Takimi
Në kulmin e sezonit turistik, administrata tatimore u bën edhe një herë thirrje operatorëve privatë të këtij sektori që të jenë në rregull me pagesën e taksave. Mësohet se Drejtoria e Tatimeve
është duke vazhduar takimet e saj me subjektet turistike, në zona të ndryshme, si në Sarandë, Vlorë, Shëngjin, Divjakë, Pogradec, Velipojë, Gjirokastër dhe zona të tjera. “Janë takime që zhvillohen në kuadër të zbatimit të ‘Planit operacional të përmbushjes 2013’. Operatorëve turistikë në këto zona u kërkohet që të rrisin nivelin e vetëdeklarimit dhe të realizojnë pagesat sipas detyrimeve përkatëse tatimore”, bën të ditur zyrtarisht administrata tatimore, e cila më tej sqaron se, “janë më shumë takime ndërgjegjësuese, pasi në këto zona informaliteti është i lartë”. Theks i veçantë u është vënë edhe kontrolleve për instalimin dhe përdorimin e pajisjeve fiskale, deklarimit dhe përfshirjes në skemën e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore etj. Nga ana e tyre, operatorët turistikë nënvizuan si probleme kryesore mungesën e kushteve të barabarta të konkurrencës në treg, si dhe bashkëpunimin me pushtetin vendor.