Në dy vjet, ulja 7 herë e normës bazë reflektoi më tepër te bonot, kredia mbetet e shtrenjtë


ARD KOLA



Në kushtet kur kredia për privatin rritet me 1-2 për qind, nga 50 për qind, në periudhën e parakrizës, vendimet e Bankës së Shqipërisë për të reduktuar kostot e financimit priten me mjaft interes. Në fakt, reagimi i BSH-së ishte i shpejtë, kur duke nisur nga muaji shtator 2011, filloi operacionin e uljes së normës bazë të interesit, nga 5.25 për qind që ishte në gusht të 2011-s, në 3.50 për qind, në korrik 2013.


Qëllimi kryesor ishte lehtësimi i kushteve të financimit për bizneset, të zhytur në krizën e likuiditeteve. Të dhënat tregojnë për një nivel kredie të akorduar për privatin gjithnjë e në rënie, madje në 5 muajt e parë të këtij viti, rritja ishte pothuajse zero.


Por çfarë solli kjo politikë e paprecedentë e Bankës së Shqipërisë, në këto dy vitet të reduktimit 7 herë radhazi të normës bazë, drejt niveleve më të ulëta historike? Pavarësisht agresivitetit të politikës monetare të Bankës Qendrore, me kah lehtësues, kosto e kredisë në lekë nuk është ulur me të njëjtat ritme.


Ndryshimet


Ardian Fullani (2)Rezultati i deritanishëm tregon se përfituesi më i madh i kësaj politike të BSH është qeveria. Kjo e fundit po rrit dozën e financimit nga bankat, duke e çuar borxhin në majat e rrezikut, përtej limiteve ligjore. Përveç faktit të vetëm pozitiv se qeveria po e blen borxhin me interes më të ulët, mund të thuhet se asgjë e re nuk ka sjellë reduktimi i normës bazë.


Qëllimet e BSH kanë dështuar, fakt i pranuar edhe nga vetë guvernatori Ardian Fullani. Mjaftojmë të shikojmë të dhënat në vite se si kanë ndryshuar për të kuptuar reflektimin e politikës monetare në ekonomi.


Konkretisht, në shtator të vitit 2011, kur BSH nisi uljen e normës bazë, nga 5.25 për qind, në 5 për qind, interesi mesatar i kredive (në lek) ishte 11.07 për qind, kurse në qershor 2013, kur norma bazë kishte zbritur në 3.75 për qind, kosto e financimit ishte 10.73 për qind.


Sa i takon interesit të bonove të thesarit 1-vjeçar, në shtator 2011 yieldi ishte 7.67 për qind, kurse në qershor zbriti në 5.5 për qind. Raportet e krahasimit tregojnë se nëse interesi i kredive për biznesin dhe individin ka rënë me 3 për qind, ai i qeverisë (bonot) ka rënë me 28 për qind. Kujtojmë se në ankandin e fundit, bonot zbritën deri në 5.11 për qind, tregues pozitiv për financimin e borxhit të shtetit shqiptar, por aspak optimist nëse shikojmë se pjesa tjetër e ekonomisë dhe aty ku duhet të bazohet rritja ekonomike, vijon të kreditohet me kushte më të shtrënguese.


Financimi


Tjetër tregues jo pak i rëndësishëm është financimi i bankave për qeverinë dhe privatin. Të dhënat tregojnë një panoramë krejtësisht të kundërt me pritshmëritë e BSH-së. Nëse qeveria ka përfituar gjithnjë e më shumë financime nga bankat, këto të fundit janë treguar dorështrënguar me biznesin dhe individin. Të dhënat e BSH-së e dëshmojnë një fakt të tillë.


Konkretisht, kredia për ekonominë ka ngecur pothuajse në vend dhe kjo është reflektuar dhe në aktivet e sistemit bankar. Zëri “Veprime me klientët”, që përfshin investimet në huadhënie, është rritur vetëm me 0.1 për qind në fund të 6-mujorit, në raport me fundin e 2012-s, duke arritur në 574 miliardë lekë. Brenda këtij zëri, “Huaja për sektorin privat dhe individët” ka rënë me 0.5 për qind, apo 2.8 miliardë lekë për të njëjtat periudha, ku tkurrjen më të madhe e ka shënuar huaja afatmesme.


Zëri i vetëm që ka ndikuar në rritjet e aktiveve është ai i “Veprimeve me letrat me vlerë”, i cili është rritur me 12.3 për qind, apo rreth 34 miliardë lekë, për të arritur në 288 miliardë lekë. Në mungesë të dhënies së kredive, bankat po i investojnë paratë e lira të depozituesve në blerjen e letrave me vlerë.


Bankat po e shohin me leverdi raportin me qeverinë, në kushtet kur kësaj të fundit po i nevojiten gjithnjë e më shumë hua. Të ardhurat nga tatimet dhe taksat kanë rënë me 10 miliardë lekë, si 6-mujor, në raport me 2012-n, ndërsa agresiviteti i treguar për të financuar deficitin buxhetor, ka sjellë rritje të këtij të fundit me dy herë, ose në 48 miliardë lekë.


Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë pohuar se ky mekanizëm nuk ka qenë shumë eficient, pasi ka pasur dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në procesin e kredidhënies, ku më kryesoret përmendi kërkesën e ulët për hua nga sektori privat. “Ne krijojmë kushte për të lehtësuar politikat, po rezultatet nuk janë gjithnjë të parashikueshme”, kanë pohuar ekspertët e Bankës Qendrore.