Spitalet e rretheve
Krevatet bosh, popullsia e shpërngulur në qytet, buxheti shkon kryesisht për administratën se për punësim mjekësh
Lorina Mixha
Buxheti i qeverisë paguan nga viti në vit kosto më të lartë për spitalet e rretheve, ata që njihen si spitale rajonalë dhe jo për ata bashkiakë. Edhe pse një pjesë e mirë e popullsisë jeton në qytete, përsëri në dhjetëra spitale në vend nuk janë bërë ndryshime për vite me radhë, duke sjellë konsum dhe shpenzime të panevojshme për të paguar administrata ineficiente dhe duke mbajtur shtretërit bosh për pacientët e zonave, të cilët shpesh preferojnë Tiranën si rrugëzgjidhje për problemet e tyre shëndetësore. Ndër kirurgjitë më të shtrenjta shënohen në spitalin e Vlorës dhe të Fierit. Po ashtu edhe spitali i Mallakastrës dhe i Delvinës renditen ndër më të kushtueshmit për shëbrimin e kirurgjisë, ndëkrohë që nuk raportohen operacione të shumta në këto institucione.
Ndërkohë që shërbimi i patologjisë kushton më shtrenjtë në Gramsh, Përmet, në Kolonjë e në Krujë.
Në analizën e fundit që ka kryer Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor rezulton se spitalet e rretheve kanë shpenzime të mëdha, kryejnë pak punë, marrin në punë më shumë punonjës të administratës se mjekë dhe funksioni i tyre është i një poliklinike, jo spital i nivelit dytësor.
Një projekt i Ministrisë së Shëndetësisë për vite ka mbetur në sirtarë lidhur me shkrirjen e disa spitaleve, bashkimin e një pjese prej tyre dhe kthimin e institucioneve pa shfrytëzim shtretërish në qendra të nivelit parësor.
Urdhrat e përvitshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për mosdërgimin e pacientëve të rretheve në Tiranë, në spitale bashkiake, si dhe kryerja e ndërhyrjeve të thjeshta në spitalet rajonale nuk është zbatuar as nga institucionet e as nga mjekët duke e kthyer edhe qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në një spital ky kryesisht realizohen operacione të thjeshta.
Shpenzimet
Sipas grafikut që paraqet kostot mesatare për rast në spitalet rajonale, në studimin e ISKSH-së dy vjet më parë rezulton se në Vlorë, Korçë, Dibër, Shkodër dhe në Kukës përllogariten kostot më të larta.
Qendra spitalore e Delvinës, e Malësisë së Madhe, spitali i Mallakastrës, Mirditës, Pukës, Tepelenës rezultojnë të kenë kosto nga 79 mijë lekë në 138 mijë lekë për çdo rast të pacientëve që kërkojnë kujdes spitalor.
Më shumë shpenzime kanë spitalet rajonale dhe më pak ato bashkiake. Kostoja mesatare e një ditë-qëndrimi në Delvinë është 56 mijë lekë, ndërkohë që në Malësinë e Madhe kostoja e ditë-qëndrimit llogaritet në 136 mijë lekë.
Për një ditë-qëndrim, koston më të madhe e ka spitali i Vlorës, me 17 mijë lekë të reja dhe Shkodra me 11 mijë lekë të reja.
Në spitalin e Shkodrës, për një ditë-qëndrim në shërbimin e kirurgjisë, kostoja shkon 26 mijë lekë për kirurgjinë dhe 7 mijë lekë për patologjinë.
Shtretërit
Mungesa e shtrimeve dhe përdorimi i këtyre spitaleve si urgjenca rajonale i konsumon buxhetit të shëndetësisë miliona lekë, duke shtuar kostot e duke i rritur ato më tej nga viti në vit. Përveç tkurrjes së popullsisë, problemi se përse pacientët e zonës nuk zgjedhin spitalin rajonal është mungesa e mjekëve dhe specialistëve. Reanimatori, kirurgu, hematologu, apo dhjetëra specialistë të tjerë mungojnë në këto spitale, për pasojë një pjesë e mirë e shërbimeve edhe pse kanë emrin, realisht nuk mund të ofrojnë kujdes shëndetësor, duke përballuar vetëm rastet e urgjencave e duke i dërguar më pas në spitalet më të afërta bashkiake për mjekim dhe trajtim të specializuar. Edhe në rastet kur mjekët mbarojnë specializimin e duhet të kthehen në vendin e tyre, preferojnë të mbajnë një punë edhe pse me fitime të vogla vetëm për të qëndruar në qytete të mëdha sidomos në Tiranë, duke bojkotuar spitalet rajonale.
ISKSH:
Faktorët që ndikojnë në
kosto: largësia, demografia
Faktorët që kanë ndikuar në rritjet e kostove për rast, sipas Kujdesit Shëndetësor janë: mungesa e protokolleve të mjekimit, stadi i avancuar i sëmundjes, koha e paraqitjes në spital të pacientëve. Po ashtu ndikon në kosto, pozicioni gjeografik i popullatës, largësia, klima, demografia e ndryshme e popullsisë sipas zonave.
Tepelenë, spitali kthehet
në qendër shëndetësore
Spitali i Tepelenës, me kapacitet rreth 100 shtretër, që prej fillimit të vitit ka pritur gjithsej 417 pacientë për vizita të përgjithshme dhe 790 të shtruar në repartet e pediatrisë dhe patologjisë. Sipas drejtuesit Astrit Zeneli, repartet e tjera janë ineficente për shkak të mungesës së mjekëve.
Kirurgjia dhe materniteti pothuajse nuk figuron të kenë shtrime. Vetëm 30 lindje kryhen mesatarisht në vit në Tepelenë të asistuar nga stafi infermiere-mami dhe kjo realizohet për rastet e mbërritura nga zonat e thella që nuk kanë mundësi për të shkuar në Gjirokastër. Në spitalin e Tepelenës, me një organikë të tejfryrë shërbejnë aktualisht 171 punonjës, prej të cilëve vetëm 8-9 janë mjekë, gati 100 të tjerë staf infermieror dhe pjesa e mbetur administratë dhe shërbime. Në këto kushte kostoja e shfrytëzimit të këtij spitali nuk i kalon të 20% në vit.
Në këtë spital, ku nuk kryhen operacione prej të paktën 7 vjetësh tashmë, edhe blloku reanimator është i mbyllur. Shefja e shërbimit spitalor, Stoli Selmani thotë se këto mungesa kanë rritur kohën e shërbimit për ata pak mjekë që kanë mbetur ndërsa pamundësia e konsultimeve me mjekë të drejtimeve të tjera e vështirëson edhe punën e tyre dita-ditës. Shumica e rasteve – thotë mjekja Selmani – transportohen për shërbim më të specializuar drejt spitalit të Gjirokastrës. Me gjithë kërkesat e herëpashershme drejtuar ministrisë për specialistë duket se situata nuk po ndryshon për asnjë nga rrethet e vogla si Tepelena. I kthyer gati në një qendër shëndetësore të zakonshme, spitali i Tepelenës mund të ofrojë vetëm shërbimin e urgjencës për rastet serioze të çdo specialiteti. Të gjithë pacientët transponohen për më tej drejt Gjirokastrës.