Berberi: Nuk frenoi tejkalimin e deficitit


berberiIsh-zëvendësministrja e Financave, Adriana Berberi, deklaron se Banka e Shqipërisë është bashkëpërgjegjëse me qeverinë për krizën e rëndë të financave publike. “Banka e Shqipërisë asnjëherë nuk ka folur apo nuk e ka penguar qeverinë që të bëjë ‘de facto’ tejkalim të deficitit buxhetor, i cili trashëgohet pastaj në borxhin publik dhe situata e këtij viti është nga më të rëndat në historinë e financave shqiptare”, tha Berberi.


Në gjashtë muajt e parë të vitit, qeveria ka ezuaruar 83 për qind të deficitit buxhetor dhe 90 për qind të huamarrjes së brendshme. Zonja Berberi thotë se Banka Qendrore i kishte të gjitha instrumentet ligjore për ta ndalur këtë situatë.


“Instrumenti i parë është padyshim ai i transparencës dhe instrumenti i bërjes publike; instrumenti i dytë është përdorimi i strukturave dhe organeve në të cilat dy palët kanë detyrimin për të dhënë llogari, siç ishte Parlamenti deri në momentin që ai u shpërnda për zgjedhjet dhe instrumente të tjera kanë të bëjnë me krijimin e pengesave të duhura ligjore që qeveria mos vazhdojë të shpenzojë më tej seç është ai që është limiti i parashikuar”, tha Berberi. Vetë të dhënat zyrtare dëshmojnë se treguesit e buxhetit kanë dalë jashtë kufijve ligjorë. Në gjashtë muajt e parë, mosrealizimi i të ardhurave është rreth 17 miliardë lekë, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se shifra vjetore mund të shkojë mbi 40 miliardë lekë. “Ky mosrealizim i të ardhurave, i cili instrumentet e menaxhimit të shpenzimeve publike në kushtet kur jemi përpara periudhës ‘de facto’, sepse 6-mujori është shpenzuar, do ta bëjnë shumë më të limituar mundësinë e qeverisë që do të vijë për të rregulluar shpenzimet, kështu që rezultati duhet të jetë që fundi i treguesve të vitit 2013, nuk mendoj se do të ketë mundësi të respektojë nivelin e huamarrjes së brendshme, ashtu siç nuk do të ketë mundësi të respektojë edhe nivelin e deficitit. Të gjitha këto do të reflektohen te borxhi publik”, tha Berberi.


Zyrtarisht, borxhi publik i Shqipërisë vlerësohet 63.9 për qind. Por shthurja e buxhetit këtë vit dhe borxhet e fshehura mund ta çojnë shifrën reale në nivele shumë më të larta.