Kryesocialisti Edi Rama, njëherësh kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka prezantuar sot kabinetin e tij qeveritar. Në fillim të konferencës për shtyp, Rama ka vlerësuar numrin e madh të grave që janë përfshirë në qeverisje dhe faktin se 90 % e kabinetit ulet për herë të parë në një post ministror.
“Qeveria e re do të ketë vetëm një pjesë pa mandat deputeti, ndërsa pjesën tjetër me mandatin e 23 qershorin në Kuvend. Ajo është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kreun e LSI që dua ta falenderoj për frymën konstruktive për formimin e kabinetit të ri qeveritar”. tha Rama. Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë pesë ministri, ndërkohë që një post ministri i përket shoqërisë civile dhe pjesa tjetër janë pjesë e PS-së, shumica deputetë të rinj në moshë dhe në poste ministrore.
Aleatët e tjerë nuk janë përfshirë në kabinetin qeveritar dhe sipas Ramës kjo është bërë për faktin se “barra e mandatit të 23 qershorit i është dhënë PS dhe LSI. “Nuk është shpërfillje ndaj aleatëve por dhe përgjegjësi e imja si kryetar i kësaj mazhorance”, u shpreh Rama.
I pyetur për pozicionin e Spartak Ngjelës, Rama u shpreh se fatkeqësisht nuk është rënë dakort për pozicionin. “Kemi pasur marrëveshje, dhe ne ia kemi propozuar dhe ai e ka refuzuar me lartësinë që e karakterizon”, tha Rama pa rrëfyer më shumë detaje rreth propozimit që i është bërë Ngjelës.
Në total janë gjashtë femra që marrin poste ministrore në kabinetin e Ramës, njëra prej të cilave, Mirela Kumbaro, vjen nga shoqëria civile.
Qeveria e re
Kryeministri Edi Rama
Zv/Kryeministri Niko Peleshi
Ministritë:
1. Ministria e Financave- Shkëlqim Cani
2. Ministria e Brendshme- Saimir Tahiri
3. Ministria e Mbrojtjes- Mimi Kodheli
4. Ministria e Jashtme- Ditmir Bushati
5. Ministria e Integrimit Europian- Klajda Gjosha
6. Ministria e Drejtësisë- Nasip Naço
7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes- Arben Ahmetaj
8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë- Damian Gjiknuri
9. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit- Eglantina Gjermeni
10. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës –Edmond Haxhinasto
11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave- Edmond Panariti
12. Ministria e Shëndetësisë- Ilir Beqja
13. Ministria e Arsimit dhe Sportit- Lindita Nikolli
14. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë- Erjon Veliaj
15. Ministria e Kulturës- Mirela Kumbaro
16. Ministria e Mjedisit- Lefter Koka
Ministrat e Shtetit:
17. Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike- Milena Harito
18. Ministër për Çështjet Vendore- Bled Çuçi
19. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin- Ilirjan Celibashi
31 korrik 2013 (gazeta-Shqip.com)