AZGAN HAKLAJ


“Erdhe nga hiçi, s’mësuat të ecni se instinkti ju shtyn të zvarriteni…”


Disa ditë më parë në “Top Story”, gjatë një interviste të parapërgatitur, nënkryetari në detyrë i PD–së “çuditi” auditorin me të pathënat që i kishte konservuar kahmot në ndërgjegjen e tij. Si të gjithë njerëzit që vegjetojnë për të përmbushur një mision (pavarësisht maskës), ai zgjodhi momentin, sipas tij delikat, për t’i dhënë goditje Partisë Demokratike, liderit të ri të sapozgjedhur z. Lulzim Basha dhe natyrisht z. Sali Berisha. Pas Olldashit, edhe Patozi nuk vonoi të tentojë njollosjen e fushatës zgjedhore të 22 korrikut në PD, që për hir të së vërtetës ishte jo veç risi por u shndërrua lumturisht në një eveniment inkurajues pas traumës së 23 qershorit që ne demokratët, në mënyrë të pamerituar, pësuam. Me miq e kolegë demokratë kemi reflektuar e mejtuar padyshim edhe për Olldashin edhe për Patozin, edhe për të tjerë, si ata që presin radhën për të hedhur kundër PD-së gurin që kaherë e mbajnë në xhep. Njerëz si Patozi që populli i etiketon si të “pa ujë në sy”, në pamje të parë duket se meritojnë mosinteres deri në mjerim. Por konteksti politik, vetë pozicioni aktual i zotërisë si nënkryetar e udhëheqës i grupit parlamentar, më obligojnë t’i përgjigjem jo pa pezëm, publikisht. Pikësëpari duhet të theksoj dhe argumentoj se Astrit Patozi dhe monologu i tij televiziv, nuk përbëjnë një shqetësim a reflektim të vërtetë as intelektual e për më tepër, institucional. Një synim i tillë do të qe disi normal pas humbjes së 23 qershorit, ani se zotëria është njeri nga ata që i prinë humbjes në mos ishin misionarë të kësaj humbjeje jo pak tronditëse. I mbushur me mllef e vrer të akumuluar, i mërzitur deri në qarje e dëshpërim për mosfunksionimin e operacionit “Olldashi”, Patozi, jo vetëm tentoi të pluhurosë procesin e zgjedhjes së z. Basha, por nxori nga xhepat e varfër metafora bajate rreth këtij personaliteti, i cili te demokratët ka rikthyer kurajën e ringjalljes, ka atrofizuar dëshpërimin. Duke imituar dhelprën e La Fontenit me lakminë për rrushin, Patozi rrëfen aspak sinqerisht synimet e tij të afërta e të largëta që të përkthyera thjesht janë luftë kundër ringjalljes së PD-së dhe ruajtjes në mesin e strukturave aktuale të saj të status quo-së kënetore të krijuar nga vetë ai, Olldashi, Bode e të tjerë rriqna që padrejtësisht ju ngjitën me stilin e shushunjës trupit të demokratëve. Astrit Patozi, emri dhe veprimtaria e tij nuk kanë asnjë lidhje me PD-në, me kreatorët dhe as qëndrestarët e saj. Ky njeri pa emër, por i përfolur si pseudonimaxhi, parashutoi çuditshëm nga një kronikan i rëndomtë gazete në “udhëheqës” të piramidës drejtuese të PD-së. Pa asnjë autoritet politik, pa karizëm bazë as të një brigadieri, totalisht i privuar nga ndonjë talent që mund ta veçonte, ai erdhi, hyri si hije në PD. Dhe nuk është sekret kuzhina që e gatoi dhe na e serviri atë së bashku me Olldashin. Kordonierët blu që servirën këtë dyshe janë Mero Baze dhe Ylli Rakipi, dy njerëz të dobët që përdorën pabesisht aksesin e tyre në PD, jo veç për përfitime vetjake, por dhe për të tilla prurje që dita-ditës po dëshmojnë dënim deri në pragfataliteti që ju sollën demokratëve. Stili i pështirë i Patozit, që përmes komplimenteve groteske të sulmojë Sali Berishën, ishte një tjetër moment që e bën atë jo vetëm mosmirënjohës, por një mjeran të cilin nuk vlen as ta konsiderosh. Ai disa herë për liderin e idhullin e të gjithë demokratëve e jo veç, përdori fjalën “vdekatare”. Kjo gjetje e shpifur linguistike në vetvete përmbante skuthllëkun, pabesinë, konspiracionin, tipare këto tipike të bashkëpunëtorëve të hershëm të Sigurimit famëkeq të Shtetit. Unë do t’i përgjigjem sot shqip Patozit. “Po zoti Patozi, edhe Berisha është vdekatar si çdo qenie humane. Kjo është njerëzore! Por nga anët tona ka një shprehje të mençur që po ta citoj: Burri vdes se vdekja është ligjësi. Por vdekja më e rëndë është kur vdes për së gjalli. Kjo lloj vdekje është poshtëruese. Dhe ti e shijove një të tillë, edhe miku yt Olldashi, edhe të tjerë që po lëngojnë në fundin e tyre. Gjithsesi s’mund të rri pa thënë se i bashkohem konstatimit tënd se Berisha ka gabuar. E si nuk ka gabuar more zotëri kur ka adoptuar deri të tillë besëthyes e bukëshkalë, të tillë simbole të dobësisë, zvetënimit human dhe depersonalizimit si ti z. Patozi, si Olldashi, si…, si…!!!


Ju deklamuat se nuk keni egon për një karrierë të mëtejshme dhe as do të kandidoni për ndonjë post drejtues. Ky nuk përbën asnjë reflektim prej teje, i cili do të ishte normal. Ti dhe miqtë e tu duhet të jeni kryeulët deri në tokë, pse jeni alfabeti i humbjes demokrate. Por ti nuk e deklaron këtë i shtyrë nga pesha njerëzore e politike e përgjegjshmërisë. Aspak! E bën, sepse e njeh uraganin demokrat dhe e di mirë se je djegur përgjithmonë siç digjeshin atëbotë bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete që dekonspiroheshin. Ne demokratët nuk të kemi asnjë borxh, por përkundrazi Ju dhe Olldashët u keni shumë borxh të gjithë demokratëve shqiptarë për traumën që u shkaktuat. Unë biles do të sugjeroja ta dorëzosh me marifet mandatin akoma pa u betuar në Kuvendin e ri. Është mirë e me leverdi për ty t’i kthehesh jetës anonime, harrimtare nga ke ardhur. Ky sugjerim miqësor buron nga informacioni që kam se shumë shpejt do të iniciohet e dekretohet ligji për lustracionin. Besoj se më mirëkupton. Ke vende ku ta kalosh pjesën jopolitike. Ke restorantin luksoz që disponon në qendër të Tiranës. E në të ardhtë një pikë zori nga shpërfillja shpotitëse e demokratëve që s’ka për të të munguar, mund të shkosh të shkruash memuare në çifligun disa hektarësh të mikut tënd Olldashi dikund nga laguna e qetë e Baldushkut. Të siguroj se jo vetëm asnjë dëm nuk i shkaktoni PD-së, por veçse dobi do t’i sillni. Se vetëpastrimi është shëndet. Ne të tjerët demokratë qëndrestarë do të jemi këtu ku na gjete, të gatshëm të ringrihemi. Për ju natyrisht bashkë me librezat e punës do t’ju dhurojmë dhe epitafin politik: “Erdhe nga hiçi, s’mësuat të ecni se instinkti ju shtyn të zvarriteni…”. Ju tani mbeteni ashtu siç ishit “633”, “luciferi” ose siç populli thotë “DJALLË”………!!!?