Liberalizimi i tregut shpëton biznesin dhe ekonominë, por duhet një “diagnozë” e mirë


Ervin BushatiNuk ishte vetëm kriza ekonomike, ajo financiare e importuar nga jashtë, për shkak të tregjeve botërore, por ajo çfarë e thelloi më tej lidhet me funksionimin e tregut në Shqipëri, që sipas Sekretarit për Ccështjet Ekonomike në PS, është i rrehuar nga momopolet. Ervin Bushati tregon për “Shqip” se ishte pikërisht “përdorimi elektoral i buxhetit dhe sjellja feudale e politikbërësve që shkaktoi këtë krizë në vend”.


 


Mazhoranca e re po merr një pushtet në kushte të rënda financiare dhe tani pritet me interes se nga do t’ia nisë për të rikuperuar ekonominë, por më parë na thoni pse arritëm në këtë pikë dhe si mund të dalim?


Faleminderit për pyetjen, sepse gjykoj që brenda saj mban argumentin më të fortë për një hapje ekonomike të gjerë dhe një liberalizim të paprecedentë të tregut. Duhet të theksoj që në fillim se në fund të mandatit 8-vjeçar të PD-së dhe me mbylljen e fushatës, situata financiare dhe ajo ekonomike në përgjithësi është e rënduar. Janë shumë arsyet dhe ne ato i kemi bërë të qarta, ashtu si dhe i kemi paraprirë kësaj krize në zhvillim me parashikimet tona më herët se sot.


Gjatë gjithë këtij mandati kemi kritikuar në mënyrë sistematike shpërdorimin e mandatit të shkuar qeverisës dhe mënyrën e gabuar me të cilën është mbyllur ekonomia shqiptare në këto vite: mbyllur në tregje, mbyllur në mundësi zhvillimi dhe punësimi, mbyllur në oportunitete për sipërmarrjen shqiptare të re që kërkon rrugë të reja.


Për mendimin tim, dy janë arsyet kryesore të mbylljes dhe të asfiksimit të ekonomisë shqiptare: Patronazhi Politik dhe Monopoli në Treg.


Në radhë të parë, të gjithë jemi dëshmitarë sesi fondet publike dhe gjithë cikli ekonomik është keqpërdorur gjithmonë në funksion të zgjedhjeve elektorale çdo dy vjet. Kjo përveçse e profilizon dhe politizon shumë funksionin e investimeve publike në vend, i bën ato dhe jo rentabël në planin e mesëm – nëse shkëputemi për pak sekonda nga të ardhurat që krijohen prej dividendit elektoral imediat: vota. Gjithashtu, sistemi i asimilimit të fondeve publike vetëm në fushatë është shumë problematik dhe krijon vonesa, pengesa dhe deformime si në punime, ashtu dhe në pagesa e likuidime: shikoni zinxhirin e borxheve të pashlyera nga qeveria ndaj kompanive të ndërtimit në vend, i cili u transformua me kohë në lakun vicioz të kredive me probleme që sot kanë paralizuar rëndë ekonominë dhe financat e sipërmarrjes, në veçanti dhe të bankave në tërësi.


Jo folët për monopole, ku i shikoni ju ato?


Për sa i përket monopolit në biznese të ndryshme, shumica e tregjeve të rëndësishëm sot janë të kapur nga disa kompani të mëdha, të cilat janë nën vasalitetin e pushtetit. Problemi nuk qëndron vetëm te mënyra korruptive dhe kriminale sesi administrohen bizneset dhe fitimet, por te kosto më e lartë që i shkakton tregut monopoli. Çdo familje paguan më shumë për çdo mall a shërbim të një monopoli, duke qenë se janë kufizuar apo anihiluar konkurrentët në treg dhe kështu është zhdukur konkurrenca që do sillte në mënyrë të pashmangshme çmimet më të ulëta. Në të njëjtën kohë, kjo situatë monopoli në treg nuk lejon të operojnë biznese të reja që do të rrisnin dhe punësimin e shqiptarëve.


Pra, këto dy situata të mësipërme janë lakuar që po e mbyt sot biznesin, punësimin dhe ekonominë familjare shqiptare. Një Ekonomi e Hapur për të gjithë dhe një Liberalizim real i tregut ekonomik do të ishte e vetmja rrugë shpëtimi për ekonominë tonë. Kjo arrihet vetëm nëpërmjet funksionimit të Sundimit të Ligjit dhe Reformave Strukturore të thella dhe gjithëpërfshirëse në të gjithë spektrin.


Ndaj e them me bindje e besim të plotë: Sot duhet një vullnet i zjarrtë politik për të shfarkëtuar zinxhirin vicioz të Ekonomisë Feudale dhe të mbyllur që është mbledhur rreth qafës sonë në vite.


 


Me situatën ku jemi, a do të ketë hapësirë mazhoranca e re për të zbatuar premtimet për uljen e taksave?


Për të “shëruar” duhet në fillim një “diagnozë” (mendoj se duhet fjala diagnostikim) e mirë dhe kjo do kërkojë një nivel të lartë analize dhe transparence të tregut ekonomik dhe të financave publike sot në vend. Vetëm një studim i saktë i gjendjes aktuale, që na është fshehur tashmë prej vitesh, mund të na tregojë se sa e thellë dhe në çfarë stadi është sëmundja e tregut ekonomik shqiptar. Këtu është vitale të shihet: Dimensioni i biznesit, i punësimit, i konkurrencës dhe konkurrueshmërisë, i shpenzimeve publike me fonde, i investimeve në infrastrukturë dhe në radhë të parë në kapitalin tonë njerëzor.


Nuk mund të mbledhim më shumë para pa rregulluar sistemin fiskal dhe atë juridik: më shumë ujë në një kullonjëse nuk ndryshon as viskozitetin e lëngut që derdhet, e as masën e mbetur në fund të saj.


Unë besoj se çdo biznes, në çdo vend në botë paguan në shtet aq sa gjykon se shteti meriton: taksat që biznesi kontribuon në shoqëri janë në përpjesëtim të drejtë me fuqinë e garancinë e institucioneve dhe drejtësisë që shteti garanton për subjektin e tij. Shteti meriton vetëm atë çka jepet vullnetarisht nga sipërmarrja.


 


Çfarë mund të presim nga marrëveshja me FMN në shtator?


FMN është institucioni më prestigjioz financiar që ka ekzistuar ndonjëherë në botë. Rëndësia që ka është akoma më prezente kur vende si SHBA, Angli apo Francë etj., i kushtojnë vëmendje primare në çdo vendim a analizë që ndërmarrin. Vetëm në raste krize, ashtu si në raste sëmundje, e kuptojmë sa i rëndësishëm është “mjeku”.


Ne nuk kemi as mundësinë dhe as luksin të: mos dëgjojmë, mësojmë, të rrisim kredibilitetin në tregjet financiare apo të pranojmë ndihmë nga FMN në këto momente të vështira të një kapitalizmi në fazën e hershme të pubertetit të tij në Shqipëri.


Ne sapo kemi hyrë në kapitalizëm – që ashtu si demokracia nuk është perfekt, por është e vetmja mënyrë funksionale e zhvillimit të një shoqërie normale njerëzore. Detyra e një shteti që punon për qytetarët e tij është që të shohë me kujdes që të harmonizojë një shoqëri njerëzore, dhe jo një shoqëri aksionere si rëndom në biznes.


ARD KOLA