Mund të nxisim investimet me taksën progresive, por me model “miks”


Sherif BUNDO


sherif bundoOpinioni publik ka përjetuar për gati një vit emocionet e një debati të mirëfilltë politik, me intensitet shumë të lartë në muajt e fushatës, një nga epiqendrat e të cilit ka qenë diskutimi me përmbajtje të mirëfilltë financiare, lidhur me preferencën për sistemin tatimor: proporcional apo progresiv. Duke qenë se diskutimet për këtë temë kanë konsumuar energji të mëdha politike, njerëzore, financiare dhe në mënyrë të veçantë kohë, gjykoj se tema duhet rimarrë, por për t’u trajtuar në mënyrë ezauruese, me argumente profesionale dhe shkencore, në respekt të një kontributi dhe sugjerimi modest dhe racional për të gjithë ata që tatimet dhe taksat do t’i kenë dhe do t’i përdorin si instrumente me të cilat synojnë të transformojnë ekonominë dhe shoqërinë.


 


Dy shkolla, dy modele të zhvillimit ekonomik


Diskutimi dhe debati, në kërkim të një strukture tatimore optimale, ka në origjinën e vet preferencat për modelet ekonomike. Për lexuesin e thjeshtë, më duhet të nënvizoj se në ekonomi ka shumë rryma ekonomike dhe modele, të cilat janë në fakt derivate të dy shkollave: asaj klasike me përfaqësues Adam Smith dhe asaj neoklasike me përfaqësues John Maynard Keynes. Sipas shkollës klasike, në një ekonomi të “tregut të lirë”, që funksionon shumë mirë, pa pengesa dhe pa ndërhyrje, tregu jep për çdo operator informacionet e nevojshme, ndërsa operatorët dhe njerëzit manifestojnë gjithnjë sjellje racionale (bëjnë atë transaksion, marrin atë vendim, që ju nevojitet dhe në mënyrën që duhet). Në këto kushte, një mall apo shërbim që do të mungonte do të stimulohej nga rritja e çmimit që diktohet për shkak të rritjes së kërkesës. Ky mekanizëm shërben për të nxitur dhe prodhuar gjithnjë atë produkt që duhet dhe për të frenuar atë që është “prodhuar me bollëk”. Për Smithin kjo është “dora e padukshme” që e çon shoqërinë dhe ekonominë përpara drejt rritjes dhe progresit. Për këtë arsye, shteti nuk ka nevojë të marrë përsipër rol të fortë dhe të dukshëm rregullator në ekonomi. Të pasurit bëhen akoma më të pasur, të varfrit akoma më të varfët. Këto dy pole largohen shpejt dhe shumë nga njëri-tjetri, ndërkohë që duhet nënvizuar se edhe konfliktet sociale thellohen përditë dhe më shumë.


Dy shekuj më vonë, Keynes, arriti në përfundimin se edhe nëse vërtet tregu funksionon shumë mirë, në të luajnë njerëz të ndryshëm, me temperamente të ndryshme, me inteligjencë të ndryshme, me aftësi të ndryshme të absorbimit të informacionit, por edhe me shkallë të ndryshme reagimi dhe iniciative, me ndjeshmëri të ndryshme ndaj risqeve dhe me nivel pasuror të ndryshëm. Në ekonomi gjërat nuk mund të rrjedhin si në laboratorët e kimisë, apo në ligjet e fizikës. Për rrjedhojë, me kalimin e kohës, tregu prodhon zhvillime të pakontrolluara. Përvoja ekonomike botërore ka me qindra shembuj që vërtetojnë një fenomen të tillë. (Në vendin tonë të tilla duhen konsideruar si zhvillime të pakontrolluara firmat piramidale, ndërtimet pa leje apo fenomeni i kioskave). Zhvillimet e pakontrolluara në ekonomi, sakrifikojnë pasuri të mëdha të krijuara nga shoqëria që shkatërrohen dhe që në fakt, me një rol dhe përgjegjësi më të madhe publike të shtetit, mund të parandalohen, mund të frenohen dhe mund të mënjanohen. Për këtë duhen struktura shtetërore më të afta, me rol mbikëqyrës dhe rregullator më të fortë dhe më aktive. Për rrjedhojë, shteti duhet të ketë në dorë më shumë energji financiare, të cilat do t’i sigurojë nëpërmjet tatimit më të lartë mbi të pasurit për të asistuar më shumë financiarisht të varfrit.


Këto dy modele, ndër dekada dhe dekada, janë transformuar dhe përpunuar në mënyra qeverisje dhe në funksion të tyre, teoria e financave dhe e ekonomisë, shkollat, universitetet dhe akademikët, kanë formuluar dhe sugjeruar mekanizmat e realizimit të tyre. Objektivi strategjik që synohet të arrihet në të dy rastet është i njëjtë: të zhvillohet ekonomia, të rritet mirëqenia, të përmirësohet pa ndërprerë standardi i jetesës dhe jetëgjatësia e njeriut.


 


Për dy modele ka tri struktura tatimore


Në shërbim të dy modeleve të mësipërme ekzistojnë tri struktura tatimore. Ato janë: struktura tatimore proporcionale, struktura tatimore regresive dhe struktura tatimore progresive.


Struktura tatimore proporcionale (që në Shqipëri abuzivisht quhet “taksë e sheshtë”), ose horizontale, është ajo strukturë tatimore me të cilën, shteti taton me të njëjtën shkallë tatimore (p.sh me 10% për të gjithë), çdo të ardhur, çdo pasuri, apo çdo shpenzim. Strukturat proporcionale i përshtaten modelit të shkollës së parë. Ato janë të thjeshta për t’u zbatuar nga administrata, janë të thjeshta për t’u kuptuar nga publiku dhe të lehta për t’u pranuar nga tatimpaguesit.


Struktura tatimore regresive, për më tepër, është ajo strukturë tatimore sipas së cilës, me rritjen e bazës tatimore, ulet shkalla tatimore, masa e të tatuarit. (Pra një pagë 200 euro tatohet 10%, ose 20 euro, ndërsa një pagë mujore 2000 euro, tatohet p.sh 8%, por në shumë absolute 160 euro, që është më e madhe se 200 euro).


Strukturat tatimore regresive është e përshtatshme të instalohet në periudhat që nevojitet një ngritje e shpejtë e biznesit dhe e iniciativës së lirë.


Të dy strukturat e para janë të përshtatshme për të mbështetur zhvillimin ekonomik sipas shkollës klasike. Janë pothuaj struktura tatimore që përdoren përgjithësisht nga qeveritë e djathta. Karakteristika kryesore e tyre është se të dyja thellojnë diferencimin dhe polarizimin pronësor dhe pasuror të publikut. Zbatimi për një kohë të gjatë i tyre është me pasoja të mëdha sociale dhe me kosto shumë të lartë.


Struktura tatimore progresive është ajo strukturë sipas së cilës me rritjen e bazës tatimore (të ardhurave, shpenzimeve apo pasurisë), rritet edhe shkalla tatimore. (p.sh një pagë 200 euro tatohet me 5%, një pagë 2000 euro me 10% dhe një pagë 4000 euro me 20%. Mund të ndërtohet edhe me segmente, ose me intervale).


Strukturat tatimore progresive janë karakteristika të shkollës së dytë, asaj neoklasike. Janë struktura tatimore që përdoren përgjithësisht nga qeveritë e majta. Qëllimi kryesor i strukturës progresive është i trefishtë: T’i tatojë të gjithë, përderisa nga të mirat publike që prodhon dhe ofron shteti përfitojnë të gjithë; Kush fiton më shumë të tatohet më shumë; dhe grumbullon më shumë burime financiare në duart e shtetit, të cilit i kërkon që të bëjë rishpërndarje dhe të zbusë ekstremizmat, të cilat me kalimin e kohës prodhojnë kosto të mëdha për shoqërinë dhe shtetin.


 


 


Strukturat tatimore mikse, strukturat e kohërave moderne


Pas Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht mbas viteve ‘80-‘90 të shekullit të kaluar janë aplikuar ato që quhen strukturat tatimore mikse. Quhen të tilla se kanë elementë nga të dy strukturat tatimore, kanë edhe proporcionalitet, edhe progresivitet. Kështu p.sh, kur themi paga nga 200 deri 400 euro tatohet 10%, kjo nënkupton se edhe paga 201 euro, edhe niveli 399 euro tatohen me të njëjtën shkallë tatimore.


Strukturat tatimore mikse janë të përshtatshme për qeveritë e partive të qendrës. Ato janë aplikuar edhe prej qendrës së majtë, edhe prej qendrës së djathtë. Strukturat tatimore mikse kanë pamjen e strukturave tatimore të bashkëjetesës, janë larg ekstremeve, dhe alternojnë avantazhet dhe dizavantazhet e njërës strukturë me ato të një strukture tjetër.


 


Struktura tatimore proporcionale, por me nivel të lartë të borxhit publik


Po të tentojmë të analizojmë situatën makrofinanciare të këtyre muajve të fundit, në vendin tonë, do të nënvizonim se: qeveria e PD aplikoi strukturat tatimore proporcionale. Proporcionalitetin e shtriu pothuaj në të gjithë elementët tatimorë. Tatimi mbi të ardhurat personale 10%, tatimi në burim 10%, tatimi mbi të ardhurat e biznesit (tatim fitimi) 10% dhe po kështu edhe shkalla tatimore e TVSH në më të shumtën e kohës qëndroi proporcionale, e pandryshuar 20%, e pashkallëzuar. Kjo ndikoi njëherësh në rritjen relative të shkallës së deklarimit dhe zgjeroi bazën e tatueshme. Për rrjedhojë, rriti edhe të ardhurat tatimore të buxhetit të shtetit, madje ndjeshëm dhe në ritme të larta gjatë mandatit të parë të qeverisjes. Nga ana tjetër, qeveria e djathtë, kërkoi, ndryshe nga filozofia e saj, të marrë përsipër dhe të centralizojë shumë sektorë dhe shërbime. Ajo u zgjerua shumë, shumë më shumë se mundësitë e saj, në investimet publike, në rrugë, në shkolla, në rrije pagash dhe në sektorë të tjerë të ngjashëm. Kjo sjellje ka qenë tipike elektorale dhe për ambicie politike. Në kushtet kur ekonomia ezauroi rritjen ekonomike dhe u prek nga kriza, nevojat e buxhetit u përballuan jo më me burimet e tij, por me rritjen e borxhit. Rolin e vet, si multiplikator të zhvillimit ekonomik të vendit, qeveria tentoi ta luante nëpërmjet zgjerimit të investimeve dhe punëve publike, si reformë tipike e majtë, me rritje të borxhit publik. Rritja e borxhit publik nuk është gjë tjetër, veçse rritje e tatimeve dhe e taksave, jo për gjeneratën dhe gjeneratat aktuale, por për brezat e ardhshëm. Në esencë, rritja e borxhit publik duhet shlyer kur të vijë koha prej të njëjtit burim: rritjes së tatimeve dhe të taksave. Kjo është rritje e tërthortë tatimesh ose transferim në kohë i vështirësive financiare.


Të majtët kanë premtuar më shumë punësim dhe rol e përgjegjësi më të madhe e shtetit në fushën e nxitjes së punësimit, më shumë transparencë, sistem arsimor publik më eficent dhe më cilësor, menaxhim më të mirë të investimeve dhe të sektorit publik, shërbime publike më afër qytetarit, kujdes dhe sensibilitet të lartë ndaj mjedisit, burimeve energjetike, minerale dhe sektorëve strategjikë. Në këto kushte, programi i qeverisë së majtë pritet të ketë dy matrica të kushtëzuara: nga njëra anë një listë të gjatë reformash të premtuara, të cilat duhet të programohen për t’u realizuar dhe nga ana tjetër, një bilanc financiar mbështetës, realist dhe konkret. Mbërrijmë natyrshëm në konkluzionin që strukturat tatimore progresive duhet të jenë thelbi i reformave fiskale.


 


A duhen marrë me frikë strukturat tatimore progresive, apo progresive të miksuara?


Kjo është një pyetje që preokupon shumë, me sa kuptoj dhe lexoj nëntekstin e komunikimit me publikun të politikëbërësve të mazhorancës së re. E rëndësishme është të konceptohet drejt modeli ekonomik që kërkohet dhe gjykohet si më i përshtatshëm në vendin tonë. Që të mos ketë vend për keqkuptime dhe keqinterpretime, duhet nënvizuar se qeverisja e majtë duhet të bëjë publike mirë faktin se në çfarë gjendje është ekonomia dhe financat publike sot, dhe se çfarë kërkohet dhe synohet të arrihet pas katër vitesh? Cila është përgjegjësia e shtetit sot dhe se çfarë synohet të arrihet për mbas një mandati? Modeli ekonomik që duhet konsideruar si objektiv në vendin tonë është dhe duhet të jetë modeli ekonomik i bashkësisë europiane: ekonomia sociale e tregut. Pa koncepte të qarta teorike nuk ndërton dot mekanizma eficentë fiskalë.


Të ardhurat e buxhetit të shtetit duhet të rriten. Ky është ekuacioni numër një që duhet zgjidhur. Por ky ekuacion ka shumë variabla. Hapi i parë që duhet hedhur, është të mënjanohet padrejtësia që në raport me tatimet, i varfëri dhe i pasuri janë njëlloj, tatohen me të njëjtën shkallë tatimore. Filozofia e strukturës tatimore aktuale proporcionale materializohet me sentencën: me qumështin që i duhet fëmijës së një familje të varfër, do të ushqehet qeni që mban një i pasur.


 


 


Së treti, progresiviteti nuk duhet të prekë vetëm të ardhurat personale. Ky do të ishte një gabim i rëndë. Në të ardhurat personale, tatimi duhet të jetë i diferencuar sipas nivelit të të ardhurave, por ai duhet të shtrihet edhe në të ardhurat e bizneseve. Në raport me bizneset, mazhoranca nëpërmjet strukturave tatimore ka në dorë të nxisë prodhimin vendas. Prodhimi vendas është energjia e progresit. Më e drejtë do të ishte edhe teorikisht dhe edhe praktikisht të përdoren shkallë progresive të tatimit mbi dividendin. Por për disa sektorë mund të aplikohen tatime mbi fitimin të diferencuara. Kështu p.sh., në sektorët ku shteti dukshëm ka dhënë të drejta koncesionare, ku përdoren burime natyrore, energjetike, minerare, ku normat e fitimit janë të larta, në fushën ku dividendët apo investimet jashtë sektorëve prodhues kanë qenë të larta, mund të përdoren edhe norma tatimore të diferencuara, më shumë se 10%. Kjo kërkon studime të mirëfillta. Për fat, administrate e sotme është më profesionale se ajo e para 10 viteve. Sigurisht jo në të gjitha nivelet dhe jo në të gjithë sektorët.


 


Mos harroni shembullin grek në fushën e financave publike


Sigurisht, që gjatë fushatës elektorale e majta ka bërë edhe premtime pa doganë. Gjithnjë, politika dhe politikanët, në kulmin e fushatës dhe të debatit politik, manifestojnë sjellje emocionale dhe aspak racionale. Dikur, ish-kryeministri socialist, premtoi do t’ju kthejmë paratë që keni humbur në firmat piramidale. Ne ekonomistët e përjetuam asokohe si një deklaratë skandaloze, aspak realiste dhe diskredituese.


Po kështu, në fushatën e fundit, të djathtët premtuan rritje të pagave. Madje, Këshilli i Ministrave nuk nguroi të merrte vendim për këtë rritje. Por, a janë kushtet e financave publike për të rritur pagat e sektorit publik dhe të administratës publike? Nuk ka nevojë për diplomë ekonomie të kuptosh se sjellja më e drejtë e çdo qeverie gjatë vitit 2013 dhe gjysmës së parë të vitit 2014, do të ishte një sjellje në kushtet e emergjencës, një kujdes maksimal për të frenuar dobësimin e mëtejshëm të financave publike dhe stabilizimin e buxhetit të shtetit. Në të kundërt, do të ndodheshim në kushte të ngjashme me ato të ekonomisë greke. Nuk lipset rritje e pagave, por garanci për këtë nivel pagash që kemi dhe përpjekje për të mos dobësuar fuqinë blerëse të lekut. Nuk është vetëm rritja e pagave, politika që pritet të rrisë konsumin, për të cilën ka nevojë ekonomia shqiptare. Pritshmëria për vitin 2013 është një thellim i deficitit buxhetor, ose një sjellje tejet frenuese e investimeve publike. Për këtë duhet koshiencë e lartë. Ndryshe, mazhoranca e sotme do të ballafaqohet që në fillim me vështirësi bllokuese. Shpeshherë nuk mjafton vetëm dëshira e mirë.


 


Sistemi bankar në vendin tonë ka likuiditet të mirë dhe për mjaft kohë është vënë re rritje e ndjeshme apo rritje sistematike e depozitave. Është sjellje tipike e familjeve në kohë krize. Ndërkohë duhet nxitur konsumi që të motivohet zhvillimi ekonomik. Për këtë gjykoj që rruga më e drejtë do të ishin politikat e inkurajimit të investimeve dhe zgjerimit të sipërmarrjeve. Duket, sikur krijohet një konflikt midis nevojës për struktura tatimore progresive dhe nxitjes së investimeve. Në fakt nuk ka konflikt. Të nxiten investimet në sektorët e prodhimit vendas dhe të tatohen progresivisht fitimet që nuk investohen në sektorët prodhues. Kjo do transferojë kapitalet dhe vëmendjen nga sektorët e tregtisë, të disa shërbimeve jo të dobishme, të lojërave të fatit, etj., drejt ekonomisë reale dhe prodhimit vendas. Nxitet punësimi dhe stimulohet reduktimi importeve.


Nuk janë kushtet në vendin tonë që të luhet fort, jashtë realitetit, me premtime që dëmtojnë financat publike. Kam përshtypjen se edhe përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat nga pagat për shumat deri në 30000 lekë në muaj, ishte një vendim emocional, nën efektin e emocioneve të fushatës. Ishte vendim elektoral. Nuk mendoj se pagat e këtij niveli, mund të kontribuojnë shumë në buxhetin e shtetit, por vendime të kësaj natyre dëmtojnë, shumë më shumë se sa kultivojnë, në atë që quhet kultura fiskale e publikut. Nuk prish ndonjë ekuilibër të madh pse një person që përfiton 30000 lekë në muaj të paguajë p.sh vetëm 500 lekë tatim.


 


Do të hiqet taksa për biznesin e vogël?


Detyrimi kryesor tatimor sipas ligjit aktual që detyrohet dhe paguan biznesi i vogël quhet “taksa vendore mbi biznesin e vogël”. Termi përsëri është i gabuar, se në përmbajtje ajo që paguan biznesi i vogël sot është një tatim i paracaktuar, i paragjykuar. Do të hiqet një taksë, dhe kjo do të zëvendësohet me një mënyrë tjetër tatimi? Kjo është fare normale. Por që të përjashtohet nga tatimi gjithë biznesi i vogël, kjo do të ishte nga njëra anë një utopi dhe nga ana tjetër një voluntarizëm i mirëfilltë. Do hiqet taksa vendore mbi biznesin e vogël për t’u zëvendësuar me tatimin mbi fitimin nga aktiviteti i biznesit të vogël? Kjo do të ishte gjithashtu normale. Do të ndryshojnë kriteret fiskale të klasifikimit të një biznesi në të vogël dhe të madh? Edhe kjo do të ishte normale të ndodhte. Dhe faktikisht duhet të rishikohet. Do të ndryshojë kufiri i xhiros mbi të cilën aplikohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar? Përsëri edhe kjo do ishte normale. Por nuk është normale dhe nuk ka si të përjashtohen nga tatimi 96% e bizneseve në vendin tonë, të cilat sipas kritereve aktuale plotësojnë kushtet që të quhen dhe të konsiderohen biznese të vogla. Së fundi, jo më pak e rëndësishme, biznesi i vogël është energjia që ushqen organet e pushtetit të qeverisjes vendore.


 


Në vend të mbylljes: Në financë nuk mund të bëhen eksperimente


Nëse në sektorët e tjerë të ekonomisë, logjika pranon që edhe mund të eksperimentosh, në fushën e financave publike në asnjë mënyrë nuk mund të bëhen eksperimente. Kërkohen koncepte të qarta, objektiva të qartë dhe instrumente të qartë. Gabime të vogla konceptuale prodhojnë devijime të mëdha në praktikë, kostot e korrigjimeve të të cilave do të ishin mjaft të mëdha. Sigurisht që nuk ka zgjidhje dhe mekanizma të përsosur. E përsosur duhet të jetë përpjekja për të ndërtuar struktura tatimore të drejta, që reflektojnë aftësinë paguese të tatimpaguesve, që janë të besueshme dhe transparente, që janë të përshtatshme, që nxisin zhvillimin dhe rritjen dhe janë eficente.


 


 


Sqarimi


“Taksë e sheshtë”


Termi “Taksë e sheshtë” është emërtim profesionalisht dhe shkencërisht i pasaktë, që ka hyrë në fjalorin e gjuhës sonë për shkak të termave pa përshtatje. E quaj taksë e propocionalitetit


 


Progresiviteti nuk duhet të prekë vetëm të ardhurat personale, por edhe të ardhurat e bizneseve


 


Për disa sektorë (koncesione, energji, miniera) mund të aplikohen tatime mbi fitimin të diferencuara


 


Të nxiten investimet në prodhim dhe të tatohen progresivisht fitimet që nuk investohen në këtë sektor


 


Të përjashtohet nga tatimi biznesi i vogël, kjo do të ishte një utopi, por nga ana tjetër një voluntarizëm


 


  


Sentenca


Fëmija dhe qeni


Filozofia e strukturës tatimore aktuale proporcionale materializohet me sentencën: me qumështin që i duhet fëmijës së një familje të varfër, do të ushqehet qeni që mban një i pasur.