Nisin takimet e para, por gjithçka varet nga qeveria e re


banka e shEkipi prej tre ekspertësh nga Fondit Monetar dhe Banka Botërore zbarkoi dje në zyrat qendrore të Bankës së Shqipërisë, nga ku u pritën nga guvernatori, Ardian Fullani. Ky i fundit, më herët kishte deklaruar se misioni vinte me ftesën e BSH dhe Ministrisë së Financave dhe se përgatitjet kishin nisur rreth një vit më parë. Në periudhën tranzitore të qeverisë, duket se i vetmi person që ka marrë “fatet” e vendit, ose më i saktë i kanë mbetur, është Guvernatori, i cili duhet thënë se kohët e fundit po tregohet aktiv dhe largpamës!.


Ndonëse vlerësohet se ky është një mision teknik paraprak, nga i cili nuk priten zhvillime të mëdha, ai ka tërhequr interes të lartë, për shkak se vizita e Fondit përkon me një situatë të vështirë për financat shqiptare.


Në kushtet kur nga qeveria aktuale nuk mund të priten shumë skenarë, pasi pak javë i ka mbetur të drejtojë vendin, me interes shikohet “qeveria e ardhshme”, takimet të cilat do të zhvillohen në shtator. Por më parë, gjithçka varet nga testi paraprak i “certifikimit” të financave në dy ditët e vizitës. Gazeta “Shqip” mëson se ekipit të guvernatorit i është dorëzuar një formular me disa pyetje rreth gjendjes së financave të vendit dhe mbi bazën e përgjigjeve dhe konsultimeve të mëtejshme, do të shikohet për bashkëpunimin e mëtejshëm.


Thelbi i takimeve lidhet me gjendjen e borxhit, niveli i të cilit pritet të dalë jashtë kontrollit, duke parë të dhënat e 6-mujorit të parë.


Misioni ka ardhur me kërkesën e Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë të datës 26 shkurt 2013, me qëllim që të kryejnë përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). Nëpërmjet vlerësimeve të FSAP-së, dy institucionet e rëndësishme ndërkombëtare ofrojnë një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për t’u zhvilluar më tej. Vlerësimi i fundit i FSAP-së për Shqipërinë është kryer në vitin 2005 dhe ky ushtrim i planifikuar do të realizojë një përditësim të vlerësimit të mëparshëm.


Burime brenda misionit pohojnë se nuk presin zhvillime interesante, në kushtet kur qeveria aktuale nuk ka më fuqi vendimmarrëse dhe me interes do të jenë takimet e planifikuara në shtator, kur Edi Rama do të marrë mandatin e Kryeministrit. Sipas axhendës, veçmas nga ky proces, një mision ekspertësh të FMN-së pritet të vizitojë Tiranën në fund të muajit shtator 2013, mision që konsiderohet të jetë i rëndësishëm, për shkak se do të zhvillohen bisedime me qeverinë e re dhe gjithashtu, pritet një tjetër mision, në kuadër të programit FSAP, që do të zhvillohet në muajt tetor-nëntor 2013. Pra, ky konsiderohet tejet i rëndësishëm për financat e vendit, për shkak të gjendjes ku ndodhen dhe planeve të reja të qeverisë së socialistëve.


Socialistët që pritet të vijnë në pushtet, kanë premtuar një sërë ulje taksash, ku vëmendjen më të madhe e marrin ato për përshkallëzimin apo heqjen e TVSH-së në disa sektorë, për shkak se TVSH është zëri kryesor i të ardhurave në buxhet, me mbi 30% të totalit. Për taksat, FMN ka mbajtur qëndrim konservator, duke sugjeruar rishikimin, me tendencë rritjen e tyre.


ARD KOLA