Zana Xhuka largon drejtuesit. Vonohen deklaratat e pasurive për qeveritarët
Drejtimi – Nga janari i këtij viti, ILDKP-ja drejtohet nga ish-zëvendësministrja e Mbrojtjes, Zana Xhuka
Fatjona Mejdini
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është përfshirë dje nga konflikte të dhunshme nisur nga vendimi i drejtueses së këtij institucioni, Zana Xhuka, për të shkarkuar drejtuesit kryesorë të këtij institucioni të pavarur. Burime nga ILDKP-ja bëjnë të ditur se tre drejtuesit më të lartë të këtij institucioni, Gëzim Çopa, sekretar i përgjithshëm, Kozeta Ndoi, drejtoreshë e financave dhe Fjorida Kallco, drejtoreshë juridike, kanë marrë një urdhër të konsideruar arbitrar javën e kaluar për t’u shkarkuar nga detyra në mënyrë të menjëhershme. Por procesi ankimues që ata kanë nisur pranë Komisionit të Shërbimit Civil nuk është lënë të vazhdohet, pasi dje zyrat e tyre janë thyer me urdhër të Xhukës për të pasur akses të plotë në dokumentacionin që drejtuesit e këtij institucioni kanë pasur në dosjet e tyre. Kjo situatë duket se e ka prishur qetësinë në institucionin përgjegjës për dokumentimin dhe hetimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Kjo situatë bëhet problematike në një kohë kur ky institucion ende nuk ka bërë publik, sipas ligjit, deklarimin e pasurive të zyrtarëve për vitin 2012, të cilin ka pasur mundësi ta bëjë që në majin e këtij viti.
Konflikti
Drejtuesit më të lartë të ILDKP-së janë përfshirë në një konflikt të hapur, i cili dje ka degjeneruar deri në thyerje të dyerve dhe rrëmbim të paautorizuar të dokumentacionit. E gjithë situata ka ardhur për shkak të këmbënguljes së drejtueses së këtij institucioni, Zana Xhukës, për t’i shkarkuar me një urdhër të firmosur javën e kaluar dhe pa pritur vendimin e Komisionit të Shërbimit Civil. Në kushtet kur tre drejtuesit e lartë të këtij institucioni dhe praktikisht kupola e tij administrative e kanë quajtur vendimin e marrë nga drejtuesja e institucionit arbitrar, ata janë përballur me akte ekstreme, siç është thyerja e dyerve dhe aksesi në mënyrë të dhunshme në të gjithë materialin shkresor të këtyre drejtorive. Ky vendim konsiderohet një shkelje e hapur e ligjit në kushtet kur në raste shkarkimesh dorëzimi i materialeve dhe dokumenteve të punës bëhet mbi bazën e një procesverbali mbi gjendjen e tyre.
Transparenca
Ashtu si rrallë herë më parë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive nuk po bën transparencë për deklaratat vjetore të pasurisë së zyrtarëve të lartë. Sipas ligjit, ky institucion ishte i lirë që nga muaji maj i këtij viti të niste procesin e publikimit të deklarimeve periodike (të vitit 2012) për të bërë transparencën e plotë, gjë e cila nuk ka ndodhur deri tani. Prej janarit të këtij viti, ky institucion drejtohet nga ish-zëvendësministra e Mbrojtjes, Zana Xhuka. Ajo zëvendësoi në këtë detyrë Adriatik Llallën, i cili u dekretua nga Presidenti i vendit si Prokurori i ri i Përgjithshëm. Emërimi i Xhukës në këtë pozicion u shoqërua me skeptizicëm të madh, nisur nga fakti se një anëtare e kabinetit qeveritar merrte në drejtim një institucion të pavarur, siç është edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.