Debati mbi inventarin e shtetit, Ndreja: Çfarë do të kontrollohet dhe roli i KLSH
ARD KOLA
Pak ditë pasi rezultati i zgjedhjeve e kishte shpallur kryeministër të ardhshëm, Edi Rama, deklaroi se përgjegjësia u takonte të gjithëve dhe se arritjet do të realizoheshin bashkërisht, qofshin këto me sakrifica!. Rama e kishte fjalën konkretisht te gjendja e arkës së shtetit, ku nga të dhënat e 6-mujorit të parë 2013, rezulton se është pothuajse e zbrazur. Se në çfarë gjendjeje, demokratët po e lënë pas 8 vjetësh pushtetin, Kryeministri i zgjedhur tha “kjo do të mësohet pas realizimit të një auditit ndërkombëtar, nga një kompani e huaj, prestigjioze”. Këtu reagimet ishin të shumta, sidomos nga kampi i qeverisë ende në detyrë, ku sipas Berishës, të paktën duke nisur nga viti 2008, buxhetin dhe financat e kanë certifikuar shoqëri të njohura si “Moody’s”, “S&P” apo dhe “Fitch”, ndaj nuk është se mungon informacioni mbi gjendjen e arkës dhe sa të besueshëm jemi.
Por çfarë mendojnë ekspertët e fushës së auditit? Gjon Ndreja, ekspert i pavarur, i cili aktualisht punon si konsulent i jashtëm për Kontrollin e Lartë të Shtetit thotë se, projekti konsiderohet pozitiv, për shumë faktorë.
“Ideja e një auditimi ndërkombëtar të financave publike, nga një kompani e huaj më duket interesante dhe në tërësinë e saj është pozitive. Problemi është se cilat do të jenë objektivat e këtij auditimi dhe në funksion të kësaj, koha e kryerjes së tij. Me sa duket Rama kërkon të qartësojë situatën financiare të shtetit dhe të hartojë një strukturë buxhetore efikase”, thotë Ndreja për “Shqip”.
Në kushtet kur socialistët janë duke u përgatitur të marrin pushtetin, nevoja për një audit, jo vetëm të asketit financiar, por edhe të formës së inventarit të shtetit, është bërë më e madhe, sidomos për gjendjen e krijuar me buxhetin, borxhet, taksat, të ardhurat etj. Një pjesë e asaj çfarë kërkon Rama dashje pa dashje do të realizohet nga FMN, përmes programit FSAP, rezultatet e të cilit do të mësohen në dhjetor të këtij viti.
Por a është kjo kohë e mjaftueshme, në kushtet kur vendi është duke u përgatitur për buxhetin e ri 2014?
“Një auditim i tillë teorikisht do t’i shërbente qeverisë së ardhshme për të hartuar një buxhet realist dhe efektiv. Një buxhet i cili të marrë parasysh uljen e borxhit publik sipas rekomandimeve ndërkombëtare, por edhe të borxheve të tjera të fshehura që metodikisht nuk përfshihen në nocionin e borxhit publik siç janë faturat e papaguara të biznesit për punët publike të kryera, rimbursimi i TVSH-së etj. Po koha në dispozicion nuk duket se është e mjaftueshme për buxhetin e vitit të ardhshëm i cili duhet të paraqitet në Kuvend më 1 nëntor të këtij viti. Gjithsesi një auditim i tillë duket i motivuar nëse ndryshime në buxhet mund të bëhen edhe gjatë vitit 2014 në përputhje me rekomandimet e auditimit”, u shpreh më tej Ndreja.
Si konsulent i jashtëm i KLSH, eksperti komentoi edhe rolin e institucionit shqiptar.
“Lidhur me faktin se kush do ta kryejë auditimin, një kompani ndërkombëtare auditimi apo Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Auditimi i Brendshëm, çështja mund të shihet në disa plane.
Së pari, në lidhje ma kapacitetet profesionale. Pa vënë në dyshim kapacitetet e strukturave vendase, nëse do të zgjedhësh një kompani auditimi prestigjioze dhe me eksperienca të mëparshme në fushën e auditimit publik, sigurisht që do të kishte avantazhe në krahasim me strukturat vendase të auditimit që gjithsesi janë akoma të brishta”.
Së dyti, sipas Ndrejës, Kontrolli i Lartë i Shtetit është struktura më e lartë e auditimit publik në vendin tonë dhe i raporton Kuvendit dhe jo qeverisë. “Ai është organ i pavarur dhe nuk merr porosi nga qeveria për kryerjen e auditimeve. Mirëpo nevoja e këtij auditimi është e qeverisë, e cila kërkon përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Nga ana tjetër, auditimi i brendshëm nuk e ka nivelin e integritetit për një sipërmarrje të tillë”.
Eksperti i auditit merr parasysh edhe klimën politike, akuzat ndaj njëra-tjetrës mes dy forcave dhe besueshmëria e këtyre raporteve.
“Në një terren thellësisht të politizuar të kësaj çështjeje ku mazhoranca fituese akuzon qeverinë për boshatisjen e arkës së shtetit dhe për një greminë financiare, do të ishte e vështirë që rezultatet e auditimit të ishin të besueshme për të gjitha palët, ndërkohë që krahas qeverisë, publiku i gjerë ka nevojë për informacion të besueshëm dhe kjo do të rriste besimin e tij ndaj qeverisjes për të cilën kemi nevojë të ngutshme”.
Në fund, Ndreja thotë se, praktikat e mira nuk e përjashtojnë mundësinë e një bashkëpunimi midis kompanisë ndërkombëtare të auditimit që mund të përzgjidhet, me strukturat vendase të auditimit të brendshëm pse jo edhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit nëse kjo çmohet relevante për institucionin në fjalë.
Bashkëpunimi
Praktikat e mira nuk e përjashtojnë mundësinë e një bashkëpunimi midis kompanisë ndërkombëtare të auditimit me strukturat vendase
Misteri
Rama nuk e ka takuar ende kreun e KLSH-së
Në fillim të muajit korrik, Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, zhvilloi një sërë takimesh të nivelit të lartë, duke e nisur me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, me kryeprokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe me Guvernatorin e BSH-së, Ardian Fullani. Takimet u zhvilluan në kuadër të periudhës tranzitore të kalimit të pushtetit, të vlefshme për të përcjellë mesazhet e duhura dhe për të pasur kujdes. Por ajo çfarë ra në sy, ishte fakti që nuk pati një takim me kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Bujar Leskaj. Ende mbetet e paqartë se pse nuk është zhvilluar një takim i tillë, sidomos me institucionin më të rëndësishëm që kontrollon dhe ruan zbatimin e ligjeve të buxhetit. Aktualisht, KLSH është duke hetuar Ministrinë e Financave, për buxhetin e vitit 2012, por edhe për situatën e fundit mbi shpenzimet dhe borxhin.