Hetimet


Grupi hetimor tha se do të tentojë sërish të marrë në pyetje Ana Sulçen për zbardhjen e ngjarjes


21 vjecarja ASAna Sulçe, 21-vjeçarja, e cila mesditën e 14 gushtit u plagos nga shqiptari i Maqedonisë, Agim Emini, para se ai të vriste veten, në një prej hoteleve të Tiranës, ka shmangur dëshminë e saj para oficerëve të policisë. Duket se e mbijetuara po përpiqet që të pengojë hetimet, pasi nuk ka dëshirë që të zbardhet e vërteta e krimit makabër dhe si pasojë e kësaj, ajo ka shfrytëzuar gjendjen e dobët shëndetësore, pasi pretendon se ka të vjella sa herë flet. Sulçe është i vetmi person që di arsyen e aktit ekstrem të Agim Eminit, i cili pasi plagosi të dashurën, vrau veten. Duket se policia duhet të presë edhe pak kohë, që vajza t’i bindet urdhrit për të folur rreth asaj që ka ndodhur në dhomën e hotelit, ku viktima kishte qëndruar aty prej pesë ditësh. Grupi hetimor dyshon se motivi i sherrit mes çiftit është xhelozia dhe kërkesa e Sulçes për t’i dhënë fund marrëdhënies së tyre, e ka tensionuar situatën. Gjithsesi, dëshmia e vajzës do ta çojë policinë drejt një piste zyrtare. Dje grupi hetimor ka shkuar në Spitalin Ushtarak për të marrë dëshminë e Sulçes, por ajo ka shfrytëzuar gjendjen e saj shëndetësore, duke thënë se nuk mundet. “Nuk mund t’u përgjigjem pyetjeve tuaja se nuk ndihem mirë nga ana shëndetësore. Kam të përziera dhe kjo më pengon që të flas”, i është përgjigjur Ana Sulçe grupit hetimor. Plagosjen e saj nga 52-vjeçari dhe vetëvrasjen e këtij të fundit, ajo e quan diçka personale, pavarësisht bilancit, ndërkohë që policia pritet ta rimarrë në pyetje. Një ditë më parë, 21-vjeçarja akuzoi mediat për shpifje mbi atë që ka ndodhur në dhomën e hotelit mesditën e 14 gushtit. Ndonëse gazeta tentoi t’i japë vajzës mundësinë për të dhënë versionin e saj, se përse ndodhej në një dhomë hoteli me 52-vjeçarin, ajo nuk ka pranuar që të flasë, përkundrazi tregohet shumë e vrazhdë në bisedë. “Nuk ka ç’ju duhet me jetën time personale. Zhduku! Nuk ju duroj dot! Më lini të qetë”, u shpreh dy ditë më parë 21-vjeçarja. Ndërsa e afërmja e saj, e cila nuk pranon që të identifikohet, pretendon se motivi i plagosjes dhe vetëvrasjes nuk është xhelozia, duke kërkuar përgënjeshtrim të lajmit. E plagosura thotë se policia ka gabuar në dhënien e versionit. Ndërkaq burime nga Prokuroria thonë se për krimin e dyfishtë nuk do të ketë asnjë dosje. “Autori që ka kryer plagosjen është vetëvrarë dhe ne nuk kemi se kë të akuzojmë. Kjo na detyron që të mos bëjmë asnjë dosje për çështjen”, u shprehën burime nga organi i akuzës. Burimet bëjmë me dije se vajza ka punuar disa kohë në shtetin fqinj, Maqedoni. Rezulton se 21-vjeçarja të ketë dalë nga Qafë-Thana në fillim të muajit prill të vitit 2013 dhe të ketë hyrë sërish në Shqipëri në mes të korrikut. Në fillim të muajit gusht, Agim Emini ka ardhur në Shqipëri dhe ka qëndruar në hotelin e përhershëm për pesë ditë. Gjatë kësaj kohe, vajza nuk është parë asnjëherë në hotel, përveç ditës kur ndodhi krimi. Nuk ishte hera e parë që 52-vjeçari qëndronte në atë hotel dhe marrëdhëniet mes tij e personelit ishin korrekte. S. Muça