Procedurat
Udhëzimi i miratuar ndryshon rregullat për faljen dhe rivlerësimin. Afati, dhjetor 2013
ARD KOLA
Të gjithë prisnin udhëzimin e amnistisë fiskale ose të ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”. Dhe ja ku vjen, me tre muaj vonesë, por me plot surpriza.
Përtej planit dhe parashikimeve, qeveria nuk ka shtyrë thjesht afatin e zbatimit, deri më 31 dhjetor 2013, por edhe kushtet, pra përfituesit. Më parë ishte deklaruar se amnistia thjesht shtyhej në kohë, por mbeteshin të njëjtat rregulla. Kjo bëhej për t’i dhënë një tjetër shans atyre që për arsye të ndryshme nuk aplikuan në periudhën kur nisi zbatimin, qershor 2010 – mars 2011.
Por çfarë thotë udhëzimi i publikuar dje në Fletoren Zyrtare, me nr.12, tashmë i ndryshuar? Që në fillim sqaron afatet, ku në pikën 1.11 të udhëzimit tregon shembullin e legalizimit të parave në banka, “pavarësisht” rrugës së krijimit. Sipas përcaktimeve, kjo e drejtë mund të ushtrohet edhe aktualisht, pra edhe nëse këto të ardhura janë krijuar rishtas dhe mund të futen në banka kundrejt pagesës 3 për qind, që shkon për arkën e shtetit. Këto të ardhura nuk janë deklaruar, por tashmë biznesi dhe individi kanë mundësi t’i fusin në bankë, duke u mjaftuar me një plotësim formulari, paguajnë komisionin tre për qind të shumës që depozitojnë dhe pa dhënë “shumë shpjegime” mund t’i depozitojnë paratë në bankë, por me kushtin që nuk duhet t’i transferojnë jashtë vendit për të paktën 3 vjet.
Tjetër mundësi lidhet me rivlerësimin e pasurive të kompanive private, ku për mundësinë që u jep shteti, duhet të paguajnë 3 për qind për pronat dhe 5 për qind për makineritë dhe pajisjet e fshehura. Ndryshimi? “Me termin ‘vlerë kontabël’ të pasurisë së paluajtshme kuptohet vlera fillestare e blerjes së pasurisë minus amortizimin e akumuluar deri në datën 31.12.2012 dhe amortizimin e vitit ushtrimor 2013 deri në datën e rivlerësimit të pasurisë”. Më parë, kur afati ishte viti 2010, por qeveria ka futur papritur edhe bilancet e vitit 2012.
Kështu, pasqyrat financiare të vitit 2013 që subjekti dorëzon pranë organeve tatimore brenda datës 31 mars 2014 duhet t’u bashkëlidhen pasqyrat analitike të vlerës kontabile të pasurive (aktiveve afatgjata të materialeve), të rivlerësuara dhe të legalizuara, si dhe pasqyra analitike e llogaritjes së
amortizimit. Diferenca midis vlerës kontabël të regjistruar në pasqyrat financiare të vitit 2012 dhe vlerës që rezulton nga rivlerësimi, për shkak të legalizimit të tyre, pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2013 është e amortizueshme për efekte fiskale.
Po ashtu, në seksionin II, nënndarja II/1 “Falja e detyrimeve tatimore”, pika 3/a ndryshon me këtë përmbajtje: “Detyrimet tatimore të papaguara nga persona fizikë, subjekte të taksës vendore të biznesit të vogël, që i përkasin periudhës tatimore deri më 31.12.2010, falen pa asnjë pagesë”. Në udhëzimin e mëparshëm, biznesit nuk i faleshin detyrimet e papaguara në rast se nuk ishin të evidentuar në pasqyra.
Amnistia e parë fiskale ishte një dështim për qeverinë, pasi nuk u shlyen më pak se 15 për qind e detyrimeve dhe gjobave.