Bursat, përcaktohet kategoritë përfituese

Ministria e Arsimit lëshon udhëzimin për 3550 të rinj, nxënës dhe studentë në të gjithë vendin 

Shifrat – Bursë studimi do të përfitojnë 3550 të rinj, nga të cilët 1900 studentë dhe 1650 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm

E plotë – Bursë të plotë përfitojnë ata që janë fëmijë i një familje që përfiton ndihmë ekonomike apo kur plotëson kriterin e largësisë

Gjysmë – Gjysmëbursë përfitohet kur për një familje me dy persona të ardhurat për frymë janë 4.600 lekë në muaj

Llojet – Bursa e plotë për nxënësit e arsimit parauniversitar varion nga lloji i shkollës 6.400-6.900 lekë. Për studentët 8.900-9.400 lekë

Shpresa Mezini

bursat studentoreMiratohet numri i bursave që do të lëshohen këtë vit për disa kategori të rinjsh, përfshirë arsimin parauniversitar dhe atë të lartë. Duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit të zbardhur dje, por edhe Vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar në fillim të gushtit, bursë studimi do të përfitojnë 3550 të rinj, nga të cilët 1900 studentë dhe 1650 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm. E megjithatë, bursa ofrohet e plotë në rastet kur nxënësi apo studenti është fëmijë i një familje që përfiton ndihmë ekonomike apo kur plotëson kriterin e largësisë, çka do të thotë para për të mbuluar shpenzimet e konviktit, teksteve shkollore dhe ushqimit në mensa. Ndërsa gjysmë bursë kur për një familje me dy persona, të ardhurat për frymë janë 4.600 lekë në muaj. Nga përfitimet ekonomike, që miraton qeveria për çdo vit, nuk përjashtohen edhe kategori të tjera si: personat me aftësi të kufizuara, ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore, të rinjtë me rezultate të shkëlqyera apo ata që ndjekin shkollën e mesme profesionale në disa degë specifike.

Kategoritë

“Bursa e plotë për nxënësit e arsimit parauniversitar varion nga lloji i shkollës nga 6.400-6.900 lekë dhe po ashtu edhe bursa për studentët varion nga 8.900-9.400 lekë. E përfitojnë bursën nxënësit dhe studentët që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik; nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që vendosen në konvikt publik; nxënësit apo studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; nxënësit dhe studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut dhe që plotësojnë kriterin ekonomik”, parashikohet në udhëzimin e MASH.

Sipas tij, bursë përfitojnë edhe nxënësit e studentët që kanë rezultate të shkëlqyera, një vit përpara se të aplikojnë për të përfituar këtë lehtësi ekonomike; nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim, në vitet e dyta e lart dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 dhe studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme me medalje ari.

Kushtet

“Prioritet në trajtimin me bursë kanë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale dhe me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, si Tropoja, Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Bulqiza, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, Librazhdi, Gramshi, Kolonja, Përmeti, Pogradeci, Skrapari dhe Rrethi i Tepelenës”, thuhet në udhëzim.

Duke iu referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave thuhet se për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga këshilli i bashkisë dhe i komunës, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë.

“Drejtoritë arsimore rajonale paraqesin/dërgojnë zyrtarisht në njësitë vendore kërkesat për miratim burse për nxënësit që përfitojnë. Nxënësit që vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës”, sqarohet në udhëzimin e MASH për bursat e vitit 2013-2014.

 

Kusht kriteri ekonomik dhe:

  • Studentët që studiojnë mbi 5 km larg vendbanimit të tyre
  • Nxënësit që mësojnë 5 km larg shtëpisë dhe vendosen në konvikt
  • Ata që kanë përfituar statusin e jetimit
  • Ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate
  • Ata që kanë statusin e invaliditetit
  • Ata që kanë rezultate të shkëlqyera
  • Ata që mësojnë në disa degë specifike profesionale
Autor te 17 Gusht 2013. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry