Gjurmët e gazsjellësit
Pronarët e TAP-it, negociata me banorët e fshatrave nga kalon linja për shpronësimet
ARD KOLA
Cilat janë gjurmët e gazsjellësit? Më saktë, në cilat territore të Shqipërisë do të shtrihen rreth 200 km tubacione? Interesimi është i madh, sidomos i agjencive imobiliare, por më së shumti i pronarëve të trojeve. Drejtuesit e kompanisë thonë se, kanë identifikuar rreth 10 mijë pronarë që preken nga shtrimi i tubacionit në tre qarqe të vendit, Korçë, Berat dhe Fier dhe se do të nisin kontaktet për kompensimin e tyre. Menaxherët e projektit nuk fshehin merakun që kanë me problemet e pronësisë në vend, sikurse kërkojnë mbështetjen e qeverisë, por nga ana tjetër thonë për “Shqip” se kanë kontraktuar një kompani të specializuar në fushën e negociatave.
Duke iu referuar studimit, Fieri do të jetë epiqendra e gazsjellësit në Shqipëri, nga ku do planifikohet krijimi i degës për nevojat e vendeve të rajonit. TAP ka një gjatësi prej 500 km, ku 200 janë në Shqipëri dhe 60 km në det, për të arritur në Itali, ndërsa sasia gazit që do të transportohet arrin në 10 miliardë metër kub në vit. Në fillim ishte menduar një dalje e tubacionit në veri të Vlorës, por pas studimeve të fundit u gjykua më e drejtë të jetë rajoni i Hoxharës, në perëndim të Fierit.
Shpronësimet
Gazeta “Shqip” mëson, përmes raportit final të TAP-it, se drejtuesit e projektit janë treguar të kujdesshëm në përcaktimin e gjurmëve, duke minimizuar qendrat e banuara, parqet dhe tokat bujqësore. Tubacioni do të shtrihet 1 m nën tokë dhe më shumë se aq për zonat e banuara. Drejtuesit e projektit, me vlerë rreth 5 miliardë euro pranojnë se i janë dashur dy vjet për të përcaktuar gjurmën nga ku do të kalonte projekti, në mënyrë që të respektonin edhe mjedisin (bazuar mbi standardet e BERZH).
Vetëm në Shqipëri aksionerët e TAP-it do të investojnë rreth 1 miliard euro. Sa u takon shpronësimeve, do të përdoret harta e çmimeve të trojeve të miratuara nga qeveria, dhe do të ndiqet modeli i shtetit, por për raste të ndryshme, nëse dikush pretendon më shumë, do të negociohet një me një, për të arritur një marrëveshje. “Janë marrë të gjitha masat për të mos pasur probleme me shpronësimet, madje është kontraktuar një shoqëri e huaj, e specializuar për negociata në të tilla aktivitete. Kemi menduar të negociohet me çdo pronar trualli, pra jo në grup dhe kontrata do të jetë individuale”, thonë për gazetën burime zyrtare të shoqërisë, dega e Tiranës.
Harta
Tubacionet e gazsjellësit do të prekin disa qendra banimi, me jo më shumë se 400 banorë, duke minimizuar rreziqet, dhe nga ana tjetër kanë identifikuar dosjet e 7000 pronarëve që do të kompensohen.
Në Qarkun e Fierit, linja e gazsjellësit përfshin komunat Strum, Zharrëz, Mbrostar, Dërmenas dhe Topojë. Në territorin shqiptar nga Greqia do të përshkojë në Miras, rajoni i Korçës, e Vithkuqit. Më pas do të vijojë në Berat, duke u shtrirë në fshatin Velmish dhe pasi përshkon komunat e Fierit përfundon në bregdetin e Semanit. Paraprakisht është vendosur se stacioni i gazit, aty ku do të kalojë degëzimi, do të pozicionohet rajoneve Mbrostar-Topojë, lumit Seman dhe kanalit kullues Levan-Darëzezë.
Si rezultat i këtyre studimeve, është përcaktuar një rrugë optimale, e cila mënjanon zonat me popullatë të dendur dhe të ndjeshme ndaj mjedisit, të tilla si Parku Kombëtar i Hotovës në
Shqipëri. Seksioni lindor i gjurmës ndërpritet nga Mali i Moravës, i cili shtrihet në drejtim veri-jug dhe arrin një lartësi mbi 1800 m në pikën e tij më të lartë.
Depozitat
TAP-i do të zhvillojë infrastrukturën energjetike të Shqipërisë
dhe do të tërheqë investime të mëdha nga jashtë. Aksionerët
e TAP-it po shqyrtojnë gjithashtu dhe mundësinë për të lënë
disa volume gazi në Shqipëri.
Me depozitimin e gazit, përmbushet një veçori e rëndësishme e strategjisë së BE-së për sigurinë e furnizimit. TAP-i aktualisht po studion mundësinë për të zhvilluar depozitime nëntokësore të gazit në rajonin e Dumresë në Shqipëri. Ky depozitim do të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe do të ofrojë një fleksibilitet në rritje për të trajtuar ndërprerjet e furnizimit ose ndryshimet stinore në konsum.
Gjatë fazës së punimeve do të punësohen rreth 200 punëtore e specialiste, do të ndërtohen rreth 40 km rrugë të reja dhe rehabilitohen rreth 90 km të tjera drejt fshatit Seman, sikurse janë parashikuar krijimi i 5 magazinave të mëdha për depozitimin e 15 mijë tubave, që do të vijnë përmes Portit të Durrësit.