Monitorimi


“Mangësi në raportim, mungojnë komentet dhe çfarë eficience u realizua”


Ridvan BodeNë qershor të vitit 2008, hyri në fuqi ligji “Për sistemin e menaxhimit buxhetor”, ku për herë të parë u vendosën koncepte të reja në trajtimin dhe zbatimin e buxhetit. Për hartimin e këtij ligji u punua gjatë, madje me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë dhe një ndër risitë ishte monitorimi dhe raportimi i zbatimit të buxhetit gjatë vitit.


Ideja është (ishte) që çdo institucion duhet të raportonte çdo tre muaj në Ministrinë e Financave për ecurinë e zbatimit të buxhetit të tyre dhe ta publikonte rregullisht në faqen zyrtare të internetit. Mënyra e raportimit, sipas ligjit, është mjaft e rëndësishme, pasi nuk përbënte qëllim në vetvete thjesht paraqitja e treguesve, por edhe eficienca, çfarë u realizua me paratë e taksapaguesve shqiptarë, cilësia dhe problematikat.


U bënë pesë vjet nga zbatimi i ligjit dhe Ministria e Financave pranon se kemi ende shumë mangësi në mënyrën e raportimit të shpenzimeve, sidomos tek investimet dhe realizimin e produkteve. Çështja nuk është vetëm te shifrat dhe realizimi i tyre në përqindje, por çfarë produkti u arrit në fund të vitit, etj.


Mesatarisht çdo vit investohen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë rreth 600-700 milionë dollarë, kurse buxhetet në total kanë qenë afro 3.5 miliardë dollarë, ndaj është mjaft e rëndësishme për publikun që të bëhen transparente se ku shkuan paratë dhe si u shpenzuan. Nëse themi se u ndërtuan 10 shkolla, kjo nuk mjafton, por nëse mësojmë cilësinë e tyre, atëherë analiza bëhet më konkrete.


Gazeta “Shqip” mori shembullin e katër ministrive që kanë peshën më të madhe në buxhet, por që trajtojnë edhe fushat prioritare në jetën ekonomiko-sociale të vendit.


Ministria e Transportit dhe Punëve Publike, në vitin 2012, e realizoi planin e investimeve në masën 97 për qind, ku 96 për qind ishte te rrugët, me një total parash të shpenzuara afro 34 miliardë lekë, ndërsa i gjithë buxheti ishte rreth 38 miliardë lekë. Por si ishte raportimi i kësaj ministrie sipas ekspertëve të Financave? Në komentet e dikasterit të Bodes për MPPT-në thuhet se “duhet të jetë më e plotë analiza e objektivave të politikës së programit si dhe të objektivave për çdo produkt.


Të dhënat faktike të raportuara duhet të jenë të rakorduara me të dhënat faktike të sistemit të thesarit, pasi vërejmë mospërputhje të të dhënave faktike të raportuara nga ministria me ato të sistemit, për shpenzimet kapitale me financim të huaj”.


“Raporti i monitorimit duhet të jetë i plotësuar me shpjegimin e


performancës së produkteve”, është një tjetër koment për ministrinë e drejtuar nga Olldashi.


Si shembull po japim programin ujësjellës-kanalizime, për produktin “objekte ujësjellës kanalizime”, ku vihet re se në tabelën e realizimit të shpenzimeve të produktit paraqiten shpenzime të kryera, ndërsa në tabelën e realizimit të produkteve nga ana sasiore nga 130 objekte të planifikuara nuk ka asnjë objekt të realizuar dhe në relacion nuk janë dhënë shpjegime për këtë. Gjithashtu, kjo ministri nuk ka qenë në gjendje të paraqesë analizën e kostos për njësi.


Te Ministria e Bujqësisë, e cila pati një realizim të investimeve në masën 95 për qind, rreth 1.8 miliardë lekë, kurse i gjithë buxheti ishte 5.7 miliardë, vërehen të njëjtat mangësi në raportim. Problem thelbësor për këtë ministri është raportimi për njësitë matëse të tyre, ndërsa mungojnë objektivat dhe komentet për projekte, të dhënat nuk përputhen me sistemin e thesarit, e plot të tjera.


Ministria e Arsimit, me 91 për qind realizim të investimeve, 3.6 miliardë lekë dhe buxhet me 35 miliardë lekë, kishte jo pak mangësi në raportim, ashtu sikurse Ministria e Mjedisit. E përbashkët për këto dy ministri ishin shkaqet e mosrealizimit të objektivave, të cilat ishin të njëjta për të gjitha produktet, pa dhënë shumë komente të hollësishme. Sipas ligjit, neni 65 detyron institucionet të raportojnë të paktën 4 herë në vit te Financat, sipas një formati ku kërkohen sqarime dhe të paraqiten komentet mbi cilësinë e produkteve.


ARD KOLA