MUSTAFA NANO


Mustafa NanoRinumërimi i votave në Qarkun e Lezhës, dhe më pas, të Shkodrës, u konsiderua i paligjshëm nga ana e Kolegjit Zgjedhor, që u mblodh në orët e pasdites së djeshme. Në këtë kuptim, përpjekja e Berishës për të bërë në stilin e tij transparencën e zgjedhjeve mund të quhet e dështuar. Por do ish interesante të bëhej një review. Ç’ishte kjo që po ndodhte?


Ngjarja është shumë e thjeshtë. Fillimisht pati ankimim nga PD-ja për probleme me tabelat e rezultateve në 10 qendra votimi. Dhe nga rinumërimi i votave në këto qendra, PD-ja dhe aleatët e saj dolën në avantazh me disa dhjetëra vota, gjë që mjaftoi për ta përmbysur rezultatin për sa u takon vendeve në Parlament. Nga 4 me 3 në favor të së majtës kaloi në 4 me 3 në favor të së djathtës. Mirëpo KQZ-ja nuk u mjaftua me kaq. Ajo iu fut punës për të bërë rinumërimin e plotë të të gjitha votave në këtë qark. Me gallatë mund të thuhet: A sikur ta kishim këtë KQZ para katër viteve! Por me gallatë amá, sepse në fakt të njëjtën KQZ kemi, KQZ-në që i shkon pas midesë Berishës.


Ç’rezultoi? U vunë re manipulime edhe në katër qendra të tjera (është 14 numri i qendrave, ku ka pasur ndërhyrje dhe deformim të rezultatit nga 258 gjithsej). Rezultati që doli nga numërimi fillestar dhe nga tabelat e KZAZ-ve thosh se e majta kish rreth 500 vota më shumë, ndërsa rezultati që ka dalë pas rinumërimit nxjerr përpara të djathtën me 700 vota. Erjon Braçe e shpjegonte po dje këtë fakt me tollovinë që e karakterizoi këtë herë procesin zgjedhor në Lezhë (aty pati dhe një viktimë), dhe me faktin që kutitë e qendrave të votimit janë prej javësh në duart e qeverisë, dhe jo të QV-ve e të ZAZ-ve. Por këto të Braçes janë shpjegime të natyrës politike e dyshime të paprovuara. Prandaj mbetemi tek arsyetimet e mëparshme. Votat e manipuluara pra kapin shifrën 1200. Kështu, ndarja e mandateve mbetet ajo që ish pas rinumërimit të 10 qendrave të dyshuara: katër me tre në favor të së djathtës.


Mazhoranca aktuale (ajo që është e tillë deri në shtator), e inkurajuar nga ky fakt, ka dalë e ka thënë se “do transparencë dhe se nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve”. Tani historia është e mbyllur, por pyetja mbetet: Ka diçka që nuk shkonte me kërkesën për transparencë? Le t’i marrim gjërat me radhë. Së pari, duke hequr dhe duke shqyrtuar paralelen mes këtij momenti dhe momentit pas zgjedhjeve të vitit 2009. Katër vjet më parë ishte PS-ja që kërkonte rinumërim, dhe PD-ja ia refuzoi kërkesën qartë, prerë, pa demonstruar në asnjë rast qoftë dhe shenjën më të vogël se ish e lëkundur në këtë qëndrim të vetin. E refuzoi transparencën në emër të respektit ndaj ligjit. Dhe historia njihet. Ajo ngjarje zgjati me muaj të tërë, dhe u finalizua në një restorant me emrin ‘Crocodile’ të Strasburgut. Berisha ua hodhi të tërëve. Greva e urisë u mbyll atë mot, ndërsa ai vetë dogji fletët e votimit pas disa ditësh. Tani, rolet janë ndërruar.


Pyes përsëri: Cilat janë pikat e përbashkëta mes dy situatave? Nuk duket se ka shumë pika të përbashkëta, ndonëse në publik ka një perceptim, sipas të cilit situatat janë identike. Nuk janë identike. Së pari, PS-ja kërkoi fillimisht rinumërim të votave në qendra të caktuara, ku ata kishin dyshime. E kërkuan këtë me ndihmën e dy anëtarëve të tyre të KQZ-së, gjë që, sipas ligjit, ishte kusht për rihapje të kutive e rinumërim të votave. Iu mohua kjo e drejtë ligjore. Më pas, ata deklaruan se njohin rezultatin e zgjedhjeve, por kërkuan një hetim parlamentar të votimit në qendra të caktuara, dhe më vonë kërkesa u rrudh e u katandis vetëm në hapjen e rishqyrtimin e materialeve zgjedhore. Me pak fjalë, atë vit socialistët kanë kërkuar atë që demokratët kërkuan tani, katër vjet më vonë, me rinumërimin e votave në 10 qendra votimi të Lezhës për shkak të dyshimeve e fakteve që kishin gjetur. Dhe votat u rinumëruan. Berisha pra mori këtë herë atë që ai vetë ua refuzoi socialistëve katër vjet më parë.


Por nuk mbaron këtu. Berisha pasi ka marrë atë që socialistët nuk e morën dot (me të njëjtin ligj), tentoi të shtyhej më tej, tentoi të merrte gjëra që nuk ia njeh ligji. Fjala vjen, e bëri rihapjen e kutive dhe rinumërimin e votave në të gjithë Qarkun e Lezhës, dhe iu fut ta ribëjë dhe në gjithë Qarkun e Shkodrës. E bëri KQZ-ja e tij, në fakt. E bëri pa e kërkuar askush në rrugë legale. Nuk ekziston pra një kërkesë e një pale për rihapjen e gjithë kutive të Qarkut të Lezhës e atij të Shkodrës. Ekziston vetëm një frazë e anëtarit të KQZ-së, Klement Zgurit: “Dhjetë kutitë e hapura [në Qarkun e Lezhës] dëshmuan se atje kishte devijim të dukshëm të votave”. Pas kësaj, KQZ-ja vendosi: Të rinumërohen votat në të dy qarqet. Dhe me këtë ka shkelur ligjin. E ka shkelur haptazi. Ky është një vendim që duhet të merret me votat e pesë anëtarëve të KQZ-së, mirëpo kjo e fundit ka vetëm katër qyqarë. Së dyti, ky është një vendim që është marrë në përgjigje të asnjë ankimimi. Nuk ka madje as edhe një dyshim të hedhur për një qendër të caktuar, a për disa qendra të caktuara. Të vetmet pretendime ishin një i LSI-së që kish të bënte me Kukësin, një i PD-së që kish të bënte me 10 qendrat e Qarkut të Lezhës, dhe një i Dritan Priftit që kish të bënte me Qarkun e Fierit. Të tre këtyre pretendimeve iu dha përgjigje ligjore. Shkurt, zgjedhjet janë mbyllur. Këtë ka thënë dhe Kolegji Zgjedhor.


Dje paradite, Berisha iu mbajt tezës për transparencë të plotë. Do ta mbyllë gojën pas kësaj që tha Kolegji? Nuk duket se ka gjasa që ta bëjë këtë gjë. Ai këtë tezë do ketë dhe nesër, pasnesër, në muajt e parë të jetës në opozitë. E vetmja gjë që PS-ja duhet të bëjë në këtë rrethanë është të lejojë opozitën (opozitën e pas shtatorit) të ngrejë një komision parlamentar e të bëjë një hetim, në prani edhe të deputetëve të vet, të të gjitha dyshimeve e pretendimeve të tyre. Nëse opozita e Berishës pra do të vijojë me këtë betejë për transparencën e votimit, PS-ja duhet ta bëjë qysh tani këtë premtim. Edi Rama bën mirë të dalë publikisht e të deklarojë, se “në fillim të legjislaturës së re do të pranojë ngritjen e një komisioni parlamentar të hetimit të zgjedhjeve të 23 qershorit, dhe nëse nga ky hetim do të rezultojë që PD-së i është vjedhur një mandat deputeti, ky mandat do t’i rikthehet pa një, pa dy; ndërsa ata komisionerë që kanë marrë pjesë në manipulime të mundshme do të çohen para drejtësisë”. Rama duhet ta bëjë këtë, nëse Berisha e kërkon. Duhet ta bëjë, jo se Berisha, dhe opozita e nesërme, e meriton. Duhet ta bëjë sepse e meritojmë ne të tjerët. E meriton dhe ajo kauzë, të cilën ai e ndërkombëtarizoi, e për të cilën ai nxori njerëzit në shesh, futi deputetët e vet në grevë urie, mbajti peng për muaj të tërë gjithë vendin, dhe i bëri diplomatët e huaj të lidhnin procesin e integrimit në BE me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, të këtyre zgjedhjeve që Berisha synoi t’i bëjë pis. Por nuk ia doli. Kolegji ia prishi planet. Aq sa mund t’ia prishë.