6-mujori


Borxhi del nga kontrolli, 872 miliardë lekë


ARD KOLA


Berisha & BodeBorxhi publik i Shqipërisë vijon të ngjitet drejt majave të rrezikut, duke prekur pikën kritike. Të dhënat e 6-mujorit, të bëra publike nga Ministria e Financave, bëjnë të ditur se borxhi në tërësi arriti në rreth 872 miliardë lekë, me një rritje 6 për qind në raport me fundin e vitit 2012, ose gati 50 miliardë lekë më shumë.


Fushata elektorale “dehu” financat, dikasterin e Ridvan Bodes, i cili nuk u ndal të firmoste çdo shkresë për shpenzimet, dhe marrjes hua te bankat, pavarësisht gjendjes me arkëtimin e taksave, të cilat si 6-mujor ishin në nivelin më të ulët historik të dhjetëve të fundit, ose 10 miliardë lekë më pak.


Duke u ndalur te borxhi publik, në raport me detyrimin ligjor për të mbajtur brenda parametrit të 62.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duket se ky mision është i pamundur. Ministria e ka shkelur ligjin që në tremujorin e parë të këtij viti, duke e kapërcyer borxhin publik mbi 63 për qind, në kushtet e rritjes ekonomike 1.7 për qind dhe tendenca është për një nivel afër 64 për qind deri në fund të vitit. Megjithatë, ministria thotë se deri në qershor, borxhi qëndron afër 62 për qind të PBB-së, me parashikimin e rritjes ekonomike 3 për qind.


Vetëm në tre vjet, borxhi është rritur me afro 2 miliardë dollarë, ndërsa mesatarja për frymë është afro 3 mijë dollarë (320 mijë lekë), pra shumë që i takon çdo shqiptari për të shlyer borxhin e shtetit të tij, kur në 2009-n ishte 2400 dollarë.


Qeveria e ndryshoi ligjin e buxhetit, duke prekur nenin 58 të tij, sipas të cilit, Shqipëria nuk duhet të ketë një borxh jo më të lartë se 60 për qind e PBB. Miratimi i kufirit të ri, me 62.6 për qind, kaloi me shumë debate, ndërsa Partia Socialiste, e cila pritet të marrë pushtetin në shtator, propozoi që të kishte një normë të rrumbullakosur, 63 për qind, ndërsa kërkoi që Banka e Shqipërisë të llogariste nivelin real të borxhit publik.


Rritja e borxhit dhe e shërbimeve ndaj tij, vë edhe një herë në diskutim rolin e Bankës së Shqipërisë për të frenuar ngjitjen galopante të detyrimeve të shtetit shqiptar ndaj bankave.


Të dyja institucionet financiare, Fondi Monetar dhe Banka Botërore, janë pozicionuar kundër rritjes së tij, duke pasur parasysh stadin ekonomik të vendit, madje ato sugjerojnë një ulje graduale, politikë kjo që pritet të digjet nga qeveria e re.


Nga 872 miliardë lekë borxh të arritur deri në qershor të 2013-s, kur i gjithë plani është për 890 miliardë, rreth 500 miliardë është hua e brendshme, pra që është marrë te bankat vendase dhe individët.


Me shqetësim shikohet edhe përbërja e borxhit, ku interesat që paguhen në valutë kanë pësuar rritje të peshës, ndaj totalit, nga 0.8 për qind që ishte tre vjet më parë, në 1.7 për qind. Kjo përbën kërcënim në kushtet e luhatjes së kursit të këmbimit.


 


Interesat e bonove zbresin në 5.11%


Yield-i (interesi) i bonove të thesarit zbriti sërish në ankandin e fundit të zhvilluar të martën nga Banka e Shqipërisë.


Sipas rezultateve të ankandit, për bonot 12 mujore, yield-i mesatar i ponderuar ishte 5.11%, nga 5.35% në ankandin mëparshëm, duke arritur në një tjetër nivel minimum historik. Në këtë ankand u shitën 5.9 miliardë lekë bono, ndërkohë që kërkesa ishte më e lartë, në 8.13 miliardë lekë. Shuma e lartë e kërkuar ka bërë që bankat të mos arrijnë të rrisin dot interesat, ndonëse yield-i maksimal i kërkuar ishte 5.37%, i njëjtë si në ankandin e mëparshëm. Për bonot 3-mujore, yield-i zbriti në 4%, nga 4.6% në ankandin e mëparshëm. Shuma e pranuar ishte 2.44 miliardë lekë, nga 3.5 miliardë lekë që ishte kërkesa. Në mungesë të kreditimit të ekonomisë, bankat po i kanalizojnë fondet e lira kryesisht në blerjen e bonove të thesarit të qeverisë, yield-i (interesi) i të cilave shënoi një tjetër rënie në ankandin e fundit, në vetëm 5.11% për letrat me vlerë 12-mujore.