Kësaj here qeverisë i duhet valutë, 11 milionë euro, të nevojshme për borxhet


ARD KOLA


fullaniKur dje Kryeministri ende në fuqi, Sali Berisha vendosi zyrtarisht rritjen e pagave dhe pensioneve, me efekt minus në buxhet, rreth 2.5 miliardë lekë, paralelisht, Banka e Shqipërisë njoftonte hapjen e një tjetër ankandi bonosh, por kësaj here nuk janë në lekë, por në valutë. Pasi kaluan rreth dy javë nga ankandi i fundit, me vlerë 25 miliardë lekë, borxh i siguruar nga bankat private dhe BSH, për llogari të qeverisë, kjo e fundit ka kërkuar nga Banka e Shqipërisë të realizojë një tjetër ankand, por në monedhë të huaj, rreth 11 milionë euro.


Data e ankandit është caktuar 23 korriku, ashtu si vitin e kaluar, kur qeveria mori hua nga bankat, rreth 15 milionë euro. ndryshe nga viti 2012, ku ankandi u shoqërua me fushatë sensibilizuese për të tërhequr vëmendjen e individëve, pasi edhe këta kanë të drejtë të marrin pjesë, kësaj here operacioni i blerjes së valutës po kryhet në një situatë tensioni, mes krizës së thellë në arkën e shtetit dhe apeleve të vazhdueshme të opozitës (qeverisë së re). Por guvernatori Ardian Fullani nuk ndalet këtu. Mësohet se, Banka e Shqipërisë do të shesë të enjten, në një ankand të obligacioneve dyvjeçare fikse 3.5 miliardë lekë, me një kupon indikativ prej 6.5 për qind. Ankandi i fundit i obligacioneve me të njëjtin afat maturimi është zhvilluar në 18 qershor dhe në të u shitën 4 miliardë lekë obligacione.


Nuk mund të thuhet me saktësi se për çfarë do të përdoren eurot, por fakti është se arka e shtetit ndodhet në situatë të vështirë, ku për shkak të keqadministrimit, buxhetit i është shkaktuar një dëm prej 150 milionë eurosh si 6-mujor. Ekspertët e financave pohojnë se qeveria nuk do të jetë në gjendje për muajt e ardhshëm të menaxhojë fondin e pagave dhe pensioneve, pasi që tani, hapësirat i ka të zëna, për shkak të tejkalimit të deficitit.


Tjetër fakt lidhet me interesat e kredive të marra te bankat e huaja, të cilat paguhen në valutë. Për të shmangur çdo rrezik të kursit të këmbimit, qeveria zgjedh një tjetër variant financimi, që në kohë kur vijnë emigrantët duket se është më efecient.


Zakonisht ankandet në bono me euro kanë interesa më të larta se depozitat, ndaj dhe konsiderohet një investim i sigurt për individët, të cilat zotërojnë në total rreth 15 për qind të borxhit të qeverisë. Në ankandet e fundit në valutë, interesat e bonove 12-mujore kanë qenë rreth 6 për qind, kurse në lek janë nën 6 për qind.


Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky është ankandi i tetë që realizohet në euro, që nga maji i vitit 2010. Ankandi i fundit në bono thesari në euro është zhvilluar në 24 dhjetor 2012, ku u shitën 20 milionë euro dhe yield-i mesatar i ponderuar rezultoi 5 për qind, në rënie nga 5.26 për qind që ishte në ankandin e gushtit të 2012-s dhe 6.05 për qind që ishte në ankandin e parë të majit 2010.


Sakaq, informacionet e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se, borxhi publik është rritur në 62.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Rritja është e lartë, duke pasur parasysh që plani i Ministrisë së Financave ishte që niveli i tij do të arrinte në 62.6 për qind të PBB-së vetëm në fund të vitit dhe për më tepër duke planifikuar një rritje ekonomike vjetore prej 3 për qind. Ndërkohë, për tremujorin e parë të vitit, rritja ekonomike ishte vetëm 1.7 për qind.


 


Bashkë me ankandin në euro, të enjten do të shiten obligacione me vlerë, 3.5 miliardë lekë


 


Reagimi


Bonot, Berisha mbron guvernatorin, “sulmon” auditin kërkuar nga Rama


Kryeministri i vendit ka folur për herë të parë për auditin e financave, që qeveria e re do të ndërmarrë në shtator, për të parë dhe vërtetuar gjendjen reale të ekonomisë, lidhur me statistikat etj. “Për vlerësimin e financave të një shteti ekzistojnë tri kompani që janë ‘Standard & Poor’s’, ‘Moody-s’ dhe ‘Fitch’. Nga viti 2008, Shqipëria i ka kontraktuar këto kompani të bëjnë vlerësimin e përvitshëm normalisht të sektorit financiar dhe bankave, por edhe të ekonomisë në tërësi. Ky vlerësim është konstant nga viti 2008 deri në vitin 2013”, deklaroi dje Kryeministri në mbledhjen e radhës së qeverisë. Berisha u mundua të mbronte guvernatorin Fullani në lidhje me akuzat e drejtuara ndaj tij nga opozita për ankandet e fundit të bonove, me synim furnizimin e qeverisë me para. “Qëndrimet dhe sulmet ndaj financave, paraqitja me sens të kundërt e suksesit të interesit me të cilën u shitën bonot e thesarit është i pandershëm. Nuk sulmohen tregjet financiare kur janë për t’u lavdëruar”, u shpreh Berisha.