Lajme aktualiteti shkurt

Përplasja

Ministria e Jashtme nuk tërhiqet, pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Dytë

Rikthimi në punë i vajzës së Shpresa Beçajt, rekurs në Gjykatën e Lartë

Selvi Beçaj u shkarkua nga detyra pranë misionit të OSBE-së në Shqipëri, kur ishte me lejen e lindjes

selvi becajMinistria e Jashtme nuk tërhiqet për rrëzimin e kërkesës së vajzës së ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, e cila ka kërkuar rikthimin në punë. Selvi Beçaj, vajza e Shpresa Beçajt, ka fituar dy shkallët e gjyqësorit për rikthim në punë, por zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kanë preferuar që çështjen civile ta ankimojnë në Gjykatën e Lartë. Çështja civile mban nr. 11241 dhe është regjistruar më 21 qershor 2013, ku rekursi me sa mësohet është kryer nga Ministria e Punëve të Jashtme. Aktualisht, çështja sapo është regjistruar, ndërkohë që pritet nëse ajo do të pranohet në dhomë këshillimi ose jo, për futjen në gjykim të saj. Pak kohë më parë, Selvi Beçaj fitoi të drejtën e rikthimit në punë edhe nga Gjykata e Apelit, e cila e konsideroi si të paligjshëm dhe të pamotivuar largimin e vajzës së Shpresa Beçaj, nga misioni diplomatik shqiptar që ndodhet në Vjenë të Austrisë. Largimi nga puna i vajzës së ish-kryegjyqtares Shpresa Beçaj është bërë në periudhën kur ajo ka qenë me lejen e lindjes, ose më saktë në periudhën e lehonisë. Në atë kohë, një telefonatë e ambasadorit tonë në Vjenë ka mbërritur në telefonin e saj, i cili i ka komunikuar largimin nga detyra pranë misionit shqiptar të OSBE-së, duke bërë që Selvi Beçaj të mbetej pa punë. Sipas saj, akti për lirimin nga detyra është dhënë në kundërshtim me ligjin e rregullimin e pasojave që vijnë nga ky akt i kundërligjshëm. Nëpërmjet padisë, Beçaj kërkonte kthimin në detyrën e sekretares së parë në Misionin e Përhershëm të RSH pranë OSBE Vjenë, si dhe pezullimin e zbatimit të urdhrit të mësipërm deri në përfundimin e gjykimit të çështjes. Sipas saj, për largimin nga detyra nuk është dhënë asnjë motivacion për largimin nga detyra. Nisur nga kjo situatë, Selvi Becaj ka arritur të fitojë dy shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, ndërkohë që tashmë çështja vazhdon të gjykohet në Gjykatën e Lartë. Emri i Selvi Beçajt u bë i njohur për publikun nga videopërgjimi mes ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe ish-ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Ilir Meta. Sipas Ministrisë së Jashtme, gjatë harkut kohor të vitit 2011 në MPJ janë drejtuar nga ana e Ambasadës së Austrisë në Tiranë tre nota zyrtare në adresë të Selvi Beçajt dhe se nga Ministria Federale e Çështjeve Europiane është ngritur një padi, e cila po shqyrtohet pranë Gjykatës së Vjenës. Sipas tyre, këto situata motivojnë nxjerrjen e aktit të lirimit nga detyra lidhur edhe me natyrën e posaçme të shërbimit në një mision diplomatik. Red. Akt.

 

 

Dosja

Prokuroria shqiptare thotë se nuk ka kompetencë për të hetuar krimin e ndodhur në territorin e tyre

“Abuzimi seksual ndaj Florije Pecit do të hetohet në Austri”

florije peciDosja e Florije Pecit do të dërgohet në Austri, pasi sipas autoriteteve shqiptare, krimi është kryer atje dhe jo në vendin tonë. Sipas prokurorisë, arsyeja e transferimit të hetimeve është e sanksionuar me ligj, pasi rezulton se vepra penale ndaj studentes Peci është kryer brenda territorit austriak dhe jo në Shqipëri. Rrethanat në të cilën ka ndodhur ngjarja, nuk lejojnë që autoritetet shqiptare të merren me zbardhjen e abuzimit seksual mbi studenten. Grupi hetimor bën me dije se është provuar që “përdhunimi” i 22-vjeçares, është kryer në kohën që ajo po mjekohej në një qendër rehabilitimi, në Almuster të Austrisë. Bazuar në këto të dhëna, autoritetet shqiptare nuk mund të ngrenë akuzë konkrete për përdhunuesit e saj, pasi kjo e drejtë sipas legjislacionit penal, i takon vendit ku ka ndodhur krimi. Epikriza mjekësore, profili i ADN-së së foshnjës së porsalindur dhe nënës së saj, do t’i dërgohen autoriteteve të drejtësisë austriake, që do ta ndihmojnë në gjetjen e autorit të përdhunimit të 22-vjeçares, me pasojë lënien shtatzënë të saj. Dalja e profilit të ADN-së së fëmijës do të ngushtojnë rrethin e personave të dyshuar si abuzues seksual ndaj 22-vjeçares, në kohën që ajo ka qenë e strehuar në qendrën e rehabilitimit, pas daljes nga gjendja e komes. Sipas prokurorisë, hetuesit austriakë janë treguar të rezervuar për mbarëvajtjen e hetimit të nisur pas ankesës së ambasadorit shqiptar në Austri. Florije Peci është një nga vajzat e mbijetuara të aksidentit të Himarës, ku humbën jetën 13 persona, 11 prej të cilave studente të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Studentja pësoi plagë të rënda dhe u dërgua për mjekim të specializuar në Austri, ku dyshohet se u përdhunua dhe ngeli shtatzënë. Skandali u bë i njohur publikisht nga vëllai i Florijes. Gazmend Peci, në janar të këtij viti, i kishte dërguar një letër Prokurorisë së Përgjithshme, ku parashtronte të gjitha pretendimet e tij, që e motra është dhunuar seksualisht në një kohë kur ajo ka qenë e pavetëdijshme për t’u mbrojtur. Shtatzëninë e së mbijetuarës, familjarët e kuptuan pas katër muajsh, gjatë një vizite rutinë në Spitalin e Librazhdit, më 16 janar të këtij viti. Pas kësaj, ata kanë nxituar në spital që të abortojnë fëmijën, por kërkesa u është mohuar nga mjekët e maternitetit të Tiranës. Specialistët e argumentuan ndërprerjen e shtatzënisë si një proces të rrezikshëm, e për më tepër kjo nuk lejohet as nga legjislacioni shqiptar. E gjithë familja Peci pret me ankth zbardhjen e së vërtetës dhe dënimin e atij që abuzoi me trupin e 22-vjeçares. Florijes nuk i kujtohet asgjë nga koha e qëndrimit në qendrën e rehabilitimit, por pavarësisht kësaj, ajo ndihet e lumtur për krijesën e pafajshme që ka sjellë në jetë. S. Muça

 

 

Itali

Mbyten dy të mitura shqiptare në lumin Po

kerkimet ne lumin poDy vajza të mitura, me origjinë shqiptare janë mbytur dje në lumin Po, në provincën Breme Lomellina, në Pavia të Italisë. Mediat italiane bëjnë të ditur se dy vajzat e vogla, 10 dhe 11 vjeçe, kushërira me njëra-tjetrën ishin me familjet e tyre buzë lumit Po, që të kalonin një fundjavë të freskët e të këndshme. Mësohet se vajzat, njëra banore në Breme, kushërira tjetër nga Milano, kanë qenë duke u larë në lumë por fatkeqësisht i ka rrëmbyer rrjedha. Po kështu, mediat mësojnë se njëri prej të afërmve ka tentuar t’i shpëtojë, por ka qenë e pamundur, pasi trupat e vegjël janë zhdukur me shpejtësi nën ujë. Palombarë, forca të zjarrfikëseve të zonës kanë mbërritur në vendngjarje pas alarmit që kanë dhënë prindërit. Me qëllim pikasjen e trupave në lumin e gjatë u vu në dispozicion dhe një helikopter që ka vijuar kërkimet për disa orë. Pas disa orë kërkimesh u bë e mundur gjetja e trupit së më të voglës, 10-vjeçares, ndërsa vijojnë me intensitet kërkimet dhe për kushërirën tjetër të zhdukur.

 

 

Tiranë

Konfliktet e pronësisë, i vihet zjarri banesës

Konfliktet e pazgjidhura të pronësisë kanë bërë që banesa të bjerë pre e një zjarri të qëllimshëm. Burimet bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës, në Mjull-Bathore të Komunës Farkë, Tiranë. Fatmirësisht në banesë nuk kishte njeri dhe nuk ka pasur të lënduar, ndërkohë që nga hetimet paraprake është dalë në konkluzionin se zjarri ka qenë i qëllimshëm, për shkak të konflikteve të pronësisë që pronari mund të ketë me autorin e zjarrvënies. Banesa është shkrumbuar tërësisht, pasi ajo ka qenë e pabanueshme dhe pronari nuk ka qenë prezent, që të shuajë flakët, apo thërrasë në kohë shërbimin zjarrfikës. Forcat e zjarrfikëses, të cilat mbërritën me vonesë në vendngjarje, kanë mundur të shuajnë flakët. Ndërkaq grupi hetimor ka nisur zbardhjen e ngjarjes duke marrë në pyetje pronarin e banesës së djegur. Në dëshminë e tij, ai ka thënë se dyshon që zjarrin ia ka vënë një person, me të cilin ka pasur konflikte të hershme për çështjen e pronësisë së truallit dhe objektit. Pas marrjes së kallëzimit, policia ka shkuar në banesën e personit të dyshuar për zjarrvënien. Mësohet se i dyshuari është arratisur dhe policia e ka shpallur person në kërkim. S. M.

 

Aksidenti tragjik ndodhi në rrugën Subash-Gjirokastër. Viktimat ktheheshin nga një përkujtimore

Shpërthen makina, digjen brenda tre persona

Viktimat – Në aksident humbën jetën Laurent Mançellari, babai i tij, Luan Mançellari dhe xhaxhai i tij, Faik Mançellari

Tre persona kanë humbur jetën dje nga një aksident i rëndë në Gjirokastër, të cilët janë djegur brenda në makinë, pasi kjo e fundit është përplasur në një bordurë. Viktimat e aksidentit janë vëllezërit Luan dhe Faik Mançellari, përkatësisht 62 dhe 57 vjeç, ndërsa i treti është Laurent Mançellari, djali i Luan Mançellarit. Dëshmitarët kanë tentuar të ndihmojnë të aksidentuarit, por nuk kanë mundur t’i nxjerrin nga makina. Ata kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikësit, të cilët nuk kanë mundur të shpëtojnë asnjë nga personat që ndodheshin në makinë. Policia tha se pas mbërritjes në vendin e ngjarjes ka rezultuar se në aksin rrugor nacional Subash-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Ish-serat e Mashkullores”, automjeti tip “Fiat Punto”, me targa greke ZHI 7934, me drejtim lëvizje për në Gjirokastër, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën e kanalit dhe për pasojë ka marrë menjëherë flakë. Drejtuesit e mjeteve që kalonin kanë ndaluar dhe janë përpjekur t’i ndihmojnë, por ishte e pamundur që t’i nxirrnin nga mjeti, kështu që menjëherë kanë njoftuar policinë dhe repartin zjarrfikës, të cilët kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje. Me gjithë ndërhyrjen e repartit zjarrfikës dhe të policisë nuk është bërë e mundur nxjerrja e trupave nga makina, pasi automjeti ishte përfshirë tërësisht nga flakët dhe ishte shtypur nga përplasja. Për pasojë, tre personat që ndodheshin në makinë janë djegur së bashku me automjetin. “Nga verifikimet e para rezultoi se në automjet udhëtonin tre shtetas dhe konkretisht Laurent Mançellari, 28 vjeç, babai i tij Luan Mançellari, 62 vjeç dhe xhaxhai i Laurentit, Faik Mançellari, 57 vjeç, të gjithë banues në Qafë-Gjashtë të Sarandës”, tha policia. Më tej, uniformat blu sqaruan se ata po ktheheshin nga Përmeti, pasi kishin shkuar të bënin një ceremoni për varrin e gjyshërve në Përmet dhe pas tyre po vinin edhe pjesa tjetër e familjarëve. Për 20 minuta, ata kanë mbërritur me automjet tjetër dhe nëpërmjet tyre u bë i mundur edhe identifikimi i kufomave, pasi ishin djegur tërësisht. Makina “Fiat Punto”, me targa greke nuk ishte në pronësi të tyre, por e përdornin, pasi kishin një servis makinash në Qafë-Gjashtë. Ndërkaq, një dëshmitar ka rrëfyer se ka parë aksidentin dhe ka shpejtuar t’i ndihmojë. “Në momentin kur mbërrita te makina e aksidentuar, hapa derën dhe pashë që të tre personat kishin vdekur, nuk kishte shenja jete. Në dy vendet e para ishin ulur dy meshkuj, njëri prej tyre djalë tepër i ri në moshë. Por në këto çaste, makina nisi të nxirrte tym dhe mori flakë. Unë dhe të tjerë që u afruam, nxituam të largoheshim me shpejtësi, sepse makina shpërtheu në flakë”, tha dëshmitari që ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes. E.S.

 

 

Zihen për zhurmat në hyrjet e pallatit, vritet me thikë i riu

Autori në polici: I kërkova të mos bënte zhurmë, por më goditi

Policia e kryeqytetit tha se mes autorit dhe viktimës kishte pasur disa debate gjatë ditëve të fundit

Silvana Muça

Konflikti për zhurmat në hyrjet e pallatit në orare të ndryshme kanë sjellë vrasjen e një 21-vjeçari, i cili është goditur me thikë nga një banor i zonës. Ky i fundit i kishte kërkuar që të mos bëhej zhurmë, por pasi ka debatuar dhe është goditur me grushte nga 21-vjeçari, është ngjitur në shtëpi, ka marrë një thikë dhe e ka goditur agresorin disa herë me mjetin prerës, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ndërkohë që menjëherë pas krimit, autori i dyshuar i saj është vetëdorëzuar në polici, duke rrëfyer motivin e vrasjes. Burime nga policia thanë se viktima, Arbër Mitro, është qëlluar disa herë me thikë nga fqinji i tij, Elton Bajraktari, 26 vjeç, pas një sherri të çastit. I riu ka gjetur vdekjen rrugës për në spital, pasi goditjet e thikës i kanë prekur organet jetësore. Motivi i sherrit mes dy të rinjve ka nisur disa ditë më parë, për shkak të zhurmave në pallat. Sipas policisë, Elton Bajraktari ka shkuar në banesën e fqinjit të tij, për t’i kërkuar që të mbajë qetësi, sepse njerëzit po pushonin dhe zhurmat ishin të padurueshme. Kjo nuk ishte hera e parë që ai i kërkonte të njëjtën gjë viktimës, duke bërë që mes palëve të kishte konflikte të përsëritshme. I ndjeri i ka thënë që është në shtëpinë e tij dhe mund të bëjë çfarë të dojë. Përgjigjja e Mitros e ka acaruar më tej situatën dhe Bajraktari e ka ofenduar. Situata ka degjeneruar në përleshje fizike mes dy të rinjve dhe 21-vjeçari ka ushtruar dhunë mbi Bajraktarin. Sipas policisë, autori i dyshuar i krimit ka shkuar në banesën e tij dhe është kthyer sërish te fqinji brenda pak minutave, për t’i kërkuar që të dalë jashtë, sepse ende nuk ishin sqaruar. Pa shkëmbyer asnjë fjalë, i riu i ka ngulur thikën disa herë në trup. Kur e ka parë që Mitro është rrëzuar për tokë dhe gjaku është derdhur lumë, ka ikur me shpejtësi, për t’iu fshehur të afërmeve të viktimës dhe policisë. Ngjarja kriminale ka shkaktuar terror te banorët e pallatit, të cilët për minuta të tëra janë dashur që të shohin 21-vjeçarin të shtrirë në dysheme, pa mundur që të thoshte asnjë fjalë. Ndonëse ambulanca e ka dërguar në spital, i riu ka gjetur vdekjen prej plagëve të marra. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Tiranës, për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Ekspertët do të këqyrin trupin e viktimës dhe raportin do t’ia dërgojnë organit të akuzës, në cilësinë e provës materiale. Kufoma është tërhequr disa orë më pas nga familjarët e të riut. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes ka shkuar policia për nisjen e hetimeve. Me dhjetëra banorë të pallatit janë shoqëruar në polici, për të dhënë dëshmitë e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë dhe pas identifikimit të autorit e kanë shpallur person në kërkim. Gjithashtu familjarët e dy të rinjve janë marrë në pyetje, të cilët kanë dhënë versionet për konfliktin. Paraprakisht ngjarja është cilësuar si vrasje për motive banale. Gjithsesi po hetohet nëse sherri ka motive të tjera apo jo. Ndërkaq, pak orë pas vrasjes, autori i dyshuar i krimit, Elton Bajraktari, është vetëdorëzuar në polici. Ai ka thënë që është autori i krimit dhe vrasjen e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër. Para grupit hetimor është shfaqur i penduar dhe ka treguar në mënyrë kronologjike nismën e sherrit, i cili doli jashtë kontrollit. Ai ka thënë se nuk mund ta pranonte dhunën që Mitro ka ushtruar ndaj tij dhe pa e menduar gjatë, ka shkuar që ta vrasë.

 

 

Korçë

Konflikt për një vajzë, plagoset studenti kuksian

Plagoset me thikë një i ri kuksian, student i Universitetit të Korçës, për shkak të ngacmimit të një vajze. Policia Rajonale e Korçës bëri të ditur se në orët e mbrëmjes së të shtunës, është plagosur me thikë 23-vjeçari me inicialet R.C. Sipas policisë, autorë në bashkëpunim të kësaj plagosjeje janë dy të rinj korçarë, edhe këta studentë të të njëjtit universitet. Bledar Shulleri, 20 vjeç, dhe Bilbil Çela, po 20 vjeç, janë arrestuar nga policia. Të dy të rinjtë korçarë akuzohen për vrasje me dashje të mbetur në tentativë, pasi kanë plagosur rëndë studentin kuksian. Nga hetimet e kryera për ngjarjen, ka rezultuar se midis dy të rinjve korçarë dhe studentit nga Kukësi ka pasur edhe më parë mosmarrëveshje, derisa ata janë konfrontuar midis tyre dhe nga përdorimi i një thike ka mbetur i plagosur në pjesën e barkut 23-vjeçari nga veriu. Policia tha se studenti kuksian ka qenë i njohur me një vajzë korçare, por dy të rinjtë e këtij qyteti e kanë konsideruar këtë si një ngacmim, pasi njëri prej tyre pretendon se ka krijuar lidhje me të njëjtën vajzë. Dy të arrestuarit për këtë plagosje të rëndë, kanë dëshmuar në polici se i kërkuan 23-vjeçarit kuksian të hiqte dorë nga ngacmimi i vajzës korçare, por kur ky i fundit ka kundërshtuar, janë konfliktuar mes tyre. G. Ashimi

Autor te 1 Korrik 2013. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry