Intervista
Drejtoresha e BB-së thotë se gjendja është e dobët, por ka hapësira për manovra
Drejtuesja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Kseniya Lvovsky, thotë se Shqipëria ka shumë sfida në të ardhmen dhe kalimi i tyre do të kërkojë sakrifica, pasi gjendja ekonomike nuk është e mirë.
Cilat janë efektet më të dukshme të krizës dhe të rënies ekonomike në rajon e në Shqipëri?
Do të theksoja dy pasojat më të dukshme, që ne si BB i cilësojmë të tilla: niveli i lartë i papunësisë, veçanërisht rritja e papunësisë në radhët e rinisë. Kjo është një sfidë shumë e vështirë. Pasoja e dytë, për të cilin BB është shumë e shqetësuar, është përkeqësimi i treguesve të reduktimit të varfërisë. Shqipëria kishte në këtë fushë arritje mbresëlënëse para krizës. Për fat të keq, që nga 2008-a nuk kemi ende të dhëna në dispozicion për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në 5 vitet e fundit. Megjithatë ka studime zyrtare për të matur varfërinë, burime të disponueshme si “Life in Transition Surveys”, të kryera më 2006-n dhe 2010-n, që tregojnë se varfëria ka ngecur në vend, ose ka të ngjarë të jetë përkeqësuar.
Znj. Lvovsky, në shtator në Tiranë fillon punën qeveria e re, me kryeministër Edi Ramën. Cilat janë sfidat kryesore që duhet të përballojë lidhur me situatën ekonomiko-financiare?
Sfida kryesore për qeverinë e re është të kërkojë agjentë të rinj të rritjes dhe rritje, që krijon vende të reja pune. Dhe këtë duhet ta bëjë në një mjedis të vështirë të jashtëm dhe të brendshëm, kur jo vetëm kërkesa e brendshme është e shtypur, por kur qeveria nuk ka hapësirë fiskale për të mbështetur rritjen e kërkesës së brendshme. Prandaj është shumë e rëndësishme për të parë mundësitë: spostim nga një rritje ekonomike e orientuar nga kërkesa e brendshme, në një rritje të orientuar nga eksporti, masa serioze për të tërhequr investitorët e huaj, konsolidim fiskal, vënie rregulli te financat publike, ulje e borxhit të lartë publik. Investitorët e huaj e perceptojnë borxhin e lartë publik si një rrezik për ekonominë. Prioriteti tani duhet të jetë kalimi drejt një konsolidimi fiskal, reduktimit të borxhit publik në një periudhë afatmesme. Konsolidimi fiskal ka nevojë të shoqërohet nga një regjim fiskal, me qëllim vendosjen e një spirance të re fiskale, pra një objektivi të ri financiar, si edhe forcimin e disiplinës financiare. Duhen marrë masa shtesë për të forcuar zbatimin e ligjit, pasi investitorët privatë e ndiejnë fort që ligji nuk zbatohet për të gjithë njëlloj dhe kjo i zmbraps ata, duke mos i kthyer dot në agjentë të rritjes.
Cilat janë rekomandimet e Bankës Botërore për qeverinë e re lidhur me prioritetet e saj?
Ndërkohë që axhenda e qeverisë Rama është e madhe, shoh tri fusha prioritare si thelbësore për një Shqipëri europiane. E para është rritja e besimit tek institucionet publike. Më tej, lidhur me propozimet inkurajuese të Ramës për rritjen e transparencës dhe mbikëqyrjen e pavarur të proceseve buxhetore dhe institucioneve si INSTAT-i, do të ishte shumë e rëndësishme që qeveria e re të adresojë perceptimin e zbatimit të ligjit njëlloj për të gjithë. Por testi i parë i vërtetë për angazhimet e qeverisë së re do të jetë tërheqja e personave të kualifikuar në administratën publike, pavarësisht se për kë votuan.
Për fat të keq, qeveria e re do të jetë në një situatë të tillë, që i duhet të arrijë më shumë me më pak mundësi financiare. Qeverisë së re do t’i duhet të përshpejtojë rritjen pa pasur hapësira për stimuj fiskalë. Ndërkohë që konsolidimi fiskal duhet t’u dërgojë sinjalet e duhura investitorëve të huaj dhe bankave, që të mbajë të ulët perceptimin e tyre për rreziqet e investimit në Shqipëri. Qeveria e re duhet të krijojë hapësirë fiskale për rritje të investimeve publike, në shpenzime publike të orientuara në të ardhmen nga investimet publike. Prioriteti i tretë është fillimi i një programi të besueshëm të konsolidimit fiskal, me qëllim stabilizimin e borxhit të rritur publik për ta futur në rrugën e uljes së tij graduale. Kjo duhet realizuar paralelisht me plotësimin e pagesave të prapambetura dhe faturave të papaguara të sektorit privat. Konsolidimi fiskal nuk është një moto popullore për cilëndo qeveri, veçanërisht kur ekonomia është e dobët, por në kushtet e Shqipërisë rritja e shpenzimeve publike pa një rritje korresponduese të ardhurash është e papërballueshme, jashtëzakonisht e rrezikshme dhe në fund të fundit e dëmshme ndaj rritjes ekonomike. Ka ardhur koha për të marrë në konsideratë futjen e një regjimi fiskal dhe programi të FMN-së.
Korrupsioni?
Nuk e përmenda në mënyrë eksplicite, por lufta kundër korrupsionit është pjesë e mirëqeverisjes, pjesë e zbatimit të ligjit. Nëse të gjithë e zbatojnë atë, atëherë nuk do të ketë korrupsion. Perceptimi për korrupsionin është përkeqësuar vërtet në vitet e fundit në Shqipëri.
Dëshironi të shtoni diçka tjetër lidhur me sfidat e qeverisë Rama?
Kemi një qeveri të re, që është zotuar të çojë përpara axhendën e saj, ta sjellë më pranë Shqipërinë me BE-në, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht. Por askush nuk mund të presë mrekullira. Të gjitha palët duhet të kontribuojnë. Qeveria e re duhet të punojë fort, po kështu bizneset, qytetarët duhet të japin kontributin e tyre duke paguar taksat, duke treguar jo tolerancë ndaj evazionit fiskal.
Marrë me shkurtime nga DW