ARSIMI DHE TREGU I PUNËS

ZAMIRA ÇAVO

Zamira CavoDebati që lind natyrshëm në një vend, i cili kërkon të shikojë përpara drejt zhvillimit, është padyshim arsimi. Ndaj është plotësisht e justifikueshme, madje dhe shumë inkurajuese, që të debatohet në lidhje me të. Ky debat, dhe kur është popullor dhe kur është profesional, dëshmon për nevojën e madhe të një revolucioni në arsimin tonë.

Kohët kanë ndryshuar dhe çdo paralelizëm me sistemin arsimor të periudhës komuniste është i pavlefshëm. Sot krahasimet duhen bërë me realitetin konkret. Ky realitet është shumëplanësh, teknologjik, kulturor, tradicional dhe mbi të gjitha është realiteti i nevojave tona të zhvillimit, realiteti i tregut të punës. Është dhe duhet të jetë ky i fundit, arsyeja pse duhet të rishikohet në mënyrë revolucionare sistemi arsimor. Nevojat e këtij tregu duhet të shkojnë pothuaj paralelisht me riformatimin e kurrikulave të shkallëve të sistemit tonë arsimor, por duhet gjithashtu të shkojë pothuajse paralelisht dhe me riformatimin e vetë sistemit tonë arsimor. Por që të arrihet kjo, bëhet e nevojshme studimi i nevojave për burime njerëzore të vendit, në përputhje me strategjitë e zhvillimit dhe studimi i formave elastike të sistemit arsimor, me synim plotësimin e këtyre nevojave. Natyrisht që kjo kërkon mendimin e gjithkujt që ka aftësinë, por dhe dëshirën për të kontribuuar në një çështje kaq të rëndësishme për vendin. Sistemi i arsimit universitar është ai që më dukshëm na trondit dhe na tundon në këto debate. Më konkretisht dua të them se:

Së pari: Personalisht nuk jam dakord që me taksat e publikut shqiptar, pra me taksat tona, të mbahen me “zor” në universitete, ata të rinj që nuk kanë as aftësinë, as dëshirën për t’u bërë vërtet dikush në profesion. Mbarimi i universitetit si “modë” apo trend i kohës, nuk ka pse të rëndojë mbi supet tona. Kjo nuk do të thotë që këtyre studentëve t’u hiqet mundësia e studimit dhe aftësimit të tyre të lartë. Ndaj, duke iu kthyer edhe njëherë shkrimit tim të paradokohshëm mbi revolucionin në arsim, them se: nuk ka individ që të mos ketë ndonjë aftësi, prirje apo dëshirë të fshehur. E rëndësishme është që prindërit, por dhe vetë të rinjtë ta kuptojnë se çfarë duan dhe nëse janë të aftë ta bëjnë. Një zgjidhje do të ishin kolegjet profesionale, të cilat, pas shkollës së mesme, janë një mjet shumë i mirë për kultivimin e aftësive profesionale. Kështu ky i ri që nuk “duron” dot matematikën, nuk pëlqen aspak letërsinë, nuk preferon, ta zëmë, arkitekturën, s’ka pse detyrohet të “fusë mikun”, apo diçka më tepër për ta marrë atë shkollë. Dhe ne s’kemi pse gënjejmë veten se kemi diplomuar kaq juristë, apo ekonomistë, apo mjekë etj. Kolegjet profesionale dy apo trevjeçare, do të përmbushnin njëkohësisht dy kërkesa të themi parimore: barazinë e të gjithë të rinjve në mundësitë për të ndjekur arsimin e lartë, dhe një aftësim të specializuar dhe jo amator të të rinjve në fusha të ndryshme profesionesh.

Së dyti: Personalisht mendoj se Shqipëria ka nevojë për një arsimim masiv. Ndaj mendoj se arsimi i mesëm, duhet të jetë i ngritur mbi baza gjimnazi të përgjithshëm. Arsyeja është e thjeshtë: në gjimnaz kultura dhe kurrikula që duhet të jepen, duhet të përgatisin individë me kulturë të përgjithshme, e mbi të gjitha me përgjegjësi personale. Dhe kjo duhet të jetë pa mëdyshje. Nxënësit tanë duhet të kuptojnë se gjimnazi është baza e kulturës së tyre, që e bën të konkurrojë në kulturën e përgjithshme me një nxënës të Europës sot. Nuk do të preferoja shkollat e mesme profesionale, që jo rrallë degjenerojnë në kurse profesionale. Pas gjimnazit, nxënësi/student mund të jetë tërësisht i qartë se çfarë drejtimi do të zgjedhë: një degë universitare apo një kolegj profesional. Natyrisht që në të dyja rastet, marr të mirëqenë ekzistencën e një infrastrukture burimesh njerëzore dhe profesionesh të miratuar nga qeveria.

Së treti: Universitetet tona nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të përballuar dyndjet e studentëve dhe dyndjet e “prindërve” që kërkojnë me detyrim të fitojnë një diplomë dhe jo një profesion. Këtu sigurisht ka një varg problemesh që lidhen me njëri-tjetrin, por që në fund të fundit puntojnë drejt dy elementeve esenciale: kurrikulave, që jo rrallë janë më shumë se të përgjithshme dhe nuk ofrojnë profesion, dhe mundësive reale financiare e njerëzore që universitetet kanë për të ofruar diplomën vërtet me profesionin që kërkon tregu i punës. Me pak vëmendje, lexuesi i interesuar do të më pyeste: Po çfarë profesioni ofrojnë tri vitet e “bachelorit” në universitet? Madje dhe vetë qeveria nuk ka ditur ku t’i klasifikojë diplomat e trevjeçarit, si profesione. Ndaj me apo pa dashje u ushqye mastromania. Të bësh një master, pavarësisht se ku dhe se si, të jep një arsye më shumë për të ruajtur vendin e punës apo për t’u konsideruar “i aftë” profesionalisht. Jemi dëshmitarë të kësaj maskarade të pakuptimtë. Por realisht, ligjërisht, mënyra se si përshtatëm Kartën e Bolonjës të çon ose në masterin profesional ose në masterin shkencor dyvjeçar. Pra që të njihet profesioni, studenti duhet detyrimisht të ngjitet drejt masterit shkencor, i cili realisht duhet të përgatisë shkencëtarët apo pedagogët e ardhshëm! Pra 3+2 i detyron studentët, edhe ata që nuk kanë asnjë të dhënë apo dëshirë për të bërë karrierë akademike, t’i hyjnë masterit dyvjeçar shkencor! Një rreth vicioz i paparë! Rishikimi i këtij sistemi ose duhet të rishohë trevjeçarin në një kurrikulë të përcaktuar mirë, ose nëse ky trevjeçar do të mbetet gjeneralistik, sikundër aktualisht është, masteri dyvjeçar duhet detyrimisht t’i ofrohet si master profesional çdo studenti, i cili synon profesionin real dhe jo karrierën akademike. Kjo do t’u priste rrugën atyre dhjetëra “kumtesave” gati qesharake, atyre dhjetëra “punimeve” krejtësisht pa vlerë që kryhen sot për të marrë një diplomë masteri apo dhe doktoraturë!

Problemet e mëdha të arsimit universitar nuk mund të ceken në një shkrim, madje as në dhjetë të tilla. Problemet e cilësisë mbeten pa dyshim ato më thelbësoret, por njohja e tregut të punës dhe përgatitja e të rinjve për këtë treg, që shumë shpejt nuk do të jetë vetëm shqiptar, mendoj se kërkon shumë mendim e përkushtim.

Autor te 11 Korrik 2013. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry