Banka Qendrore i jep Ministrisë së Financave 23 milionë USD shtesë nga fitimet
Transferimi i fitimit vetëm për 5 muajt e parë të vitit 2013 u realizua në masën e rreth 170%
Ankandet – Qeveria mori nga bankat 23 miliardë lekë, rreth 68 për qind më tepër se në 2012-n, por edhe më shumë se plani
ARD KOLA
Fushata zgjedhore dhe nevoja për financime nuk e ka ndalur qeverinë të përdorë të gjitha mjetet apo kanalet e transfertave. Përveçse ka rritur shpenzimet, duke marrë borxh te bankat e nivelit të dytë, tej planit vjetor, Ministria e Financave ka marrë para kohe fitimet e Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së ministrisë, edhe pse e dinte mjaft mirë se po shkal parimet e një disipline fiskale.
Kështu, të paktën deri në muajin maj, transferimi i fitimit të realizuar nga BSH-së për llogari të qeverisë ishte 3.7 miliardë lekë. Sipas ligjit, fitimet e një viti banka qendrore duhet t’i derdhë brenda 4-mujorit të parë, por me marrëveshje, është rënë dakord të transferohet gradualisht, sipas një plani. Ky i fundit, si 5-mujor ishte 1.4 miliardë lekë, por “presioni” politik mbi bankën (gjysma e anëtarëve të Këshillit vijnë nga qeveria), ka detyruar bankën të japë më tepër sa duhet, duke e tejkaluar planin me afro 70 për qind.
Në vitin 2012, si 5-mujor, banka e kishte transferuar qeverisë 2.5 miliardë lekë nga fitimet e saj, kurse për këtë vit, doza e financimit u rrit me 48 për qind. Në raport me planin, qeveria mori 2 miliardë e 373 milionë lekë nga banka, gati 23 milionë dollarë. Vetëm në vitin 2012, fitimet ishin 4.7 miliardë lekë, të derdhura në shtet, ndërsa transferta e realizuar prej 3.7 miliardë vetëm për 5 muaj, tregon qartë se qeveria ka rritur presionin ndaj bankës duke tejkaluar planin, në një kohë kur pasiguritë dhe e ardhmja nuk përcaktojnë qartë se si do të jetë fundi i vitit për selinë qendrore të politikës monetare në vend.
Duke parë historikun e transferimit të fitimeve nga BSH drejt arkës së shtetit vihet re, se prej vitit 2007 dhe më pas, kur nisi kriza, ka ardhur në rritje, duke prekur kulmin këtë periudhë zgjedhjesh.
Në vitin 2011, BSH derdhi në arkën e shtetit 5.7 miliardë lekë, ose 15 për qind më shumë se në 2010-n, vit në të cilin banka bleu ish-hotel “Dajtin”, për 4 miliardë lekë. Ky fond derdhet si fitim i BSH-së, për aktivitetin e kryer, pasi janë zbritur shpenzimet.
Ulja e normës bazë të interesit, gjashtë herë radhazi, nga BSH, duke e çuar në 3.75 për qind ka “favorizuar” më tepër qeverinë shqiptare. Në ankandet e fundit vihet re një ofertë e lartë e bankave për të financuar qeverinë, kurse interesi i bonove me afat 12-mujor ka zbritur nën 6 për qind, nivel ky historik i ulët. Bie në sy fakti se bankat ofrojnë më tepër nga sa kërkon qeveria dhe me interes më të ulët se më parë, por nga ana tjetër regjistrohet edhe një nivel kreditimi më i vogël për ekonominë, e cila në muajin prill u rrit me 0.9 për qind (më e ulëta në këto 13 vjet).
Në kushtet kur bankat kanë gjendje të mjaftueshme likuiditeti, kjo shikohet me optimizëm nga autoritetet, por problemi qëndron te financimi i ekonomisë, pra te privati. Bankat po investojnë vetëm te qeveria dhe shumë pak te privati, në një kohë kur guvernatori Fullani ishte zotuar për një balancim të drejtë.
Mjafton të shikojmë se në 5 muajt e parë të vitit 2013, qeveria mori nga bankat 23 miliardë lekë, rreth 68 për qind më tepër se në 2012-n. Nga historiku i të dhënave shikohet se huaja nga bankat paraqitet me cikle 2-vjeçare, ulje-zbritje, në varësi të periudhave zgjedhore.
Raporti
Fitimi, pas shpenzimeve
Për çdo vit financiar, fitimi neto i Bankës së Shqipërisë llogaritet, pasi të zbriten nga të ardhurat shpenzimet e bëra për vitin financiar në fjalë dhe pas veçimeve për borxhe të dyshimta e pashpresë arkëtimi, masa e zhvlerësimit të mjeteve në bilancin e Bankës së Shqipërisë, si dhe kontributi për fondet e pensionit të personelit; shpenzimet e miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës për qëllime të tjera që konsiderohen si të nevojshme për Bankën e Shqipërisë. “Gjithashtu, ligji ka krijuar edhe një kategori tjetër shpenzimesh, të cilat i lihen kompetencë Këshillit Mbikëqyrës për t’i miratuar dhe që vetë Banka e Shqipërisë i konsideron të nevojshme”, thotë një paragraf i ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”.