Rekrutimet – Mediat kanë hedhur dyshime javët e fundit, se Ministria e Jashtme ka bërë rekrutime stafi jashtë çdo kriteri profesional dhe në shkelje të ligjit për shërbimin diplomatik


Gradat – Burimet bëjnë të ditur se ministri Bumçi nuk ka kursyer as gradat e larta diplomatike për punonjësit e tij gjatë javëve të fundit, duke mos respektuar kriteret për dhënien e tyre


Paralajmërimi – Ministri i ri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili do të marrë detyrën në fillim të shtatorit, ka theksuar se të gjitha emërimet e paligjshme dhe gradimet jashtë kriterit do të zhbëhen në vjeshtë 


Është emëruar Llesh Kola në këtë post, pa u larguar Gazmend Turdiu


Fatjona Mejdini


MMinistria e Jashtme shqiptare aktualisht ka në detyrë dy sekretarë të përgjithshëm, të cilët marrin pagë në këtë ministri për të njëjtën detyrë dhe po kështu gëzojnë të njëjtat privilegje nga posti. Burime brenda Ministrisë së Jashtme, bëjnë të ditur për gazetën “Shqip”, se ky dublim i këtij pozicioni të rëndësishëm në këtë ministri ka ndodhur për shkak të faktit se ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, ka nxituar të emërojë në këtë pozicion ish-ambasadorin tonë në Itali, Llesh Kolën, në një kohë kur Gazmend Turdiu që e ka mbajtur këtë pozicion për një kohë të gjatë në këtë ministri, zyrtarisht ka marrë pushimet e verës dhe nuk është dorëhequr apo shkarkuar nga pozicioni. Nuk dihet se mbi ç’bazë ligjore, ministri Bumçi ka emëruar një sekretar të ri të përgjithshëm, në një kohë kur Gazmend Turdiu de jure vijon ende të mbajë këtë detyrë në ministri. Burimet bëjnë të ditur për gazetën “Shqip”, se Turdiu në muajin shtator do të nisë punë si përfaqësues i Shqipërisë në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me qendër në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës dhe aktualisht është duke kryer pushimet vjetore. Duket se ngutja e ministrit Bumçi për të emëruar një sekretar të ri të përgjithshëm, pavarësisht se Turdiu vijon të jetë në detyrë, duket se bëhet në kuadër të emërimeve të reja dhe gradimeve të shumta që janë ndërmarrë me shpejtësi muajt e fundit nga kjo ministri. Burimet bëjnë të ditur se me këto veprime, ministri Bumçi kërkon të provokojë shumicën sociale që pritet të marrë në fillim të shtatorit pushtetin, duke ripërtërirë të gjitha pozicionet në këtë ministri, pa i lënë mundësi ministrit të ri ta vijojë këtë proces.


Sekretarët


Gazmend TurdiuBurime nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur për gazetën “Shqip”, se sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri, Gazmend Turdiu, në datën 1 gusht ka marrë pushimet verore dhe vetëm në muajin shtator do të nisë punë pranë Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me qendër në Sarajevë si përfaqësues i Shqipërisë. Nisur nga kjo, Turdiu de jure vijon të jetë në këto momente sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie. Por në realitet, ministri Aldo Bumçi ka emëruar një tjetër sekretar të përgjithshëm dhe që është ish-ambasadori i Shqipërisë në Itali, Llesh Kola. Nuk dihet mbi ç’konkurs është bërë ky emërim i ri në ministri, i cili ka ardhur në një kohë kur Turdiu vijon të jetë pjesë e organikës së kësaj ministrie. Më shumë sesa fakti se aktualisht dy diplomatë marrin pagë në Ministrinë e Jashtme për të njëjtin funksion dhe gëzojnë po kështu privilegjet që vijnë nga ai, ky veprim tregon jo seriozitet të diplomacisë shqiptare dhe po kështu të ministrit Bumçi.


Transparenca


Pavarësisht faktit se media javët e fundit ka akuzuar Ministrinë e Jashtme për emërime në diplomacinë shqiptare jashtë çdo kriteri dhe po kështu gradime jo në respekt të ligjit. Por, pavarësisht këtyre akuzave, kjo ministri nuk ka bërë publike asnjë listë të diplomatëve të saj jashtë vendit dhe po kështu të gradave që janë marrë muajt e fundit. Po kështu, të bën përshtypje fakti se në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme, përveç ministrit të Jashtëm, nuk prezantohet asnjë funksionar tjetër i kësaj ministrie të rëndësishme.


 


Turdiu – Në muajin shtator do të nisë punë si përfaqësues i Shqipërisë në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me qendër në Sarajevë


Koha – Ministri Bumçi ka vetëm katër muaj që ka marrë pozicionin e ministrit të Jashtëm


Largimi – Ai do t’i lërë vendin pas dy javësh, pasardhësit të tij në këtë pozicion, socialistit Ditmir Bushati


Qëndrimet – Kryeministri i ri i zgjedhur, Edi Rama, ka theksuar se do të marrë fund koha e emërimeve nepotike në diplomaci


Precedenti – Qeveria e Kryeministrit Berisha, kur mori pushtetin tetë vite më parë, zhbëri vendimet e ministrit socialist të Jashtëm


Kompetencat – Sipas vendimit të qeverisë, ky pozicion menaxhon të gjithë administratën e institucionit


 


Ligji, sekretari është pjesë e nëpunësit civil


Ministria e Jashtme (2)Sekretari i përgjithshëm i ministrisë konsiderohet dhe si pozicioni më i lartë i nëpunësit civil i këtij institucioni. Nisur nga ky fakt, për të emëruar këtë funksionar të lartë të ministrisë nevojiten procedura tepër strikte dhe konkurs rigoroz.


“Sekretari i përgjithshëm në ministri është nëpunësi civil më i lartë i saj. Emërimi, lirimi nga detyra, vlerësimi i punës, paga, çështjet për disiplinën dhe karrierën e sekretarit të


përgjithshëm u nënshtrohen dispozitave të përcaktuara nga ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, dhe akteve nënligjore, të dala në bazë dhe për zbatim të ligjit. Sekretari i përgjithshëm, nëpërmjet ushtrimit të funksioneve dhe të bashkërendimit të punës së strukturave të institucionit, kujdeset dhe siguron qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e veprimtarive


përkatëse të ministrisë me institucionet e tjera”, theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave për këtë pozicion. Por, pavarësisht këtyre kërkesave ligjore, Ministria e Jashtme në vend ka nxituar në emërimin e tij, në kushtet kur vetëm pas disa javësh kjo ministri nuk do u përkasë më demokratëve. Sipas vendimit nr.325, datë 21.2.2003, sekretari i përgjithshëm kryen detyra për bashkërendimin e strukturave të ministrisë, për zbatimin e politikave të miratuara në fushën e veprimtarisë së saj. Në përputhje me kërkesat e parashikuara në ligj dhe


aktet e tjera nënligjore, si dhe urdhrat apo detyrat e marra nga ministri, ai merr masa për shfrytëzimin e frytshëm të burimeve njerëzore, të mjeteve financiare e burimeve materiale të ministrisë. Ai konsiderohet si përgjegjës për ndjekjen dhe mbikëqyrjen e të gjitha çështjeve për menaxhimin e burimeve njerëzore të institucionit e në mënyrë të veçantë, për zbatimin e dispozitave të ligjit “Statusi i nëpunësit civil” dhe të çështjeve të tjera, lidhur me personelin. “Për këtë qëllim, ai bashkëpunon, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, me Departamentin e Administratës Publike, në përputhje me aktet normative dhe me udhëzimet e nxjerra nga


Këshilli i Ministrave”, theksohet në aktin e Këshillit të Ministrave.