Raporti prill-qershor, “preferojnë burimet alternative të financimit, bankat shtrëngojnë kushtet”


Shkaqet


Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset ishin problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend


Interesat


Aktualisht në treg gjen hua me fajde, interesi i të cilave është mesatarisht 5 për qind në bazë vjetore, nga 10-12 që e ofrojnë bankat


 


ARD KOLA


bankaVrojtimet e fundit të Bankës së Shqipërisë, mbi aktivitetin kreditues në ekonomi, konfirmojnë krizën e financimeve për bizneset nga subjektet bankare. Këta të fundit kanë shtrënguar kushtet, kurse biznesi u është drejtuar “burimeve alternative”, thotë BSH-ja. Për herë të parë, banka tregon hapur tendencën e bizneseve për të marrë hua në burime të ndryshme, larg bankave, për shkaqe të kushteve etj.


Në shkurt të këtij viti, gazeta “Shqip” publikoi një vëzhgim nga komuniteti i biznesit, ku vetë këta pranonin se kishin më shumë leverdi t’u drejtoheshin fajdeve, për shkak të interesave më të ulëta, që shkonin kryesisht në 5 për qind.


Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues pranë bankave, tregojnë se standardet e kredisë për individë u lehtësuan, ndërsa standardet për bizneset vijuan të shtrëngohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë dhënë individëve, standardet u lehtësuan si për blerje banese ashtu dhe për kredinë konsumatore. Standardet e kredisë për bizneset u shtrënguan për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por mbetën të pandryshuara për ndërmarrjet e mëdha. Bankat shprehen për shtrëngim të standardeve për kredi, me qëllim financimin e kapitalit qarkullues, si dhe për qëllime investimi.


Kriza e borxheve


Në raport thuhet se në tërësi kushtet e kredive, pra standardet për bizneset, janë shtrënguar edhe më tej, kurse për individin duken më të lira. Duke u ndalur tek arsyet, Banka e Shqipërisë thotë: “Faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të bizneseve, gjatë tremujorit të parë të vitit 2013, është situata aktuale dhe e pritshme makroekonomike në vend, dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit”. Ndryshe paraqitet situata tek individët, që për shkak të nevojës për financim të konsumit, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga bankat, kanë ndikuar pozitivisht në nivelin e kërkesës për kredi.


Më konkretisht, sipas raportit, standardet e kredisë dhënë bizneseve kanë vijuar të shtrëngohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013. Shtrëngimi i standardeve për kreditë e dhëna në tremujorin e dytë të vitit 2013 rezultoi në një masë më të lartë se pritjet e shprehura në vrojtimin e kaluar. Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, standardet e kredidhënies u shtrënguan për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për ndërmarrjet e mëdha.


Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset ishin: problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend.


Duke u ndalur tek individët, standardet e kredisë vijuan prirjen lehtësuese të fillimvitit edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u lehtësuan si për kreditë konsumatore ashtu dhe për kreditë me qëllim financimin e banesës. Standardet për kreditë me qëllim financimin e konsumit, u lehtësuan ndjeshëm. Në total, për tremujorin e tretë të vitit 2013, standardet e kredisë për individët pritet të jenë në kahun lehtësues.


Burimi dhe problemet


Vetëm si 5-mujor kredia me probleme u rrit me 70 milionë euro, kurse në total qëndroi rreth 23 për qind në raport me kreditimin, që në vlerë do të thotë afro 1 miliard euro, ku 300 milionë konsiderohen të humbura, pra me pak shanse për t’u rikuperuar.


Sikur të mos mjaftojnë këto, situata me borxhin, faturat e pashlyera dhe pasja e një buxheti jo të disiplinuar, kanë detyruar gjithnjë e më shumë bankat të jenë të kujdesshme për t’u ofruar kredi bizneseve. Megjithatë, BSH vë re edhe tendencën tjetër, që vetë bizneset nuk kanë më interes si dikur për t’u financuar nga bankat, duke zgjedhur burimet e tjera, si fajdet, pra borxh në tregun e zi me interesa më konkurruese.


Po ku merren borxhet dhe si? Aktualisht në treg gjen hua me fajde, interesi i të cilave është mesatarisht 5 për qind në bazë vjetore. Nuk ka asgjë të shkruar, pra pa noter apo jurist, thjesht me dëshmitarë apo miq. Biznesit i nevojiten paratë për të qarkulluar mallin apo për të investuar me shpresën e rritjes së fitimit, por ku bankat dhe shteti nuk u përgjigjen, janë të detyruar për t’iu drejtuar tregut informal. “Kryesisht marrin hua ata individë që presin të marrin diku tjetër, si p.sh. te qeveria, pasi u detyrohet për punët e papaguara. Ata e kanë të sigurt se qeveria një ditë do t’ua shlyejë faturat dhe ndaj u drejtohen ‘miqve’ për të marrë hua. Një tjetri p.sh., nuk i pret puna, pasi banka e kërcënon se do t’i marrë aktivitetin në rast se nuk kthen kredinë në kohë dhe i drejtohet sërish marrjes hua me fajde te një tjetër i njohur”, thotë një ndërtues i rëndësishëm në Tiranë, që punon prej 15 vitesh. Interesi vjetor është 5 për qind, tepër i leverdishëm në raport me sa e japin bankat, me afro 9-12 për qind. “Japin hua me fajde ata biznesmenë të cilëve u ka ecur puna, për shkak të njohjeve me pushtetin. Qeveria jo të gjithëve ua ka mbajtur paratë, një pjese, ata më të fortët dhe me miq të ngushtë, kanë mundur t’i marrin paratë për punët publike të realizuara. Gjithashtu japin hua edhe persona nga bota e politikës, politikanë që me anë të korrupsionit kanë krijuar të ardhura dhe nuk kanë për momentin se ku t’i çojnë. Te kjo kategori gjen më lehtë hua, për shkak se janë para të përfituara nga korrupsioni dhe nderet, janë pronarë objektesh pa qenë nevoja të investojnë”, thotë një tjetër biznesmen.


Megjithatë, për tremujorin e tretë, pritet që standardet e kredisë për bizneset të lehtësohen