Intervista


Sybi Hida, ish-analist i Fondit, sqaron arsyen e rikthimit të misionit


sybi hidaKa punuar për rreth dy vjet për FMN, ekonomist në Departamentin Europian, dhe e njeh nga afër se çdo të “thotë” t’i kërkohet ndihmë Fondit Monetar, se cilat janë “kurat” e saj, “efektet”, etj. Sybi Hida tregon për “Shqip” detajet e vizitës së fondit në Shqipëri.


 


Diskutohet rikthimi i FMN-së në Shqipëri për Programin e Vlerësimit të Sektorit Financiar (Financial Sector Assesment Program – FSAP). Cili është qëllimi?


Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar, FSAP, është një iniciativë e përbashkët e FMN-së dhe Bankës Botërore, e filluar në vitin 1999, për t’u ofruar vendeve anëtare një vlerësim të thelluar të sektorit financiar, nëpërmjet një dokumenti që bëhet publik nga FMN. Për vendet e zhvilluara, FSAP realizohet vetëm nga FMN. Vlerësimet e paraqitura në dokumentin e FSAP i përkasin vetëm stafit që kryen vlerësimin dhe jo ato të qeverisë apo të bordit të FMN. Pra është një vlerësim thellësisht teknik dhe është në diskrecionin e qeverisë për ta bërë publik ose jo këtë dokument. Qëllimi kryesor i FSAP është të identifikojë pikat e forta dhe vulnerabilitetet të sektorit financiar nëpërmjet simulimit të testeve të ndryshme, të njohura si stress tests; të vlerësojë mjaftueshmërinë e ligjeve dhe rregullave financiare; të japë gjykim se si janë menaxhuar burimet kryesore të riskut; të përcaktojë se si duhet zhvilluar ky sektor dhe nevoja për asistencë teknike; dhe të ndihmojë se çfarë politikash publike duhen ndjekur.


Në rastin e vendit tonë, është kryer vetëm një FSAP në vitin 2005 dhe, në vlerësimin e fundit të FMN, sipas artikullit IV në vitin 2012, autoritetet shqiptare kanë planifikuar të kërkojnë një FSAP gjatë gjysmës së dytë të vitit 2013 (faqe 16 e dokumentit të raportit sipas artikullit IV, 2012). Pra, për sa më sipër, mendoj që kjo është një marrëdhënie normale që kanë autoritetet tona me FMN dhe një ushtrim që do të paraqesë një vlerësim teknik të qëndrueshmërisë financiare në vendin tonë.


 


Ju keni punuar me FMN dhe shpeshherë ky institucion perceptohet nga publiku si një “kujdestar” i rreptë. Në fakt, çfarë do të thotë të punosh me FMN në kushtet e programit në fjalë?


 


Për etikë, nuk po i përgjigjem kësaj pyetjeje si ish-punonjës i FMN, por sipas gjykimit tim profesional. Duke iu referuar profesorit James Raymond Vreeland, Universiteti i Yale, në librin e tij, FMN dhe Zhvillimi Ekonomik, 2003 paraqet një analogji interesante midis rolit të FMN dhe rolit të një mjeku. Zakonisht njerëzit shkojnë për mjekim te doktori kur janë të sëmurë dhe trajtimi/kurimi mund të shkaktojë dhimbje momentale për pacientin. Pra, ideja që doktori shkakton dhimbje nuk është faji i doktorit, por një nevojë për të eliminuar sëmundjen. E njëjta gjë me FMN: në përgjithësi, shtetet i drejtohen FMN për ndihmë kur kanë probleme financiare, rritje ekonomike të ulët dhe vështirësi me buxhetin. Dhe mund të duket sikur kjo situatë është për shkak të FMN dhe jo për shkak të vetë shteteve. Të njëjtën recetë marrin edhe vendet që shkojnë për ndihmë te FMN, reforma (dhimbje) në afatin e shkurtër për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë. Po ku konsiston kjo dhimbje?


Së pari, dua të theksoj që FMN është një organizatë e krijuar me fonde të shteteve anëtare, ku edhe vendi ynë u bë anëtar në vitin 1991 nëpërmjet pagesës së një shume të caktuar monetare, që sot llogaritet rreth 89 milionë dollarë amerikanë. Dhe në këmbim të kësaj FMN ofron për vendet anëtare (I) mbikëqyrje të zhvillimit ekonomik e financiar; (II) hua për vendet me vështirësi të bilancit të pagesave dhe hua për vendet me të ardhura të ulëta, me qëllim reduktimin e varfërisë (Shqipëria është larguar nga lista e vendeve me të ardhura të ulëta); dhe (III) asistencë teknike dhe trajnime për zyrtarët publikë. Që nga momenti i anëtarësimit, vendi ynë ka përfituar nga të tre tipat e mbështetjes nga FMN.


Që nga viti 2009, marrëdhënia e vendit tonë me FMN mbështetet te  pika (I) dhe pjesërisht te (III), mbikëqyrje, asistencë teknike dhe trajnime për zyrtarët publikë (zakonisht të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë).


 


Para vitit 2009, vendi ynë ka përfituar edhe nga marrëveshjet me huamarrje (gjashtë marrëveshje të tilla), ku e fundit ka qenë ajo e firmosur në janar të vitit 2006. Kjo ishte në formën e një marrëveshjeje të kombinuar nëpërmjet Instrumentit të Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes (PRGF) dhe Instrumentit të Fondit të Zgjeruar (EFF), sipas së cilës qeveria jonë përfitonte një hua 24.7 milionë dollarë amerikanë në formë huaje me interes të ulët.  Huaja ishte e ndarë në mënyrë të barabartë për të dy instrumentet, ku me PRGF paguhej një interes vjetor prej 0.5 për qind, të kthyeshme për 10 vjet dhe periudha e fillimit të kthimit të principalit (grace period) ishte pas 5.5 vjetësh. Interesi vjetor për gjysmën tjetër të kredisë, instrumenti EFF, ishte 4.3 për qind, të kthyeshme për 10 vjet dhe periudha grace ishte 4.5 vjet. Që vendi ynë ta përfitonte këtë hua, duhet të plotësonte kushtet që vendoseshin nga FMN. Pra, nuk mund të përfitohej kredia nëse nuk plotësoheshin kushtet për politika të ndryshme makroekonomike dhe strukturore. Kushtet e vendosura nga FMN marrin një rëndësi të veçantë, jo vetëm pse ato janë parakusht për të fituar huan, por edhe pse një dështim për të plotësuar ato përçon një lajm negativ në ekonomi e tregjet financiare për paaftësinë e qeverisë. Për t’iu përgjigjur pyetjes së ngritur më sipër, në këtë rast këshillat e FMN janë detyruese për qeverinë dhe ndonjëherë mund të jenë të kushtueshme për ekonominë e vendit, të paktën në afatin e shkurtër.


 


Sipas jush, pse pikërisht tani, BSH e shikon të nevojshme bashkëpunimin me FMN, sipas programit FSAP, në një kohë kur vendi po hyn në vitin e 4 të krizës?


Ajo që diskutohet sot midis politikanëve, ekonomistëve, analistëve etj., është nëse vendi ynë ka nevojë për një marrëveshjeje të re me Fondin. Në vizitën e fundit, stafi i FMN është shprehur se është i gatshëm për të ndihmuar ekonominë shqiptare me ndihmë financiare dhe asistencë teknike nëse dhe kur kjo të kërkohet nga autoritetet. Një ndihmë e tillë mund të jetë ajo e një marrëveshje paraprake Stand-By Arrangement (SBA). Kjo tip marrëveshjeje përdoret për shtetet, të cilat nuk parashikojnë të huazojnë nga FMN, por mund ta bëjnë një gjë të tillë nëse ato përballen me një situatë që kërkon mbështetje financiare. Kjo marrëveshje shoqërohet me plotësimin e kushteve—ndjekja e politikave makroekonomike e strukturore—vendosur nga FMN dhe miratuar nga qeveria në momentin kur nënshkruhet. Pra, një marrëveshje e tillë do të mbetet në diskrecionin e qeverisë nëse do të kërkojë mbështetjen e FMN, e cila do t’i kushtëzojë disa nga politikat makroekonomike dhe strukturore. Nuk duhet të harrojmë se programi ekonomik mbi të cilën kjo mazhorancë kërkoi votat e shqiptarëve është mjaft ambicioz dhe, sipas gjykimit tim, me siguri do të shoqërohet me rritjen e borxhit publik. Kjo do të ishte situatë që do e vështirësonte nënshkrimin e marrëveshjes me FMN.


ARD KOLA