Guvernatori
Paralajmërimi i krizës, kreu i BSH: Kam qenë vokal. Bashkëpunim me qeverinë e re
Në fund të tremujorit të parë, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së vlerësohet në 63.3%
ARD KOLA
Guvernatori Ardian Fullani shpërtheu dje me një lumë kritikash ndaj qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha, sa u takon shpenzimeve të larta, të cilat po rrezikojnë stabilitetin ekonomik të vendit.
“Dinamika e deficitit buxhetor është reflektuar në rritjen e borxhit publik gjatë kësaj periudhe. Në fund të tremujorit të parë, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së vlerësohet në 63.3%. Borxhi publik përbën një nga dobësitë më të mëdha të ekonomisë e të sistemit financiar shqiptar”, u shpreh kreu i Bankës së Shqipërisë. Ky nivel borxhi konsiderohet tepër i lartë dhe antiligjor, duke vënë para përgjegjësisë ministrin e Financave dhe Kryeministrin që kanë firmosur shkresat për shpenzime të larta në kohë fushate.
Çështja mbetet te roli i guvernatorit, personit kyç në procesin e furnizimit të qeverisë me para. Për këtë pjesë, Fullani thotë se, “kam qenë vokal gjatë gjithë kohës”, duke nënkuptuar se ka folur për rreziqet e borxhit të lartë, pa kufi, dhe se duhen marrë masa për të disiplinuar financat. Kjo është e vërtetë! Puna është se guvernatori ndryshe ka vepruar nga sa ka thënë, të paktën në financimin e deficitit me huan e brendshme.
“Shpenzimet publike kanë shënuar rritje vjetore prej 12.2% në gjashtë muajt e parë të këtij viti, të nxitura në një masë të madhe nga shpenzimet kapitale. Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore për këtë periudhë rezultuan 2.9% më të ulëta nga një vit më parë, duke reflektuar ecurinë e dobët të të ardhurave tatimore. Këto zhvillime janë materializuar në rritje të ndjeshme të deficitit buxhetor, i cili ka rezultuar më shumë se dy herë më i lartë në krahasim me një vit më parë”, u shpreh dje Fullani, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së.
Kufiri ligjor, prej 62.6 për qind e PBB-së, është shkelur dhe për këtë duhet të marrë përgjegjësi dikush.
Moralisht, guvernatori duhet të kishte frenuar qeverinë në kërkesën e pandalshme për financim të borxhit, ose të deklaronte hapur, publikisht, sikurse pretendon, në respektim të transparencës, që situata është “kjo” dhe rrezikojmë të arrijmë “atje”.
Për BSH-në, koha nuk duhet humbur dhe shumë shpejt duhen marrë masat për të vënë në zbatim politikat e qeverisë së re, duke nisur pikë së pari me disiplinimin e shpenzimeve buxhetore. “Banka e Shqipërisë sugjeron se marrja e masave të menjëhershme për kontrollin e këtij borxhi do të përbënte një kontribut të rëndësishëm për reduktimin e pasigurive dhe të primeve të rrezikut në ekonomi”. Fullani gjeti rastin t’i sugjeronte qeverisë së re vendosjen e një rregulli fiskal transparent e të besueshëm. “Kjo është rruga më e mirë për të disiplinuar politikën fiskale dhe për të ruajtur besimin e tregjeve financiare ndaj borxhit publik shqiptar në afat të gjatë”, shtoi kreu i BSH-së.
Sa i takon ekonomisë në tërësi, BSH-ja beson për një rimëkëmbje, pasi deri më tani kemi ecur duke prodhuar nën potencial. Për rritjen e PBB-së, ndryshe nga qeveria që parashikon një nivel 3 për qind, BSH-ja pret një normë nën 2 për qind, në një kohë kur në tremujorin e parë ishte 1.7 për qind.
Sipas Bankës Qendrore, ndonëse stimujt monetarë janë rritur gjatë tremujorëve të fundit, konsumi dhe investimet private janë frenuar nga pasiguria për të ardhmen. Kjo pasiguri reflektohet në një sjellje më të kujdesshme nga biznesi dhe familjet shqiptare, si dhe në një gatishmëri më të ulët të tyre për të marrë përsipër rrezik. Rritja e prirjes për kursim dhe ulja e shkallës së huamarrjes përmirësojnë bilancet e sektorit privat, por ato kanë një ndikim negativ në kërkesën agregate dhe rritjen ekonomike afatmesme.
“Projeksionet tona për ecurinë e ekonomisë në të ardhmen mbështesin vlerësimin për një rritje të ngadaltë të aktivitetit ekonomik gjatë tremujorëve në vazhdim, në nivele të krahasueshme me ato të gjysmës së parë të vitit”, përfundon në fund deklaratën kreu i BSH-së.
Reagimi
“Auditi i Ramës? E mirëpres, por nuk është diçka e re”
Guvernatori është shprehur me nota pozitive sa i takon auditit të financave të shtetit shqiptar nga një kompani e huaj, sipas kërkesës së kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama. Megjithatë, sipas Fullanit, kjo nuk është një gjë e re, pasi më parë një funksion të tillë e ka realizuar FMN-ja dhe do ta përsërisë në muajt e ardhshme, për programin e vlerësimit financiar. Pyetjes nëse do të ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij, në projektin e auditit, Fullani u shpreh se, detyrat dhe funksionet janë të qarta, megjithatë, duke qenë se X kompani audituese do të konsultohet me të dhënat e qeverisë, padyshim që do të kërkojë edhe statistikat e prodhuara nga BSH-ja, ndaj në një farë mënyre do të jetë i pranishëm.
3.5% Ulja e normës
Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin 3.50%. “Ulja e normës bazës krijon kushte më të mira për rritjen e kërkesës agregate, duke ndihmuar në kthimin e inflacionit pranë objektivit tonë prej 3%. Gjithashtu, lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare faktorizon pritjet për një politikë fiskale të përmbajtur në gjysmën e dytë të vitit dhe krijon hapësira për një korrektim më të shpejtë e me kosto më të ulët të financave publike”, ishte argumenti i Këshillit Mbikëqyrës.