Dëmi 63 mln lekë
Reagon bashkia: Dy drejtorët zbatuan vendimet dhe marrëveshjet
Kontrolli i Lartë i Shtetit referon materialet në prokurori për Manol Gogën dhe Luan Çalën
Edmond Hoxhaj
Dy drejtorë të përgjithshëm të Bashkisë së Fierit janë dërguar për ndjekje penale nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi nga një kontroll i ushtruar në këtë institucion vendor ka rezultuar se është shkaktuar një dëm prej rreth 63 milionë lekësh. Manol Goga, në cilësinë e ish-kreut të Urbanistikës dhe ish-sekretarit të KRRT-së në Fier dyshohet se është përgjegjës për shkaktimin e dëmit rreth 61 milionë lekë, ndërkohë që Luan Çala, kreu i Zbatimit të Legjislacionit për Bashkinë e Fierit, për një dëm prej rreth 38 milionë lekë të reja. Megjithatë, Bashkia e Fierit i ka mbrojtur të dy zyrtarët, duke dhënë edhe argumentet përkatëse se ata kanë vepruar në zbatim të ligjit, duke u bazuar në marrëveshje të bashkisë dhe në një vendim të Këshillit Bashkiak.
KLSH-ja
Në një njoftim zyrtar, Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se ka ushtruar auditim në Bashkinë Fier për periudhën 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2012. KLSH u shpreh se ka konstatuar, krahas punës pozitive, shkelje ligjore në lidhje me prokurimet me fondet publike, kryesisht në zbatimin e kontratave, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe llogaritjen e arkëtimin e pagesave për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe taksën 1 për qind të urbanistikës, që duhet të paguajnë subjektet e ndryshme të ndërtimit që kanë ndërtuar objekte në territorin e kësaj bashkie, me një dëm ekonomik në vlerën 63 milionë e 630 mijë lekë. KLSH, ndër shkeljet e konstatuara, ka përmendur shtatë prej tyre si më kryesoret, që kanë shkaktuar këtë dëm ekonomik.
Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara, KLSH ka rekomanduar 47 masa organizative, 8 masa shpërblim dëmi në vlerën 63,630,534 lekë dhe 29 masa disiplinore për personat shkaktarë-përgjegjës. Gjithashtu, për të gjitha shkeljet e konstatuara, KLSH ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier për Manol Gogën, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Urbanistikës dhe të ish-sekretarit të KRRT-së të Bashkisë Fier, për mosllogaritjen e për pasojë mosarkëtimin për vitin 2011 të taksës 1% të vlerës së preventivit, që arrin në shumën prej 61.050.251 lekë dhe që përbën dëm ekonomik dhe për disa shkelje të tjera. Po ashtu, në prokurori është dërguar Luan Çala, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Zbatimit të Legjislacionit për hartimin e aktmarrëveshjes me nr. 2178/1 datë 04.01.2012 “Për shtyrjen e afatit të pagesës së ndikimit në infrastrukturë” të pabazuar në ligjet në fuqi, duke sjellë të ardhura të munguara për Bashkinë Fier në një vlerë prej 38.146.594 lekë.
Bashkia
Lidhur me pretendimin e KLSH-së për mosllogaritjen e për pasojë mosarkëtimin për vitin 2011 të taksës 1% të vlerës së preventivit, Bashkia e Fierit ka sqaruar se në kushtet e mosfunksionimit të Këshillit të Bashkisë Fier në atë periudhë kohore, është zbatuar paketa fiskale miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak nr. 55, datë 30/10/2009. Sipas burimeve zyrtare, në këtë vendim të këshillit bashkiak është e sqaruar nëpërmjet një tabele, në detaje, taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe aty është e paraqitur taksa totale, duke përfshirë edhe 1 për qind të vlerës së investimit. Sipas zyrtarëve të Bashkisë Fier, në të gjitha pagesat që janë bërë nga subjektet e ndryshme është e përfshirë edhe 1% e vlerës së investimit. Ndërsa, për sa i përket pretendimit për shtyrjen e afatit të pagesës së ndikimit në infrastrukturë, Bashkia e Fierit tha se ka një aktmarrëveshje midis saj dhe shoqërive të ndërtimit për kryerje të pagesës me këste të taksës së ndikimit në infrastrukturë. “Kjo aktmarrëveshje u bë në rrethana të jashtëzakonshme që u krijuan në fushën ekonomike për bizneset si pasojë e krizës që ka prekur gjithë vendin”, tha bashkia, e cila shtoi se i është referuar legjislacionit në fuqi.