Arti te ne, pa sistem…

Një bunker në fshatin Lin të Pogradecit, është kthyer në një minikishë ortodokse. Artisti Ardian Isufi kërkon ta kthejë në instilacion objektin i cili dikur ishte simbol i izolimit dhe tashmë është tjetërsuar në një objekt kulti. Një rrëfim për kaosin që shoqëron veprat e Isufajt këto vite, dhe atë çfarë ka ndodhur me skemën e artit bashkëkohor në Shqipëri…

Alda Bardhyli

ardian isufiArti ka gjuhën e tij të komunikimit. Ardian Isufi ka zgjedhur të ndërtojë krijimtarinë e tij artistike përmes ironisë, si forma e cila mund të shpjegojë paqëndrueshmërinë sociale e shoqërore në vend. Një vizitë në fshatin Lin të Pogradecit, do ta frymëzonte Isufajn për të ndërtuar konceptin e ardhshëm të një instalacioni. Një bunker si qindra të tillë që gjen në çdo cep të Shqipërisë, ishte kthyer nga banorët e zonës në një minikishë ortodokse. Isufaj do të ironizojë funksionalitetin e ri që ka ky objekt. “Nga simbol i izolimit është tjetërsuar në një vend faljeje dhe kulti. Ky projekt do të realizohet me një objekt me të njëjtat përmasa, ku padyshim publikut në pamje të parë do t’i duket si një bunker i thjeshtë, por kur të futet brenda do të jetë nga një botë makro, në një botë mikro, të një vendi kulti e religjioni, duke ironizuar kështu paradoksin e funksionalitetit të ri të objektit, por mbi të gjitha duke ironizuar një realizëm të ri, atë çfarë ne jetojmë në transit”, thotë Isufaj. Kërkimi i tij artistik është rrekur gjithnjë rreth fenomeneve politike e shoqërore. “Interesi im është mbi objektet e ndërmjetme tranzitore, pasi ato flasin paqëndrueshmëri sociale, shoqërore e politike”, thotë Isufaj. Lidhja e artistit me të shkuarën është e vazhdueshme. Pak kohë më parë, filmi i tij i shkurtër “Pa titull në kohë” solli një kolazh të dy filmave. Njëri i prodhuar gjatë kohës së komunizmit ku miti një “hero” partizan me anë të historive të shpikura të personazheve që lidhin kujtimet me heroin në film dhe filmi i dytë është një video dokument i transportimit të një monumenti në ditët e sotme që paradoksalisht ishte i hedhur në kopshtin e Muzeut Arkeologjik në Durrës, duke bashkëjetuar në mënyrë të pakuptimtë dhe konfuze me reliket e lashtësisë. Transportimi i “heroit” shfaqet njëkohësisht  në të dyja imazhet ku “dialogu” i personazheve transportohet nga një ngjarje në tjetrën duke i bërë këta dy filma të ndryshëm, thuajse të përbashkët në ironinë e përmbajtjes së mitit të “heroit”. Ndërsa në filmin e vjetër hiperbolizohet miti i “heroit”, në filmin e ditëve të sotme miti i tij bie, ku hera-herës të duket monumenti si një njeri i vdekur dhe asgjë më shumë!”, thotë ai. Ardian Isufaj ka përfunduar studimet në Atelienë e Grafikës në Akademinë e Arteve më 1995 ku sot punon si profesor në këtë atelie. Ka marrë pjesë në shumë veprimtari artistike kombëtare dhe ndërkombëtare si në Itali, Greqi, Francë, Austri, Kinë, Amerike etj., ku mes të tjerash vlen të përmenden Ekspo “Parking” 2008 dhe Bienalja e Tiranës 2009. Ardian Isufi është fitues në Konkursin Ndërkombëtar të Arteve Pamore “Onufri” i çmimit të tretë në 2005 dhe atë të dytë në 1996. Krijimtaria e tij artistike është e koleksionuar nga shumë koleksione private në Shqipëri, Itali, Greqi, Austri, Amerikë etj., dhe vepra e tij është në koleksionin permanent të pavijonit pas viteve ‘90-të në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Por cili ka qenë rrugëtimi artistik i artistit për të ardhur te  kjo formë të shprehuri? Më poshtë Isufaj vjen në një rrëfim për “Shqip” mbi lidhjen e tij me artin, dhe si e sheh artin bashkëkohor sot në vend…

Si do ta kujtoje lidhjen tënde me artin?

Që nga fëmijëria kam pasur impulset e para të kreativitetit artistik, e jam lidhur qysh herët me artin. Është një lidhje e pazgjidhshme fiziologjike e mentale për mua, pasi arti tashmë është vetë jeta ime, në mënyrën e të shprehurit e qëndrimit artistik e human. Shpresoj që ky pasion të jetë një pasion që do të ketë një rezultat pozitiv, jo vetëm në krijimtarinë time, por edhe në hapësirën e artit bashkëkohor shqiptar. Si do ta përshkruaje rrugëtimin e punëve të tua në vite? Format të cilat të është dashur të ndjekësh, dhe momentet që kanë sjellë ngjizjen artistike në një vepër?

Pas viteve 2000, krijimtaria ime është rritur, jo vetëm në aspektin estetik, por edhe për sa u përket mesazheve artistike. Vepra ime e fundit noton në kontekste të forta sociale, shoqërore apo politike. Kam parasysh disa ekspozita të miat të fundit personale, ku shpeshherë ngre pyetje dhe pikëpyetje mbi situata që në dukje duken lokale, por që kanë një këndvështrim global. Me këtë dua të them që arti sot përbën një koncept mbi atë çfarë artisti sheh e reflekton, mbi atë çfarë artisti kërkon të komunikojë me publikun.

Veprat tuaja duket se pëlqejnë të atakojnë, duke u bërë zëri i kaosit?

Unë i takoj asaj kategorie artistësh, që janë të lidhur me qëndrimin artistik kontestues ndaj fenomeneve që i rrethojnë, e që kthehen në pikëpamje universale. Vepra ime e viteve të fundit ka reflektuar një këndvështrim mbi të drejtat e liritë e individit, si me rastin e veprave që lidhen dhe me periudhën e komunizmit në Shqipëri, me aspektin shoqëror, si dhe atë të religjionit. Përmes tyre kam dashur të sjell diskutime mbi vendet tranzitore siç jemi edhe ne… Në aspektin kulturor, vitet e fundit kam realizuar një performancë duke ironizuar institucionet tona kulturore, të cilat janë pjesë e politikës vendimmarrëse për vizionin kulturor të një vendi të vogël, por me potenciale të mëdha. Kjo performancë konsistonte në një qasje post moderne, ku një instalacion i ndërtuar vite më parë në Bienalen e Venecias “Vdekja e koleksionistit”, e rikonceptoj në situatën kaotike kulturore shqiptare, duke e futur veten si një personazh i cili po mbytet… nën titullin “vdekja e artistit”. Një projekt i fundit të cilin e kam realizuar bashkë me Fatos Lubonjën është “Postblloku”,  i cili aktualisht është kthyer në një nga pikat më atraktive të qytetit të Tiranës. Ky instalacion me tre objekte, bunkeri në hyrje të bllokut, shtyllat e betonit të marra nga Burgu i Spaçit dhe pjesa e murit të Berlinit është kthyer në një pikë referimi tepër atraktive për të gjithë ata që duan të dinë historinë e këtij vendi dhe e shohin këtë objekt si një reflektim të së shkuarës.

Rënia e murit të Berlinit do ta kthente Berlinin kaq vite më vonë në një nga qytetet më të rëndësishme për artin bashkëkohor. E shkuara u përdor nga artistët për ndjesitë e tyre artistike të së tashmes. Sa e ka reflektuar arti ynë të shkuarën?

Pas rënies së Murit të Berlinit, e demokracisë në Shqipëri kanë ndodhur zhvillime pozitive, përfshi edhe skenën e artit shqiptar. Ajo çfarë është evidentuar fort vitet e fundit ka qenë se hapi dhe krijimtaria e artistëve shqiptarë janë më të vrullshme sesa vetë sistemi i artit në vend, i cili për hir të së vërtetës nuk ekziston. Institucionet kulturore ecin shumë ngadalë në krahasim me prurjet artistike të artit bashkëkohor në Shqipëri. Kjo ka krijuar një çrregullim të një plani kulturor. Ne shohim sot në botë, plane kulturore afatgjata e afatmesme. Ne fatkeqësisht na mungon. Ajo çfarë po e dëmton dhe po e mban peng artin bashkëkohor shqiptar është mospërfaqësimi dinjitoz nëpër Bienale apo kryeqytete botërore si Londra, Nju Jorku apo Berlini, të cilët jo vetëm do informoheshin me prurjet artistike të artistëve shqiptarë, por do të krijohej një frymëmarrje e re dhe në përballjen e artistëve të cilët kanë qënë të papërfaqësuar në sistemin kulturor shqiptar.
A kemi sot një art bashkëkohor, e çfarë reflekton ai?

Ne kemi një art bashkëkohor që lëvrohet në Shqipëri, por për hir të vërtetës është përtej Shqipërisë. Artistët shqiptarë sot flasin me gjuhë ndërkombëtare, se dhe globalizmi e komunikimi kaq i shpejtë ka bërë që artisti të ketë një marrëdhënie më të qenësishme me problematikat e vendit të tij, por që janë dhe problematika të vendeve të tjera. Në këtë kontekst ka shumë artistë që u përgjigjen kërkesave të kohës për të qenë artistë të qenësishëm të artit bashkëkohor. Sot është më se imediate që këta artistë të jenë të ekspozuar në një qendër të re për Artin Bashkëkohor, sepse pavijoni pas viteve 90-të në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk i përmbush kërkesat e shfaqjes dhe të evidentimit të vlerave më të mira të artit bashkëkohor sot. Në këtë pavijon kemi vepra të artistëve aktualë, të cilët patjetër duhet të ishin plotësuar me krijimtarinë e tyre në vitet e mëpasshme, e patjetër duhet të ishin shtuar me artistë të rinj, të cilët sot janë konfirmuar në skenën e artit shqiptar. Ky pavijon prezanton deri në vitet 2000 atë pjesë të artit shqiptar që lidhet me pikturë, skulpturën… por unë mendoj që sot pas viteve që kanë rrjedhur, krijimtaria e artistëve dhe prurjet e tyre janë edhe në shumë mediume të tjera, si instilacioni, fotografia, vizatimi, të cilat do të krijonin një pamje më të gjerë, më profesionale e mbi të gjitha më kulturore të artit pamor shqiptar.

Kritika ka pasur këto vite dhe për pavijonin e realizmit socialist. A përfaqëson ky pavijon kohën në të cilën janë ngjizur këto vepra?

Duke qenë se ndihet fort mungesa e publikimit e përfaqësimit bindshëm të artit bashkëkohor shqiptar, sot Galeria Kombëtare e Arteve ka një linjë ku dominon realizmi socialist, i cili jo vetëm ka disa pikëpyetje të aspektit historik, por mbi të gjitha ka disa paqartësi, që ndihen më shumë në pavijonin e titulluar “Formalizmi”. Aty ka një amulli historike ku nuk ndien rrugëtimin e ngjarjeve të forta që ndodhën në fund të viteve ‘60 e në fillim të viteve ‘70, ku vepra të cilat u goditën në atë kohë janë zëvendësuar në mënyrë të zbehtë me vepra që nuk flasin pothuajse asgjë për atë kohë. Mendoj se ka dashur një punë jo vetëm ky pavijon, por të gjitha pavijonet e realizmit socialist, një punë më studimore si në aspektin e kritikës kuratoriale. Ndihet qartazi moskonsultimi me kuratorë apo studiues të artit të specializuar, të huaj dhe bashkëpunimi me partnerë e institucione të tjera qofshin kombëtare e ndërkombëtare. Kjo ka bërë që sot kur shikon linjën e realizmit socialist në Galerinë Kombëtare të Arteve, kupton se është ndërtuar mbi shijen individuale të drejtuesit të këtij institucioni.

 

Pavijoni i pas viteve ‘90-të në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk i përmbush kërkesat e shfaqjes dhe të evidentimit të vlerave më të mira të artit bashkëkohor sot. Në këtë pavijon kemi vepra të artistëve aktualë, të cilët patjetër duhet të ishin plotësuar me krijimtarinë e tyre në vitet e mëpasshme, e patjetër duhet të ishin shtuar me artistë të rinj, të cilët sot janë konfirmuar në skenën e artit shqiptar…

 

Galeria Kombëtare e Arteve ka një linjë ku dominon realizmi socialist i cili jo vetëm ka disa pikëpyetje të aspektit historik, por mbi të gjitha ka disa paqartësi, që ndihen më shumë në pavijonin e titulluar “Formalizmi”. Aty ka një amulli historike ku nuk ndien rrugëtimin e ngjarjeve të forta që ndodhën në fund të viteve ‘60-të e në fillim të viteve ‘70-të, ku vepra të cilat u goditën në atë kohë janë zëvendësuar në mënyrë të zbehtë me vepra që nuk flasin pothuajse asgjë për atë kohë.

 

Autor te 20 Korrik 2013. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry