Planet


Këshilli i Territorit autorizon kërkim nafte në Fier-Vlorë, aprovon të tjera HEC-e dhe plane rregulluese 


ARD KOLA


Sali Berisha ne mbledhjeKur Edi Rama zhvillonte takime me krerë institucionesh, nën petkun e Kryeministrit të ardhshëm, ai aktuali, Sali Berisha merrte disa vendime, jo pak të rëndësishme për të ardhmen e sektorëve strategjikë të naftës, gazit, energjisë dhe territorit në tërësi. Dje Kryeministri në detyrë, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) mori 18 vendime, duke nisur ma gazsjellësin TAP, dhe më tej me lejet për zhvillime në vendburimet e naftës dhe gazit, për të kaluar më pas te ndërtimi i disa hidrocentraleve, dhe në fund me kalimin e planeve rregulluese për disa zona, me karakter turistik.


Pa llogaritur vlerën e investimit të TAP-it, projektet e firmosura nga Kryeministri prekin një vlerë që shkon në paktën 40 miliardë lekë. Ironikisht, kur Rama ankohej te Presidenti Bujar Nishani për rolin “neutral” që duhet të kishte qeveria në dy muajt e tranzicionit, deri në shtator, Berisha merrte me radhë 18 vendimet.


Burimet e naftës


Tre ishin vendimet që prekin sektorin e kërkimeve dhe zhvillimit të hidrokarbureve. E para, ishte “Plani i Integruar Sektorial për zonat e vendburimeve Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe vendburimin e Delvinës”. Ky plan ndërmerret në kuadër të marrëveshjes hidrokarbure për zhvillimin, prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet Ballsh-Hekal, Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe vendburimin e Delvinës midis kompanisë “Albpetrol” dhe kompanisë “Stream Oil”, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2007. Plani shtrihet në Jugperëndim të Shqipërisë dhe përfshin territore të Qarkut Fier dhe Vlorë. Plani përfshin analizën e elementeve territoriale, skenarët kryesorë të zhvillimit, vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe standardet mjedisore të sigurisë etj. Zona përfshin territore të Bashkisë Delvinë dhe të 10 komunave.


E dyta lidhet me “Leje zhvillimore komplekse për zhvillimin e prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin Patos-Marinzë, të shoqërisë ‘Bankers Petroleum Albania’”. Praktikisht, me këtë vendim, shoqërisë “Bankers” u shtohen të tjera territore, ose më saktë përforcohet akoma më tej e drejta për të zhvilluar zonat naftëmbajtëse në vend, në një kohë kur kanadezët operojnë prej afro 10 vitesh. Vendimi i tretë, lidhet po me “Bankers”, për “Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e objektit Shesh Shpimi dhe infrastruktura lidhëse për Pusin Kërkimor 5350, blloku “F”, Komuna Topojë, Qarku Fier”. “Ky projekt paraqet perspektivë për prodhim gazi natyror dhe nafte”, u shpreh Kryeministri.


Energjia elektrike


Janë disa vendime të marra dje nga KKT-ja për ndërtimin e hidrocentraleve, me synim prodhimin e energjisë elektrike. Kështu, u miratua leja zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentralit Lengarica 1 dhe Langarica 2, në Komunën Petran, rrethi Përmet, me investim rreth 2 miliardë lekë, fuqi të instaluar 8.94 megavat dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 36 milionë kilovat/orë. Hidrocentrali Lengarica është parashikuar të ndërtohet në pjesën e poshtme të lumit me të njëjtin emër në Shqipëri. Tjetër vendim ishte “Leja zhvillimore komplekse për ndërtimin e kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Curraj”, Qarku Kukës”. Kompleksi hidroenergjetik i Currajve është i kompozuar nga 11 HEC–e, me fuqi të instaluar 105193 kW. Kaskada Curraj ndodhet në rrethin e Tropojës. Territori është i pozicionuar në krah të Liqenit të Komanit, kurse vlera e investimit është rreth 16,6 miliardë lekë. Kryeministri e vlerësoi studimin si më seriozin, i cili ka mundësuar që kapaciteti i kaskadës i diskutuar prej vitesh në 25 megavat të arrijë në mbi 100 megavat dhe pjesë e këtij projekti ishin izraelitët.


“Leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentralit Tuçep 2, në Komunën Ostren, Qarku Dibër”, ishte një tjetër vendim, me vlerë 166 milionë lekë me fuqi të instaluar 1400 kW.


Të tjera projekte të miratuara dje nga Kryeministri Berisha ishin ndërtimi i 8 HEC-ve, Rrethi Librazhd, me investim 117 milionë lekë, me fuqi të instaluar 16.72 kW dhe prodhim vjetor 76 milionë kilovatorë; ndërtimin e 3 HEC-ve “Strelca1”, “Strelca 2”, “Strelca 3” në Komunën Gorë, Qarku Korçë, me fuqi 8.3 megavat, prodhim vjetor 25 milionë kilovatorë/orë dhe investim 697 milionë lekë; ndërtimin e HEC-it “Kolosian”, në fshatin Kolosian, Qarku Kukës, me prodhim vjetor 3 milionë kilovat; si dhe projekti elektrik në HEC-in “Trebinjë”, në pellgun e Trebishtit, Qarku Dibër. HEC-i për këtë projekt ka përfunduar, me kapacitetet 2 MW, me investimi total 500 milionë lekë.


 


 


[callout]Durrës


50 milionë euro për zhvillimin turistik të plazheve rreth Ishmit


KKT miratoi dje instrumentin e përgjithshëm vendor Komuna Ishëm, Qarku Durrës. Komuna Ishëm, me 8622 banorë dhe vijë bregdetare 22 kilometra, shtrihet në pjesën veriore të Qarkut Durrës. Vlera e përgjithshme e Planit të Investimeve Kapitale është 50 milionë euro. Në hartimin e tij është mbajtur promovimi i zonës së Ishmit si një destinacion turistik i një cilësie të lartë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes shfrytëzimit të përshtatshëm të tokës, të karakterit të peizazhit dhe pasurive natyrore të kësaj zone, duke orientuar zhvillimin e aktivitetit ekonomik të zonës me qëllim krijimin e kushteve për një turizëm modern që ofron shërbime cilësore, për vizitorë vendas e të huaj, si dhe zhvillimin multisektorial i Ishmit, ku kryeson zhvillimi i turizmit, i mirënjohur në bregdetin Adriatik si destinacion turistik në të gjitha sezonet. Plani i ri ruan traditën e ndërtimeve ekzistuese në zonën urbane, ndërsa në zonën turistike shfrytëzohen kreshtat dhe ndërtimet parashikohen 2-3 kate, me intensitet të vogël të shfrytëzimit të truallit të ndërtimit.[/callout]


 


“Maksimiliani I”


“Një nga komunat më të bukura, të cilën e vizitoi edhe Maksimiliani I dhe që udhëtimin e tij aventuror në Kepin e Rodonit dhe Komunën e Ishmit përshkroi në një libër shumë interesant, i përkthyer edhe në shqip. Do të bëhej më vonë perandori i Meksikës, ku edhe do të vritej atje”, u shpreh Berisha


 


Depozitimi i mbetjeve


U miratua edhe leja zhvillimore komplekse për ndërtimin e vendit të depozitimit të mbetjeve të ngurta në Maliq, Qarku Korçë, i cili do t’u shërbejë 28 njësive vendore, me popullsi 320 mijë banorë. Financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, 11.8 milionë euro. Vendi i depozitimit të mbetjeve është planifikuar për një periudhë prej 20 vjetësh.


 


Repart për RENEA-t


Projekti “Ndërtim & rikonstruksion i repartit RENEA” në Yzberisht është iniciativë e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritetet e Komunës Kashar, për të krijuar kushte normale për funksionimin e Repartit të Forcave Speciale. Projekti financohet nga qeveria shqiptare dhe Komisioni Europian, me vlerë rreth 800 milionë lekë.