Matura Shtetërore, shkollat bëhen të rrepta pas zgjedhjeve

maturanteMbyllen provimet me zgjedhje, dhjetëra të rinj nxirren nga klasa pasi kapen me kopje

Mbyllen provimet e maturës për këtë vit shkollor. Maturantët kanë mbyllur dje provimet me zgjedhje në të gjithë vendin. Sipas kandidatëve për studentë, në përgjithësi provimet me zgjedhje mund të klasifikohen si teste me vështirësi mesatare, ndërkohë që nuk ka pasur ankesa për pyetje jashtë programeve të orientimit të dhëna nga mësuesit gjatë semestrit të dytë, kur maturantët bëhen gati për provimet përfundimtare. Në provimet me zgjedhje janë konstatuar më shumë nxënës të përjashtuar nga testi, për shkak se janë kapur me kopje, krahasuar me masat e marra në dy provimet e para me detyrim, atë të matematikës dhe letërsisë.

Mësuesit në shkollat e Tiranës kanë mbajtur procesverbale për të gjithë nxënësit e kapur në gabim, duke shkelur rregullat, me telefon apo me çfarëdolloj kopje tjetër që bie në kundërshtim me rregulloren e Maturës Shtetërore. Të përjashtuarit do të mund të japin provimet në vjeshtë, por përjashtohen kështu nga kandidimi për të vijuar studimet në një nga universitetet me kohë të plotë.

Edhe këtë vit maturantëve mbetës u jepet e drejta t’i rijapin provimet në sesionin e dytë. Në udhëzimin e MASH-it thuhet se: “Maturantët mbetës në provimet e maturës kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë”.

Ndërkohë që sot priten të publikohen rezultatet e provimit të matematikës, notat e të cilit duhet të kishin dalë 2 javë pas dhënies së provimit. Rezultatet mund të vonojnë edhe më shumë, ndërkohë që faza e ankimimit për maturantët e pakënaqur me notat e provimeve do të nisë pas datës 10 korrik.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se sot do të publikohen rezultatet e provimit të matematikës për 46 mijë maturantët që iu nënshtruan këtij provimi në datën 14 qershor.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, numri i maturantëve që kanë kapur pikët maksimale, pra 50 pikë, është më i lartë se në provimin e letërsisë.

Ashtu si dhe vjet, edhe këtë vit nuk do të ketë rikorrigjim për shkak të vlerësimit të katërfishtë që u është bërë provimeve nga ana e vlerësuesve. Por maturantët e pakënaqur do të kenë mundësi të marrin provimin e fotokopjuar për të parë se si është bërë vlerësimi i tyre dhe për të kontrolluar përgjigjet e dhëna prej tyre në ditën e provimit.

Këtë vit risi ishte se të rinjtë mund të zgjidhnin vetëm dy lëndë, me jo më pak se tetë kredite, ndërkohë që vitin e kaluar kishin më shumë lëndë për të zgjedhur.

Në provimet me zgjedhje u përfshinë edhe kandidatët e viteve të kaluara. Të drejtë për të dhënë testimin, kishin edhe ata që kishin fituar “dëftesë pjekurie” përpara vitit 2006 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime universitare, pasi u njihen vetëm dy provime të detyruara.

Testimi i lëndëve me zgjedhje është provimi të cilin çdo maturant duhet ta plotësojë nëse synon që të ndjekë arsimin e lartë. Hartuesit e tezave me zgjedhje kanë dalë nga ngujimi vetëm mëngjesin e djeshëm, pasi është shpërndarë teza në duart e të rinjve. Për rreth 3 orë, maturantët iu nënshtruan provimit për dy lëndët që ata kishin zgjedhur nga 26 në total, ndërsa për shkollat profesionale të rinjtë iu nënshtruan lëndëve specifike.

Sipas rregullores së Maturës Shtetërore, testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbaje 20 pyetje, nga të cilat, 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Lorina Mixha

 

Të dhëna

 

Testimi

 

Lëndët

Risi e kësaj mature ishte se të rinjtë mund të zgjidhnin vetëm dy lëndë, me jo më pak se tetë kredite

 

Kandidatët

Këtë vit, në provimet me zgjedhje u përfshinë edhe kandidatët e viteve të kaluara

 

Zgjedhja

Për rreth 3 orë, maturantët iu nënshtruan provimit për dy lëndët që ata kishin zgjedhur

 

Situata

 

Laç, provimi nis me vonesë

Provimi me zgjedhje nuk ka kaluar “paq” në qytetin e Laçit. Prindërit e maturantëve për pak sa nuk janë konfrontuar me të deleguarit nga Ministria e Arsimit, por falë ndërhyrjes së Policisë së Kurbinit është shmangur një konfrontim fizik mes tyre. Shkak për këtë është bërë mbyllja para kohe e orarit të provimeve. Ndërkohë që burime zyrtare të Drejtorisë Arsimore në Kurbin bëjnë të ditur se “provimi me zgjedhje i maturantëve të shkollës së mesme ‘Atë Shtjefën Gjeçovi’ në Laç, ka nisur 30 minuta me vonesë, pasi jo të gjithë nxënësit kishin ardhur në kohë për t’u paraqitur në provim. Ndërsa drejtoria e kësaj shkolle dhe të deleguarit e Ministrisë së Arsimit janë treguar “zemërgjerë” duke toleruar nisjen me vonesë të provimit, por jo të mbylljes së tij në orarin zyrtar.

Kjo ka bërë që prindërit e nxënësve të reagonin negativisht, duke u përplasur me të deleguarit e ministrisë dhe me drejtuesit e shkollës, që u kanë mbledhur testet e provimit nxënësve. Por falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë është shmangur konflikti fizik, bëjnë të ditur burime zyrtare të kësaj shkolle. Ndërsa situata ka qenë e tensionuar në këtë shkollë për më shumë se 30 minuta, pasi prindërit kanë kërkuar shtyrjen edhe për 30 minuta të orarit mbyllës të provimit.

Autor te 30 Qershor 2013. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry