Qershori


BSH, më keq paraqiten valutat. Kredia, me “hapin e breshkës”


sportel banke vilmaKursimet e individëve e bizneseve kanë regjistruar rënie për të dytin muaj radhazi në qershor, duke vijuar performancën e dobët që ka nisur prej shtatorit të vitit të kaluar.


Totali i depozitave në ekonomi arriti në 939 miliardë lekë në fund të muajit qershor, duke shënuar një rënie prej 1.4 miliardë lekësh, apo 0.15%. Tkurrja ka ardhur sërish nga zbrazja e depozitave në valutë, të cilat janë zvogëluar me 3.1 miliardë lekë, apo 0.7%. Depozitat në valutë nuk arritën ta marrin veten, pasi ranë ndjeshëm me 10 miliardë lekë në maj 2013, periudhë kjo që përkonte me situatën parazgjedhore dhe shkaktoi një largim të kursimeve nga vendi.


Në raport me fundin e 2012-s, depozitat në total janë rritur me 8.7 miliardë lekë, apo 0.9%. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin 29 miliardë lekë dhe 3.4%. Ndërsa depozitat në lekë kanë qenë më të qëndrueshme në gjashtë muajt e parë të vitit, duke u rritur me 21 miliardë lekë, apo 4.5% në raport me fundin e 2012-s, kanë qenë kursimet në valutë ato që kanë shënuar performancën më negative. Për të njëjtën periudhë, depozitat në valutë kanë rënë me 12.6 miliardë lekë (rreth 81 milionë euro), apo 2.7%. Kanë qenë individët ata që kanë ndikuar në këtë tendencë negative, duke zvogëluar depozitat me 11.2 miliardë lekë, për periudhën në fjalë.


Teksa individët dhe bizneset kanë tërhequr kursimet në euro, pesha e depozitave në valutë ka rënë në 47% në fund të qershorit 2013, nga 48% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Sa i takon kredisë, stoku arriti në 557.5 miliardë lekë në fund të muajit gusht, me një zgjerim prej 2.7 miliardë lekësh, apo 0.5% në raport me muajin e mëparshëm. Rritja erdhi si nga huaja për individë ashtu dhe nga ajo për sektorët e tjerë jofinanciarë.


Në raport me dhjetorin 2012, stoku i kredisë për biznesin dhe individët është rritur vetëm me 2.73 miliardë lekë apo 0.49%. Një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 10.8 miliardë lekë dhe 2%.


Edhe në raport me qershorin e vitit të kaluar (rritja vjetore), huaja për ekonominë është zgjeruar vetëm me 4.7 miliardë lekë, apo 0.8%, duke shënuar ritmet më të ulëta rekord të kreditimit në vend. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin 42 miliardë lekë dhe 8.3%.