EDUART GJOKUTAJ
Për pyetjen më lart dua të jap vetëm mendime që mund të verifikohen ose gjykohen nga logjika e shumicës së lexuesve.
Kanë kaluar dy dekada. Në kthimin e kujtesës mbrapa në kohë, por edhe në rishikimin e gjurmëve të lëna nga drejtimi ekonomik prej lidershipit shqiptar (burrat e vendit) si efekt i vizionit ekonomik, dëshiroj të jap mendimin në lidhje me faktet, efektet dhe pasojat e vendimmarrjeve.
Çfarë drejtimi i dhanë ekonomisë së vendit në 20 vite (një gjysmë gjenerate)?
Të gjithë aspiruesit, vizionarët, shkencëtarët dhe udhëheqësit politikë të pasviteve ‘90 në shumicën më të madhe sot janë mbuluar nga thinjat. Po ekonomia?
Në fillim të bisedës ekonomike dua të filloj nga ekonomia përpara viteve ‘90.
Politikat ekonomike të ndjekura në vitet ‘60-‘70 për industrializimin e vendit bënë që qendra e zona të tëra me orientim historik agroblegtoral të ktheheshin në Zona Industriale. Ky transformim i zonave natyrore në qendra industriale ristrukturoi dhe jetën sociale të këtyre zonave. Struktura e aktiviteteve zonale, kultura e punës, format e zakonet e konsumit dhe kushtet e jetesës së atyre që tashmë ishin bërë punëtorë industrialë u këmbyen me të mëparshmet. Aspiratat për arsimimin dhe emancipimin e tyre dhe të fëmijëve gjithashtu ndryshuan rrënjësisht.
Ideja socialiste e kthimit të krahinave bujqësore-blegtorale në zona industriale arriti të krijonte infrastruktura industriale në ish-zonat bujqësore–blegtorale, përgjithësisht jo vizionare për zhvillimin afatgjatë dhe një profilim të qartë sektorial. Megjithëse periudha e zhvillimit industrial nuk zgjati më shumë se dy dekada, popullsia e zonave fshatare e futur në punë hyri në rrugën e transformimit në popullsi urbane duke u organizuar përreth qendrave industriale. Megjithatë, një pjesë e mirë e kësaj fuqie punëtore luhatej pa qëndrueshmëri midis zonës rurale dhe asaj urbane.
Planet ekonomike 5-vjeçare përfshinë në fuqinë punëtore edhe gratë. Shkollat profesionale dhe kurset e ndryshme që u hapën përbënin edukimin kryesor për këtë fuqi punëtore të pakualifikuar, që vit pas viti i asimiloi profile të ndryshme specializimi, duke u shndërruar në një potencial për industrinë.
Modeli i planifikimeve ekonomike mbi periudha 5-vjeçare kishin qëllim në vetvete që veprat industriale të thithnin fuqinë e aftë për punë, si në ruajtjen e asaj ekzistuese, po ashtu dhe në krijimin e fuqisë së re. Nëpërmjet krijimit të përqendrimeve të popullsisë në zonat industriale, një drejtim i politikës ishte shndërrimi i tyre në qendra tipike rajonale të vendit me forcim të rrjetit të shërbimeve administrative e civile për qëllime të jetesës urbane.
Por modeli konsumoi vetveten, për shkak të papjekurisë (në gjithë kampin) dhe mungesës së vizionit afatgjatë sipas kushteve të vendit. Industria në fillimin e viteve ‘80 hasi vështirësi në rritje kur filloi të konsumonte rezervat e pakta të krijuara. Vështirësitë u shtuan kur cikli i prodhimit industrial (i pamodernizuar) filloi të mos “ngopej” dot me lëndën e parë dhe mungesa të likuiditetit që mbaheshin si probleme të fshehura. Kësaj dukurie nuk i doli për zot asnjë model që të kufizonte problemet dhe të kërkonte përshtatjen e industrisë sipas nevojave të tregut të brendshëm dhe rajonal. Ndërtimi i industrisë së çelikut dhe fortifikimeve e paracaktoi modelin në vetëshkatërrim. Pas kësaj, modeli kaloi në “komë”. Gjithë shtresa e punëtorëve industrialë u detyrua të kërkojë burime të tjera të ardhurash dhe mënyrë të ndryshme punësimi për zhvillimin e saj. Papunësia ishte alarmi për ndryshimin e menjëhershëm të drejtimit të ekonomisë. Për këtë ndryshim nevojitej ndryshimi politik…
Çfarë modeli ekonomik u krijua në 20 vitet e fundit?
Ndryshimi i regjimeve, nga njëra anë pruri ndryshimin e politikës. Kjo krijoi institucionet mbi parimet e demokracisë shumëpartiake. Nga ana tjetër, ndryshimi i modelit ekonomik u bë objekt i debatit të ekonomistëve që drejtonin qeverinë. Por, debati brenda këtij rrethi njerëzish ishte i pamjaftueshëm. Si rrjedhojë e këtij gabimi historik u prish modeli i rishpërndarjes së të ardhurës kombëtare sipas parimit të shtetit socialist. Përpara se të lindte i riu. Pse? Modeli ekonomik i vjetër duhej të zëvendësohej me një të ri, duke u bazuar mbi historinë e re të vendit. Por, euforikë dhe abuzues me mundësinë për të menaxhuar të ardhurën kombëtare dhe asetet publike dhe natyrore, drejtuesit e rinj të pazotë për ta administruar ndryshimin e sistemit politik, vijuan të modelonin ekonominë me ide ekonomike të paqarta (çeku i bardhë etj.), jo zhvilluese dhe peng të korruptimit duke mos dalë dot me një model ekonomik zhvillues. Modeli “i ri” i orientimit ekonomik u quajt tranzicion, duke fshehur brenda tij gjithë problemet personale të drejtuesve të vendit që i zinin vendin njëri-tjetrit duke ruajtur të njëjtën status quo. Integriteti i cenueshëm personal dhe mosmarrja në konsideratë e përvojave më të mira dhe ideve të vizionarëve brenda dhe jashtë vendit mbyti çdo përpjekje për hartimin e modelit ekonomik. Tranzicioni ekonomik zuri vendin e modelit. Drejtuesit e lartë të vendit, nisur nga arsyet personale dhe aspak të merakosur për fatin e vendit dhe qytetarëve të tij, por edhe me mungesë dëshire për të përshtatur modele nga vende të tjera deklaruan se kriza që mbart mbi vete sistemi i ri do të ishin probleme të përkohshme dhe se prona private që do të vendosej, privatizimet, institucionet e tregut, investimet e huaja do të kundërbalanconin pjesën problematike që pengon zhvillimin e ekonomisë. Por, duke mos e nisur drejt që nga fillimi (prona e pazbardhur, privatizime korruptive, institucione të varura nga drejtuesi i qeverisë, investime të huaja klienteliste), ekonomia e re rezultoi të ishte iluzion. Problemet serioze të papunësisë, restaurimi i pronës private dhe privatizimi i pronës publike, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm mbetën probleme të pazgjidhura.
Ndryshimet ekonomike dhe shoqërore të këtyre dy dekadave janë shoqëruar me kontradiksione. Pavarësisht nga kushtet gjeografike, klimaterike, historike, ekonomike e kulturore të banorëve të vendit mund të themi se ata kanë të njëjtat karakteristika, të mbetura peng të mungesës së modelit të munguar ekonomik. Këto shenja i dallon te:
– Numri i madh i atyre që kanë ngelur pa punë dhe niveli i ulët i punësimit.
– Numri i pakët i njerëzve me arsimim dhe kualifikim të përshtatshëm për kohën.
– Niveli i ulët i të ardhurave për familje dhe shtresa në nevojë.
– Atmosfera e zymtë ekonomike e shoqëruar me pasiguri, mungesë vizioni për të ardhmen dhe dorëzim pa kushte te varfëria.
Po për nesër, çfarë modeli ekonomik shpresojmë?
Dëshira për t’ju bashkuar kapitalizmit europian, vlerat njerëzore, pasuritë natyrore dhe akumulimi i kapitalit për investimet e duhura për zhvillim duhet të jenë kolonat e parimeve për hartimin e modelit ekonomik strategjik. Nisur nga fakti i ekonomisë së vendit, që është një strukturë ende jo e pastër e ekonomisë së tregut duhet të kërkohet një bashkërendim i sektorit publik dhe privat, nëpërmjet komunikimit mes grupeve të interesit për të diskutuar dhe vendosur mbi orientimin e strukturës ekonomike dhe masave që duhet të bëjnë të mundur zbatimin.
Ashtu si në menaxhimin publik, ku struktura organizative dikton zbatimin e strategjive dhe veprimit, po ashtu edhe në modelimin e profilit ekonomik të vendit do të bënte të mundur qartësimin për ardhmërinë e ekonomisë shqiptare. Modeli ekonomik, që me gjasa tashmë mes drejtuesve politikë është në faza diskutimi dhe përcaktimi përfundimtar, nevojitet të bëhet debati më i stimuluar dhe i kërkuar sa më shpejt nga ekonomia dhe qytetarët. Ndërkohë, rastësisë së zhvillimit ekonomik pa një bosht industrish udhëheqëse të derisotshme nga të gjithë ekspertët duhet t’i vendoset përballë (pavarësisht nga klubi politik) ideja për ta transformuar vendin në një model zhvillimi rajonal. Asgjë nuk i mungon vendit për ta arritur këtë objektiv, ndoshta më të madh edhe se ai i anëtarësimit në Bashkimin Europian.