Intervista
Nënkryetari i LSI-së: Shtëpia e Ushtrisë mund të shpëtohet nga grabitja, por dhe prona të tjera
Batuta – “Sa i takon Presidentit, s’kam ç’t’i them, se ai thjesht po ha përsheshin me kos që i servir Doktori. Natyrisht që ligji i ri për Presidencën do të duhet të disiplinojë edhe rolin e Presidentit, pavarësisht nëse ai/ajo zgjedh të drejtojë shtetin apo të hajë përshesh me kosin e politikës”
Fatjona Mejdini
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, deklaroi se Kryeministri në ikje, Berisha, po tregon karakterin e tij “bajraktarist” me nismat për të grabitur pronën publike në favor të interesave personale të tij dhe ministrave. Në një intervistë për “Shqip”, Manjani thekson se problematika e grabitjes së pronës shtetërore në Shqipëri nuk mund të kufizohet vetëm me SHQUP-in, por me të gjitha aktet e paligjshme që janë ndërmarrë për ta tjetërsuar atë. Sipas Manjanit, qeveria e re duhet të bëjë urgjentisht një ligj për statusin e pronës publike, si dhe të vërë rregulla fikse për destinacionin e saj. Nënkryetari i LSI-së tregohet i ashpër dhe me Presidentin Nishani, duke theksuar se ai “po ha përsheshin me kos” që i servir Doktori. Manjani flet edhe për nevojën e një ligji për Presidencën, i cili do të rregullojë veprimtarinë e kreut të shtetit në të ardhmen.
Z.Manjani, si e shikoni debatin e fundit për kalimin e Shtëpisë së Ushtrisë te Partia Demokratike?
Që në fillim dua të theksoj se çështja e SHQUP-it nuk është një konflikt ndërmjet Forcave të Armatosura dhe qeverisë, por është një konflikt i pastër ndërmjet kësaj të fundit (pra qeverisë) dhe pronës publike të shqiptarëve. Duhet bërë mirë ky saktësim për të nxjerrë realisht në pah nivelin shumë të lartë të harbutërisë dhe banditizmit të kësaj me demek qeverie që ka ngelur. Edhe në ditët e fundit të jetës së saj, qeveria e Doktorit nuk harron të na kujtojë abuzimet spektakolare që ka bërë me pronat publike të këtij vendi. Me sa fuqi pati, Doktori grabiti ose fali prona publike ku mundi nëpër miq e dashamirës të tij. Tani në fund i ra ndërmend për SHQUP-in dhe ky është lajm i mirë, sepse kjo pronë publike mund të shpëtohet nga grabitja, por po të ishte kujtuar më parë, do ta kishim harruar tashmë.
Si e shikoni bazën ligjore që është përdorur për një transferim të tillë?
Qeverisja e doktorit nuk i dha qëllimisht asnjë status ligjor pronës publike në këtë vend, për ta grabitur dhe përdorur sipas qejfit. Toka të dhëna miqve e të njohurve me një euro, në bregdet dhe në zona të tjera me vlerë turistike, kulturore dhe ekologjike janë tjetërsuar lehtësisht nga Doktori. U shit hotel “Dajti” për të paguar pagat e administratës, pa u sqaruar fare as publikisht se përse duhej shitur. Vitet e fundit u bënë modë pronat e ushtrisë, të cilat u falën e u keqpërdorën lehtësisht. Nga ana tjetër, nevoja e shtetit për godina publike është evidente. I parë kështu ky problem, të ndihmon të kuptojmë se sa i rëndë është problemi i kësaj qeverie me pronën publike në tërësi. Kjo mënyrë abuziviste qeverisje me pronën (pra jo vetëm me SHQUP-in) kërkon jo thjesht rikthim të pronës publike në gjendjen e mëparshme, mbi të gjitha rregullimin me ligj të statusit të saj. Qeveria nuk ka të drejtë të tjetërsojë pasurinë e publikut. Kjo duhet përcaktuar qartë në ligj. Qeveria mund të vlerësojë destinacionin e saj mbi bazën e nevojave që ka vendi, por jo ta tjetërsojë si t’i dojë qejfi! Ky është abuzim. Nga ana tjetër, kur vendoset tjetërsimi i pronës publike, ka vetëm një zyrë që merret me këtë gjë dhe kjo është zyra e ankandit dhe jo zyra e Kryeministrit. Këto janë rregulla që duhen sqaruar mirë në ligj, me qëllim që të mbyllet njëherë e mirë saga e qeverive që e përdorin dhe e tjetërsojnë pronën e publikut sipas qejfit. Fakti që kjo qeveri vlerëson interesat e Partisë Demokratike për zyra luksi më shumë sesa interesat e shqiptarëve për t’u mirëmenaxhuar pronën e tyre (pra jo vetëm ushtarakët), tregon pastaj karakterin bajraktarist të Doktorit. Por edhe për këtë duhet falënderuar Doktori, sepse na dha një leksion se si nuk duhen bërë gjërat në të ardhmen. SHQUP-i dhe gjithçka tjetër që i është rrëmbyer inventarit të pasurisë publike do të duhet të rikthehet pa kushte dhe menjëherë këtij inventari. Qeveria e re të bëjë urgjentisht ligjin e ri për statusin e pronës publike, si dhe të vërë rregulla fikse për destinacionin e saj në realizimin e funksioneve publike, si dhe të zhvillimit të vendit. Kjo është e domosdoshme.
Si e shikoni rolin e Presidentit Nishani në këtë histori?
Sa i takon Presidentit, s’kam ç’t’i them, se ai thjesht po ha përsheshin me kos që i servir Doktori. Natyrisht që ligji i ri për Presidencën do të duhet të disiplinojë edhe rolin e Presidentit, pavarësisht nëse ai/ajo zgjedh të drejtojë shtetin apo të hajë përshesh me kosin e politikës.