Bizneset, letër Bodes dhe Mimës: Rriten kostot prej 1 gushtit, maunet me 1 mln euro, pezull
Që prej fillim gushtit 2013 nga Shqipëria nuk eksportohet më as një tullë në drejtim të Kosovës
Tarifat
40 euro – Dërgimi i automjeteve me mallra në destinacionin ‘terminal privat’ në Prizren, shoqërohet edhe me një kosto shtesë të drejtpërdrejtë prej 40 euro/ditë për çdo kamion
200 euro – Për kamionët e destinuara p.sh për në Gjakovë, detyrimi i ri që kamioni të shkojë paraprakisht në terminalin e Ferizajt, rrit koston e transportit me vlerën rreth 200 euro
80 euro – Shtimi i tarifës për terminalin privat, me një mesatare prej 80 euro (pasi vonesat në terminal janë 1 – 3 ditë) rrit automatikisht të paktën edhe 10-12 për qind koston e produktit
ARD KOLA
Historia përsëritet. Edhe pse flasim të njëjtën gjuhë, shqipen, prapë nuk po merren vesh. Është e ngjashme me rastet e kaluara, ku palët akuzojnë njëra-tjetrën, por askush nuk merr përsipër zgjidhjen. Në tre vitet e fundit mosmarrëveshjet mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë qenë të shumta sa u takon marrëdhënieve tregtare dhe rasti i fundit konfirmon krizën e bashkëpunimit mes dy shteteve. Edhe pse pak muaj më parë u zhvillua një takim i nivelit teknik, të iniciuar nga ambasada e Kosovës në Tiranës, ku merrnin pjesë autoritetet më të larta doganore, sërish konstatohet se për “1001” arsye gjërat nuk po ecin me frymën e duhur.
Kësaj here shkak është bërë vendimi i qeverisë së Prishtinës për të ndryshuar destinacionin e mallit për zhdoganim, duke u shkaktuar kosto kompanive eksportuese shqiptare.
Që prej fillimit të këtij muaji, Autoritetet Doganore të Kosovës në mënyrë të njëanshme, pa asnjë paralajmërim dhe arsyetim, kanë anuluar aplikimin e kësaj dispozite doganore të tyre duke detyruar eksportuesit që mallrat t’ia nënshtrojnë një regjimi tjetër doganor. Konkretisht, nga data 1 gusht 2013 të gjitha automjetet transportuese të mallrave që vijnë nga Shqipëria duhet të ndryshojnë destinacionin e tyre nga distributorët apo konsumatorët drejt terminalit doganor privat në qytetin e Prizrenit, Ferizajt apo Prishtinës ku duhet të kryejnë veprimet doganore (zhdoganime etj.).
Ankesa
“Kjo procedurë e re, sipas informacioneve që disponojmë, nuk ka si shkak as si qëllim miradministrimin e doganës (rritjen e cilësisë së kontrollit dhe eliminimin e shkeljeve doganore) apo/dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj eksportuesve, përkundrazi: efekteve të prejardhura prej kësaj procedure janë tejet negative për bizneset deri në demotivim të tyre për të vijuar eksportin në Kosovë, madje për disa lloj produktesh (kryesisht materiale ndërtimi) bllokim total të eksporteve, çka pas sjell edhe uljen e të ardhurave doganore të tyre”, thotë kryetari i Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë, Alban Zusi.
Sakaq, bizneset i kanë dërguar më datë 13 gusht një letër informuese dhe ankese ministrit të Ekonomisë, Florion Mima, dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, në dijeni edhe të Kryeministrit Sali Berisha, ku u bëhet e qartë se vendimi i autoriteteve kosovare ka rritur tej mase kostot, deri në bllokim të tregtimit.
Në letër thuhet se, detyrimi i eksportuesve që të dërgojnë automjetet me mallrat e tyre fillimisht në terminalin doganor privat të Prizrenit, Ferizajt apo Prishtinës shkakton humbje kohe për dërgimin e mallrave në destinacionin fina1 dhe kosto direkte të transportit. “Gjithashtu, mungesa e kushteve minimale për kryerjen e veprimeve doganore në këtë terminal (nuk ka as bankë aty!) përbën një tjetër kosto shtesë për operatorët tanë eksportues. Përpos këtyre faktorëve, dërgimi i automjeteve me mallra në destinacionin ‘terminal privat’ në Prizren, shoqërohet edhe me një kosto shtesë të drejtpërdrejtë që është tarifa prej 40 eurosh në ditë për çdo kamion”, saktëson më tej letra.
Kostot
Vetëm kjo e fundit (tarifa prej 40 eurosh në ditë për çdo kamion), duke marrë në konsideratë shpeshtësinë e eksporteve dhe vlerën totale të mallit që eksportohet për çdo kamion, përbën një kosto të papërballueshme dhe përsërisim krejt demotivuese për vijimin apo jo të eksportit të mëtejshëm atje.
“Kështu, p.sh. për një kamion me tulla që eksportohet rëndom drejt Kosovës, ka vlerë totale rreth 780 euro. Për kamionët e destinuara p.sh për në Gjakovë, detyrimi i ri që kamioni të shkojë paraprakisht në terminalin e Ferizajt, rrit koston e transportit me vlerën rreth 200 euro”, thotë Zusi.
Shtimi i tarifës për terminalin privat, me një mesatare prej 80 euro (pasi vonesat në terminal janë 1 – 3 ditë) rrit automatikisht të paktën edhe 10-12% koston e produktit. Sipas eksportuesve shqiptarë, këto rritje artificiale të kostove është e natyrshme që jo thjesht ul konkurrueshmërinë e operatorëve tanë eksportues e pse jo edhe daljen e tyre nga tregu, por bllokon automatikisht eksportin e këtyre produkteve! Në fakt, kështu ka ndodhur: Që prej fillim gushtit 2013 nga Shqipëria nuk eksportohet më as një tullë në drejtim të Kosovës me një impakt të drejtpërdrejtë rreth 1 milion euro eksporte të parealizuara.
Serbët
Të njëjtat pasoja janë edhe për eksportet e materialeve të tjera të ndërtimit, si hekur, kollë etj., eksportimi i të cilave efektivisht është bllokuar! Ky bllokim i eksporteve sjell efektet zinxhir, si mosfunksionimin në kapacitet normal të fabrikave (madje mbylljen e ndonjërës prej tyre), shkurtim të fuqisë punëtore, ulje të planit të investimeve dhe të ardhurave buxhetore të shtetit!
“Është e natyrshme që ky bllokim i eksporteve shqiptare nuk ka krijuar asnjë lloj vakumi në tregun kosovar, pasi është zëvendësuar menjëherë nga eksportet serbe në drejtim të Kosovës (të cilat natyrshëm që janë me cilësi dhe çmim më pak të
favorshëm)!!
Nga gjithë kjo, nuk ka asnjë përfitim dogana kosovare as konsumatori atje (përkundrazi). I vetmi i fituar në këtë sipërmarrje është pronari i terminalit privat dhe biznesmenët serbë”, ankohen bizneset shqiptare te Kryeministri Berisha.
Ky fakt shqetësues pranohet edhe nga partnerët kosovarë të bizneseve shqiptare. “Kjo sjellje jokorrekte e institucioneve doganore të Kosovës karshi bizneseve shqiptare bëhet me të vetmin qëllim për t’i realizuar përfitim dikujt duke përdorur institucionin e shtetin. Realizimi i këtyre marifeteve të Doganës është bërë me ngut vetëm e vetëm që personat të përfshirë në këtë interes mos të humbin edhe një minutë për të realizuar profitin e tyre ilegal me ndihmën e institucionit shtetëror së Doganës së Kosovës”, tregojnë bizneset e Prishtinës që furnizohen me mall nga Shqipëria.