Kulturë “Tri motrat” në kërkim të dashurisë

“Tri motrat” në kërkim të dashurisë

911
SHPËRNDAJE

Drama e Çehov vjen nga regjisorja e re Arjeta Dhima

dramaTë gjitha moshat i nënshtrohen dashurisë, pasionet e së cilës janë fisnike. Anton Çehov e sheh dashurinë si lajtmotivin e të gjitha ndodhive njerëzore. Kjo është ajo çfarë i bën veprat apo dramat e shkruara prej tij, si tepër të ndjeshme, dhe të duken më afër nesh. Sot në mbrëmje, në “Tirana Ekspress” regjisorja Arjeta Dhima do të ngjisë në skenë dramën më të bukur të shkruar nga Çehov më 1900-n, “Tri motrat”. Vepra të zhvendos në një provincë të Rusisë në një familje të thjeshtë ku brenda saj jetojnë tri motra dhe një vëlla. Olga, motra e madhe, e cila jep mësim në gjimnaz; Masha, motra e dytë është martuar me Kulliginin një mësues; Andreji, vëllai i tyre i pasionuar pas violinës, është punonjës në administratën lokale të qytetit i martuar me Nataljen; Irina, motra e vogël, punon telegrafiste.

Motrat janë vajza me botë shumë të pasur intelektuale dhe shpirtërore. Kanë ëndrra dhe pasione për jetën, kërkojnë dashurinë e vërtetë dhe thirrja e tyre e fortë është “të shkojmë në Moskë”. Moska, një nga kryeqytetet më të bukura të botës, ku zhvillohet arti dhe kultura, shkenca dhe ushtria. Ato i kanë kthyer në idhuj njerëzit që vijnë nga Moska, në njerëz shumë të rëndësishëm dhe shumë me vlerë për shpirtin e tyre. Në hapje të dramës ne shohim një harmoni të skajshme të tyre, gjithçka duket bukur dhe në vendin e vet. Por ne shohim në aktin e tretë një transformim të të gjitha personazheve, kryesisht e shohim tek Irina, motra e vogël, e cila ëndërron të realizojë dashurinë e jetës së saj dhe ëndrrën që vlon në damarë. Të shkojë në Moskë. E ndërsa Andreji, vëllai i vetëm, ka vënë në shitje shtëpinë, për shkak të borxheve që ka në kumar. Nga një njeri plot parime dhe ëndrra për të ardhmen, tani ai udhëhiqet nga Natasha, gruaja e tij. Ajo tenton të shprehet tek ai dhe për ta vendosur kundër motrave dhe gjithë të tjerëve.

Gjithashtu ai ka një punë tashmë për shkak të saj, është ajo që shkon edhe zgjidh punë me kryetarin dhe me njerëz të lartë të dikastereve përkatëse për çështjet delikate familjare. Është ajo që po merr vendime dhe drejton çdo gjë nga vetja. E dërgon Andrejin tek Olga, motra e madhe, për t’i dorëzuar çelësin, në një farë mënyre për ta zbritur nga detyra e saj si kryefamiljare apo si nënë e gjithë motrave dhe vëllait. Në role interpretojnë Vilma Hodo, Laura Nezha, Azra Salahi, Orsi Vangjeli, Ersila Rezhda, Marsel Rupi, Andi Begolli, Ledian Gjeci, Marsel Greva, si dhe vetë regjisorja Dhima. Skenografia dhe kostumet janë ideuar nga Enisa Arapi.