Isha gjashtëmbëdhejtë vjeçe,

Në moshë ëndrrash romantike,

Që hapin petalet

Si trëndafili e zambaku

Dëgjova radion..

Dhe papritur gjakun

E përshkroi urrejtja si rrymë elektrike

Nga larg dikush

Mbi yllin tënd të pastër

Hidhte gurë

Hidhte baltë

Dhe ky qe ai, që dorën dikur na e kish zgjatur

Me fjalën “shok”

Ligjëratën mjaltë….

Dikur ai

Pati guximin të vinte

Të shkelte tokën tonë, të thithte ajrin tonë të dëlirë

Si nuk u hap ky dhe atëherë ta përpinte

Ashtu si të huajt e egër me shekuj ka përpirë?

Po do të hapej për të

Si greminë historia,

Që ta fundoste emrin e tij thellë e më thellë

Që të shkrinte si vesë fjalët e helmëta me mjaltë mbështjellë

Dhe mbi sulmet e errëta

Të ndriste më qartë

Partia.

1974.

 

Autor te 21 Qershor 2013. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • onufri

    prisni, se se keni marre pushtetin akoma